English

Jakup Krasniqi: 13 shkurti, datë e mundshme për zgjedhjet

Prishtinë, 14 tetor, NOA – Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka deklaruar BBC-së se afati më i mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend është 13 shkurti i vitit të ardhshëm.

Ai tha se data e zgjedhjeve të parakohshme do të bëhet publike së shpejti dhe ajo, sipas tij, reflekton një lloj pajtueshmërie mes forcave politike në vend.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, në bisedë me BBC-në, tha se autoritetet në Prishtinë nuk kanë asnjë arsye që të mos hyjnë në bisedime me Beogradin zyrtar, si palë e barabartë, meqë ato nuk kanë të bëjnë me statusin dhe tërësinë tokësore të Kosovës, por me ngritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët e të dyja vendeve.

Deklaratat e zotit Krasniqi pasojnë takimet me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, e cila ka bërë thirrje për fillimin e bisedimeve për çështjet teknike, pavarësisht zhvillimeve të brendshme në Kosovë e Serbi.

Zoti Krasniqi tha se pala kosovare ka treguar gatishmërinë për të kryer përgjegjësitë në raport me qytetarët e vendit, por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Zoti kryetar keni takuar sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton. Mund të më jepni hollësitë se çfarë ju tha ajo dhe çfarë i thatë ju asaj?

Vizita e sekretares së shtetit, zonjës Clinton, është një konfirmim i SHBA-së për mbështetjen e zhvillimeve politike që po ndodhin në Kosovë.

Natyrisht se një nga bisedat e patejkalueshme ishte bisedimet e mundshme me Serbinë. Pala kosovare në asnjë kohë dhe asnjë rast nuk ka qenë kundër bisedimeve dhe ne jemi për biseda.

Si palë kosovare kërkuam që, në një mënyrë ose në një tjetër, për të qenë më lehtësues BE-ja në këto bisedime do të duhet ta kishte një politikë më unifikuese dhe më të qartë ndaj proceseve që po zhvillohen në Kosovë. Ishte një garantim i fuqishëm nga sekretarja e shtetit se këto bisedime nuk kanë të bëjnë me statusin politik të Kosovës, nuk kanë të bëjnë me tërësinë tokësore të saj por kanë të bëjnë me lehtësitë që duhet të bëhen për qytetarët e të dyja anëve.

Në fakt ka shumëçka që mund të bisedohet, edhe në këtë fazë, me Serbinë sepse në fund të fundit jemi dy vende fqinje dhe në këtë raport si dy vende fqinje Kosova nuk ka asnjë arsye që t’i ikë çfarëdo bisedimi të mundshëm.

Zoti kryetar, me sa e kuptoj ju jeni pajtuar me sekretaren amerikane të shtetit që dialogu të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur?

Me zonjën Clinton bisedat kanë qenë në dy rrafshe. Në të parin jemi takuar unë, kryeministri dhe ministri i jashtëm dhe, pas bisedës së përbashkët, një bisedë tjetër më e veçantë është zhvilluar mes zonjës Clinton dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në të gjitha këto bisedime ne i kemi treguar gatishmërinë për të kryer përgjegjësitë tona që kemi në raport me qytetarët tanë por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë të veçantë me SHBA-në dhe BE-në.

Kjo i bie se jeni pajtuar që të ecni në bisedime me Beogradin zyrtar, pavarësisht nga zhvillimet politike që ndodhin sot në Kosovë?

Derisa bisedimet nuk janë për çështjet e statusit politik, nuk janë për tërësinë tokësore por janë për ngritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët e të dyja anëve, kanë të bëjnë me lehtësitë që krijohen me lëvizjen dhe qarkullimin e qytetarëve të dy vendeve tona dhe mallrave të dy vendeve tona, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos bisedojmë si palë e barabartë me Beogradin.

Meqë po flasim për proceset politike në vend, Kosova ka hyrë në një proces të ri atë të zgjedhjeve të parakohshme. Zonja Clinton tha se ato janë një gurëthemel për demokracinë në Kosovë. Kur mund të presim që të përcaktohet një datë për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?

Sipas të gjitha bisedimeve që i kam patur me subjektet politike, me KQZ-në dhe me ekspertë të ndryshëm, del se mesi i muajit shkurt është afati më optimal dhe do të thosha edhe më i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.

Më lejoni që të jem më insistues zoti kryetar. A nënkupton mesi i muajit shkurt datën e përfolur, 13 shkurtin?

Mund të nënkuptoj datën 13, ndoshta ndonjë datë më herët ose më vonë, por 13 shkurti, konsideroj se është një datë shumë optimale.

Dhe t’i kthehem edhe njëherë dialogut me Beogradin. Nëse ai fillon në një periudhë të shpejtë kohore, a është e gatshme pala kosovare të hyjë në bisedime?

Ju e dini që të gjitha zhvillimet, proceset dhe arritjet tona gjatë këtyre 10 viteve i kemi arritur me faktorin ndërkombëtar, edhe me faktorin Uashington dhe atë Bruksel.

Kemi 101 arsye që së bashku me këta dy faktorë të fuqishëm ndërkombëtarë, me të cilët kemi arritur shumë gjatë këtyre viteve, ta vazhdojmë edhe procesin e bisedimeve teknike që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të dy vendeve tona.

BBC

KOMENTE