English

Nga shpresa te zhgënjmi dhe anasjelltas

Shpresat e dikurshme në Kosovë tashmë janë shndërruar në zhgënjim. Nëse ky zhgënjim nuk bëhet shpresë e re atëherë do të degjenerojë në dëshpërim të përgjithshëm. Varet prej qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht prej atyre që dëshirat duan t’i bëjnë vullnet, nëse do të ndodhë ndryshimi. Ndryshimi i vërtetë vjen prej poshtë dhe jo prej lartë. Ashtu sikurse demokracia

Nga Albin Kurti

Viti 2008 ishte vit i shpresave të mëdha. Dihej që do të shpallej pavarësia ndonëse nuk dihej me siguri data e shpalljes. Qytetarët kishin pritje të mëdha. Ata i kishin dëgjuar thirrjet e politikanëve vendorë e ndërkombëtarë për durim dhe po prisnin. Të frikësuar se mos ndoshta do të mund ta dëmtojnë pavarësinë nëse reagojnë, qytetarët për vite me radhë po e duronin varfërinë, papunësinë, ndarjen në Mitrovicë, cilësinë e dobët të arsimit e të shëndetësisë etj. Durimi kolektiv arsyetohej me pavarësinë si moment kur gjithçka do të ndryshonte për të mirë. Pavarësia besohej të jetë rregullatori për mirëqenie e perspektivë, hapi që do të mundësojë shumë hapa të tjerë përpara, çelësi i daljes nga mjerimi social e stagnimi ekonomik. Përgjatë vitit 2008, Qeveria e koalicionit të madh e kishte shansin. Qytetarët e Kosovës ishin të gatshëm të angazhohen për ndryshime, për ndërtimin e një Kosove të re në çdo aspekt. Mirëpo, pushteti vazhdonte t’iu bënte thirrje atyre vetëm për durim të mëtutjeshëm. Flamuri, himni e Kushtetuta e Kosovës u instaluan pa diskutim parlamentar e pa referendum popullor. Privatizimi nga i cili s’kishim përfituar gjë deri atëherë, u përshpejtua me zell edhe më të madh. Qytetarët e Kosovës edhe pas pavarësisë ishin plotësisht të përjashtuar nga politika dhe ekonomia e vendit. Kur në fund të vitit 2008 erdhi 6 Pikëshi famëkeq i Ban Ki-moon-it si një mbindërtim i Planit të Aktisaarit, rrugët e Prishtinës u mbushën sërish me dhjetëra mijëra demonstrues. Që prej atëherë koalicioni qeveritar ka pësuar veçse rënie në sytë e qytetarëve të Kosovës.

Viti 2010 u bë vit i zhgënjimeve të mëdha. Të gjithë qytetarët që ishin druajtur se mos do ta dëmtojnë ardhjen e pavarësisë nëse nuk durojnë vetëm edhe pak, tashmë e kishin parë që pavarësia nuk erdhi e padëmtuar. Shteti i pavarur i Kosovës nuk ishte edhe sovran dhe s’kishte integritet territorial. Çmimet u ngritën, korrupsioni lulëzoi dhe punësimi nuk varej nga aftësia e ndershmëria por nga lojaliteti partiak. Premtimi kryesor qeveritar u bë liberalizimi i vizave, kuptimi i së cilit është që pushteti në Kosovë nuk premton që do të ketë liri në Kosovë por liri prej Kosovës. Nëse liberalizimi i vizave do të propagandohej si prioritet nga zëvendësministri për integrime, atëherë do të mund të arsyetohej disi, por kur kjo bëhet rregullisht nga kryeministri dy herë në javë, atëherë është e qartë se pushteti e shikon Kosovën si anijen Titanik ku premtohen bileta për barkat anësore shpëtuese në anijen që po fundoset. Pra, Qeveria po na tregon hapur se është skeptike për Kosovën dhe më parë se ndërrim të situatës për të gjithë ofron në formë të reklamës ikje individuale për secilin. Prandaj kjo Qeveri realisht është dorëzuar. Politikat e saj dhe, më shpesh se kaq, mungesat e politikave të saj po e bëjnë Kosovën vend të pajetueshëm. Numri i njerëzve në Kosovë të aftë për punë është dukshëm mbi një milion por as çereku i tyre nuk janë të punësuar. Kosova jo vetëm që importon 11 herë më shumë sesa që eksporton por edhe importi i mallrave për konsum është së paku trefish më i lartë sesa ai i makinerisë.

Qytetarët e Kosovës nuk ia kanë pasur borxh askujt këtë gjendje kaq të rëndë. Ka mundësi që politikanë të caktuar të Kosovës t’i kenë pasur e t’i kenë borxh ndokujt, mirëpo atë borxh le ta paguajnë ata vetë e jo populli i Kosovës. Pushteti në Kosovë është kaq i fuqishëm sa është, jo pse e ka mbështetjen e qytetarëve por pse i ka paratë e qytetarëve. Gjithsesi të kotë janë politikanët që formalisht shtiren se i përfaqësojnë qytetarët përderisa nuk ua mbrojnë atyre interesat.

Shpresat e dikurshme në Kosovë tashmë janë shndërruar në zhgënjim. Nëse ky zhgënjim nuk bëhet shpresë e re atëherë do të degjenerojë në dëshpërim të përgjithshëm. Varet prej qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht prej atyre që dëshirat duan t’i bëjnë vullnet, nëse do të ndodhë ndryshimi. Ndryshimi i vërtetë vjen prej poshtë dhe jo prej lartë. Ashtu sikurse demokracia.

KOMENTE