English

Haxhinasto: Pse nuk erdhi Klinton në Shqipëri? Se nuk kemi probleme

Tiranë, 12 tetor, NOA – Jo sepse e shmangu, por se fatmirësisht për Shqipërinë nuk ekzistojnë problematika të mprehta si vendet e tjera të rajonit.

Kjo është arsyeja e vetme që sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton nuk do ta vizitojë Shqipërinë, në kuadrin e turit të saj që ka ndërmarrë në Ballkan dy ditët e fundit.

Një shpjegim të tillë ka dhënë ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto para gazetarëve lidhur me pyetjen e tyre se përse Klinton e shmangu vendin tonë nga turi i vizitave në Ballkan.

“Përsa i përket vizitës së Sekretares Klinton, axhenda e saj është shumë e ngarkuar. Çështjet që ajo do të shqyrtojë në vizitat e saj në Sarajevë ku hapet ndërtesa e re e Ambasadës Amerikane atje, por edhe për problematikat që ka Bosnje-Hercegovina, problematikat që ka procesi i fillimit të negociatave midis Kosovës dhe Serbisë janë çështje të një interesi të veçantë të SHBA-v”, ka shpjeguar ai.

Duke shtuar më tej se fatmirësisht, problematika të tilla nuk ekzistojnë për vendin tonë.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do t’i thellojmë ato më tej në funksion të interesave dhe objektiva të përbashkëta”, bëri me dije më pas Haxhinasto, lidhur me një argument të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE