English

Opozita largohet sërish nga Kuvendi, seanca vetëm me mazhorancën

Tiranë, 14 tetor, NOA – Deputetët e opozitës sapo kanë bojkotuar seancën e sotme plenare në shenjë proteste ndaj dokumentit të buxhetit faktik 2010, i cili u diskutua gjatë orëve të paradites së sotme dhe mbrojtjes që i bëri treguesve të tij, kryeministri Berisha.

Pararendës i këtij largimi në unitet i deputetëve socialistë u bë fjalimi i deputetit Erjon Braçe, i cili e kritikoi Berishën për të gjithë treguesit që ai komunikoi sot në seancën plenare rreth buxhetit dhe duke i kërkuar me zë të lartë nga foltorja e Kuvendit që të largohet.

“Ti nuk je më i mirë se Nano, duhet të largohesh!”, i tha ai ndër të tjera Berishës, duke i kujtuar vendimin e djeshëm që ka marrë qeveria për lejimin e importimit të plehrave në vendin tonë, nga vende të tjera.

Sipas Braçes, ish-kryeministri Fatos Nano iku pikërisht nga një gjë e tillë prej detyre dhe duhet që ky fat të prekë edhe kreun e qeverisë aktuale, Sali Berisha, pasi ai nuk është më i mirë sipas tij.

“Lëri shqiptarët e rinj në këtë vend të ndërtojnë të ardhmen vetë. Ti nuk je më i nevojshëm”, iu drejtua në fund të fjalës së tij, deputeti socialist Erjon Braçe kryeministrit Berisha.

Ndërsa menjëherë pas fjalës së tij, deputetët opozitarë braktisën sallën e Kuvendit.

n.e/NOA

KOMENTE