English

Meta: Me fall e ëndërrime nuk ka zgjedhje të parakohshme

Tiranë, 14 tetor, NOA, Update – “Mazhoranca është jashtëzakonisht solide dhe e qetë. Të gjithë janë të lirë të ëndërrojnë dhe të hedhin fall”.

Kështu i është përgjigjur interesimit të mediave lidhur me idenë e opozitës për zgjedhje të parakohshme për shkak të krizës politike në vend.

Zëvendëskryeministri Ilir Meta, kreu i partisë së dytë në koalicionin qeveritar, theksoi se “Shqipëria është një vend jashtëzakonisht demokratik. Secili ka të drejtë të ëndërrojë zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhjet do të kishin ndodhur 300 herë gjatë këtij viti të parë të kësaj qeverie”.

Meta i ftoi opozitarët të forcojnë durimin, sepse sipas tij, zgjedhjet do të mbahen pikërisht në 28 qershor të vitit 2013.

“Dhe është e mira të paraqesin alternativa, pasi duke shtënë fall nuk ka as zgjedhje të parakohshme dhe nuk ka as mbështetje më shumë nga votuesit dhe nga qytetarët”, deklaroi zëvednëskryeministri Meta.

Zëvendëskryeministri Ilir Meta i bëri këto deklarata pas pjesëmarrjes në çeljen e aktiviteteve të javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, nën titullin "Tetori Gjerman", në mjediset e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë.

Në këtë aktivitet “Të ndajmë shanset së bashku”, ku morën pjesë drejtues të bankës KfË dhe programit të GTZ-së, të cilat përfaqësojnë bashkëpunimin ekonomik gjerman për zhvillim në Shqipëri, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e qeverisë gjermane si një histori suksesi në këto 20 vite.

“Ishte ende pa u rrëzuar regjimi obskurantist komunist në Shqipëri kur falë përpjekjeve titanike të personalitetit të madh bavarez dhe gjerman, Franc Jozef Shtraus u bë e mundur që të pranohej nga qeveria e asaj kohe marrëveshja e parë e bashkëpunimit teknik që përcaktonte ndihmën gjermane për zhvillim dhe që filloi me sjelljen në Shqipëri të traktorëve dhe autokombajnave të para gjermane për zhvillimin e Shqipërisë. Që atëherë një progres i jashtëzakonshëm dhe i shkëlqyer është arritur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”, tha Meta në fjalën e tij.

Zëvendëskryeministri meta nënvizoi se “Mbështetja dhe ndihma e Gjermanisë ka qenë e jashtëzakonshme, në përputhje me sfidat, prioritetet dhe dinamikën e zhvillimeve ekonomike e sociale nën vend. Bujqësia, infrastruktura dhe shëndetësia kanë ndjerë në mënyrë të veçantë mbështetjen e Gjermanisë, ashtu sikurse dua të theksoj mbështetjen e Gjermanisë sidomos për nxitjen dhe përkrahjen e SME-ve në vendin tonë. Po kështu edhe asistencën për procesin e privatizimeve, që ka ndihmuar për strukturimin dhe modernizimin e ekonomisë sonë”, rikujtoi Meta.

Duke evidentuar partneritetin e suksesshëm me Gjermaninë, ministri i Energjitikës, Meta tha se “Ne së shpejti do të inagurojmë investimin e jashtëzakonshëm të interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe fillimin e punimeve për të njëjtin interkonjeksion Tiranë-Prishtinë, pa përmendur edhe shumë projekte të tjera në fushën e energjisë, ku një falënderim i veçantë i shkon edhe KfË për përkushtimin e saj për të zbatuar programe shumë të rëndësishme”.

“Ndaj unë besoj se falë kësaj ndihme dhe kësaj mbështetje Shqipëria është sot jo vetëm një anëtare e NATO-s, është më pranë se asnjëherë tjetër Bashkimit Europian dhe qytetarët tanë do të kenë fatin që në një kohë shumë të shkurtër të lëvizin pa viza drejt vendit tuaj dhe gjithë hapësirës shenjen”, u shpreh Meta gjatë aktivitetit.

Gjatë takimit foli dhe Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Mueller-Holtkemper, e cila deklaroi se "qeveria gjermane do të mbështesë Shqipërinë me një fond prej rreth 545 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme".

Ambasadorja gjermane veçoi disa nga sektorët, ku qeveria gjermane ka investuar në 20 vite bashkëpunim dypalësh si infrastruktura, energjia elektrike, menaxhimi i mbetjeve urbane, etj.

mit/NOA
KOMENTE