English

Kryeministri inauguron rrugën e re të Soromesë

Tiranë, 2 tetor, NOA - Gjatë vizitës në Sarandë, kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës së Soromesë që lidh komunat Aliko dhe Xarrë me rrugën nacionale, financim i Fondit shqiptar të Zhvillimit, me vlerë 291 milion lekë. Rruga e re, me gjatësi 18.5 kilometra, i jep kësaj zone një infrastrukturë të re, që do të lehtësojë lëvizjen dhe arritjen më shpejt të tregut për rreth 11 mijë banorë dhe fermerë të saj.

Aty, Berisha u takua edhe me fermerë të komunës Aliko dhe të komunës Xarrë, të cilët i uroi për rrugën e re dhe i garantoi se qeveria do të bëjë çdo investim që përmirëson jetën e tyre.

“Kjo zonë, - u shpreh kryeministri, - është e njohur jo vetëm për peizazhet mahnitëse të saj, por edhe si një nga zonat më prodhuese të vendit”.

Ai mw pas, u bëri të njohur fermerëve se së shpejti nis edhe projekti i dytë i madh për kultivimin e drurëve frutorë që, krahas projektit të ullirit, do të krijojë mundësi të reja të mëdha për fermerët, nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre potencialeve.

Duke i ftuar të përfitojnë nga ky projekt, kryeministri i garantoi fermerët se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulli apo agrume që ata do të mbjellin.

“Kjo, - u shpreh kryeministri në bashkëbisedimin me fermerët, - është një nga zonat më prodhuese të vendit. Vetëm në komunën e Xarës janë prodhuar këtë vit 25 mijë ton shalqi, do të prodhohen rreth 350 mijë ton mandarina e klementina dhe lloje të ndryshme të agrumeve. Potencialet janë të mëdha dhe qeveria është e vendosur të subvencionojë çdo rrënjë ulli apo agrume. Në të vërtete fermerët e këtyre zonave kanë treguar dhe tregojnë një vullnet të madh në punë dhe po e bën këtë territor gjithnjë e më të begatë”.

n.e/NOA

KOMENTE