English

PS: Turp, Berisha do të kthejë në terren sportiv, kraterin e Gërdecit

Tiranë, 14 tetor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot pas mesditës nga selia rozë se kryeministri Sali Berisha bashkë me të birin, Shëkëlzen Berisha nuk mund të fshihen pas inaugurimeve pasi ata janë kriminelët e 26 viktimave të shpërthimit të Gërdecit.

“Si një kriminel, që nuk i reziston dot tundimit për tu kthyer në vendin e krimit të tij të madh, babai i Shkëlzenit shkoi sot në Gërdec për të inauguruar një copë rrugë”, ironizoi kryeministrin, deputeti Balla.

Sipas Ballës, familjet e 26 viktimave dhe qindra të plagosurve prej më se dy vjetësh kanë treguar me gisht pikërisht Sali Berishën, ministrat, familjen dhe pushtetin e tij si autorë të këtij krimi të rëndë, ende të pandëshkuar.

Ai e quajti cinik inaugurimin e sotëm të rrugës në Marqinet, duke theksuar se “kryeministri derdh lot krokodili dhe bën thirrje që drejtësia të zbardhë të vërtetën, ndërkohë që për fshehjen e kësaj të vërtete prej mëse dy vjetësh Berisha s’ka lënë gur pa lëvizur, letra, vendime dhe shirita magnetofoni pa djegur”.

Balla e quajti turp, kthimin e vendit të shpërthimit në Gërdec, në një terren sportiv. “Sali Berisha e ka të kotë, të fshihet pas harresës, sepse ai krater ka hyrë tashmë në historinë e Shqipërisë si krateri i shpërthimit të korrupsionit të Berishëve, babë e bir, dhe sekserëve të familjes”, theksoi deputeti socialist.

Sipas deputetit Balla, Gërdeci është dëshmia më e dhimbshme që tregon se ky pushtet për tu pasuruar, është gati të shkelë edhe mbi jetët dhe kujtimin e njerëzve të pafajshëm, njësoj siç bëri sot, babai i Shkëlzenit në Gërdec.

mit/NOA
KOMENTE