English

Akuzat për Kuliçaj, Doganat: Prifti flet për kontrabandën e mëparshme, po hetojmë

Durrës, 12 tetor, NOA – Pas akuzave të lëshuara nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ndaj zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, se ky i fundit drejton një rrjet të kontrabandës së naftës virxhin në vend, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka ka deklaruar sot për mediat se kjo drejtori ka nisur hetimet mbi akuzat e ish ministrit, porse deri tani nuk rezulton asnjë provë për kontrabandë nafte të Kuliçajt për periudhën për të cilën e akuzon Dritan Prifti, porse të dhënat i korrespondojnë një periudhe të mëparshme.

Drejtoi Gjymyshka deklaroi se “Ju siguroj se për periudhën në të cilën bëhet fjalë në materialet e servirura nga një deputet nuk është periudha që përkon. Bëhet fjalë për një periudhë tjetër, është periudhë e mëparshme”.

Sipas Gjymyshkës, drejtoria e përgjithshme e doganave po merr informacionin e duhur për një periudhë kohe dhe po bashkëpunon edhe me strukturat e vendeve homologe, një informacion që sipas tij do të bëhet publik shumë shpejt.

Ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti akuzoi pak ditë pas shkarkimit nga posti i ministrit të Energjetikës, përfshirjen e Policisë së Shtetit në kontrabandën e naftës, ku sipas ish ministrit në qendër të akuzave u vu zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ish bodigard i kryeministrit Berisha.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka e bëri këtë deklaratë në Durrës ku po zhvillohet Takimit Ndërkombëtar i Task Forcës së policive dhe doganave të 13 vendeve të Europës Juglindore, (CECI).

Por, në fokus të takimit të CECI-t ishte edhe lufta ndaj kontrabandës së cigareve dhe trafikimit të markave dhe patentave.

Në prononcimin e tij, Gjymyshka deklaroi se “Kontrabanda e cigareve në mjaft raste shërben si mjet financimi për grupet terroriste”.

Ai pohoi se kjo luftë nuk mund të fitohet pa një bashkëveprim nacional, rajonal si dhe pa përfshirë me mënyrë aktive edhe operatorët ekonomikë të fushës së cigareve.

“Lufta kundër kontrabandës së cigares dhe falsifikimi i markave dhe patentave, mbetet një ndër prioritetet kryesore të administratës doganore shqiptare”, tha Gjymyshka.

Ai sqaroi se vetëm gjatë dy operacioneve të fundit është bërë i mundur sekuestrimi i 1 193 kolive cigare, të cilat nëse do të hidheshin në treg, krahas dëmit të konsumatorit për shkak të cilësisë jo të mirë, buxhetit të shtetit shqiptar do t’i mungonin 40. 8 milion lekë.

Sipas tij, impakt negativ do të kishin në biznesin e tyre edhe operatorët ekonomikë të fushës së importit të cigareve.

Gjymyshka theksoi se ndërkohë për luftuar kontrabandën është krijuar një strukturë piramidale nga qendra në bazë me persona kontakti si dhe po punohet me drejtorinë e përgjithshme të markave dhe patentave, bashkëpunim ky që do të finalizohet me firmosjen e memorandumit, i cili do të mundësoje shkëmbimin on-line të të dhënave midis dy institucioneve.

mit/NOA
KOMENTE