English

Shpenzimet populiste

Qeveria shqiptare e mbylli marrëveshjen e supervizionimit me FMN në 31 janar të vitit 2009, megjithë kërkesën e ekspertëve, se supervizionimi duhej zgjatur pasi, siç ata shkruanin: “shpenzimet populiste të vitit elektoral do ta dëmtonin ekonominë dhe qeveria nuk do të kishte në vëmendje politikat ekonomike të orientuara drejt stabilitetit”

Nga Mimi Kodheli

Në fund të vitit 2008 ekspertët e Partisë Socialiste e këshillonin qeverinë Berisha të mos gënjente lidhur me parashikimin e rritjes së PBB dhe të një buxheti të pabazuar, në kushtet e krizës globale dhe të një keq menaxhimi të financave publike të vendit.

Në mars të vitit 2009 FMN e këshillonte qeverinë shqiptare të bënte kujdes me shpenzimet buxhetore të periudhës para zgjedhore të qershorit 2009, pasi rrezikonte stabilitetin makroekonomik. Qeveria shqiptare e mbylli marrëveshjen e supervizionimit me FMN në 31 janar të vitit 2009, megjithë kërkesën e ekspertëve, se supervizionimi duhej zgjatur pasi, siç ata shkruanin: “shpenzimet populiste të vitit elektoral do ta dëmtonin ekonominë dhe qeveria nuk do të kishte në vëmendje politikat ekonomike të orientuara drejt stabilitetit”.

Për fat të keq, ekspertët tanë dhe ata të FMN-se nuk kishin gabuar. Viti 2009 ishte viti i krizës së pa pranuar kurrë, por edhe viti i shiritave elektorale. Kjo qeveri u pa si e vetmja në botë që në një kohë krize rriti shpenzimet dhe uli të ardhurat. Dhe në fakt, për 2009-n, të ardhurat nuk u realizuan në masën 21 miliardë lekë, mosrealizim ky që lidhet drejtpërdrejt me performancën e biznesit vendas dhe konfirmon parashikimet e FMN-se lidhur me rënien e ritmeve të rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po kalonte e kalon ekonomia jonë.

Shpenzimet korrente në vitin elektoral 2009, u rritën në kurriz të atyre kapitale në masën 74.7% të totalit të shpenzimeve, kur në vitin 2008 ishin 71.2%. E megjithatë, paratë për pagat e buxhetoreve, për 6-mujorin e II-të munguan. Çdo gjë ishte derdhur lumë deri në 28 qershor.

Për pasojë, nuk kishte si të mos ndodhte që dëmi që ka ardhur nga shkeljet financiare në përdorimin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2009, sipas raportit të KLSH-së, të ishte 281 milion lekë. Sikur, ne morinë e gjithë parave me të cilat është abuzuar, vetëm këto para të mos ishin vjedhur, do mund të ndërtonim 5 shkolla të reja me nga 400 nxënës secila, në çdo qoshe të Shqipërisë.

Kulmi arrin kur qeveria, në mënyrë të qëllimshme, për të mbuluar vrimat e zeza elektorale dhe ato të hajnisë korruptive, deficitin buxhetor në letër prej 82 miliardë lekësh, të 2009-s, të planifikuar pa turp, vetëm 50 miliardë, kërkoi ta mbulojë me para hua, ku norma e interesit prej 13.8% ishte kredia më e shtrenjtë në bote, e marrë nga ndonjë qeveri. Ndërkohë, të mos harrojmë se në vitin që po kalojmë kosto e borxhit që kemi mbi supe është rritur edhe me 8 miliardë lekë të reja.

Pra, në vitin 2009 deficiti buxhetor, të paktën në letër, u rrit me 21 miliardë lekë më shumë se një vit me përpara ose arriti në 59.68% e PBB. Besoj se nuk është e nevojshme t’iu rikujtoj se e keni gjetur 53% nivelin e deficitit në 2005-n.

Por, ndërkohë, sipas KLSH-së, shumë investime kapitale që mund fare thjeshte të realizoheshin brenda vitit buxhetor 2009, u financuan në mënyrë pjesore duke çuar në menaxhimin jo efiçent të fondeve. Këto objekte presin vitet e ardhshme për t’u financuar, ose ndonjë yxhym tjetër elektoral, ndërkohë që punimet fizike ose janë kryer pjesërisht, ose janë avancuar pa u financuar.

Qeveria Berisha ke paguar vetëm 9% të detyrimeve të prapambetura dhe u ka borxh bizneseve shqiptare dhe të huaja miliona e miliona euro, para këto që e thellojnë akoma më shumë deficitin buxhetor real, në shifra të frikshme e të krahasueshme me shtete në krizë të plotë financiare.

Gjatë vitit 2009, kjo qeveri e fshehu nivelin real të deficitit dhe në këtë mënyrë rriti riskun e bizneseve për falimentim, duke përkeqësuar ndërkohë kreditë e këqija në banka. Kjo i detyroi dhe i detyron bankat edhe sot, të jenë të shtrënguara dhe të shtrenjta në dhënien e kredisë. Kredia konsumatore dhe investimet private do të vazhdojnë të reduktohen dhe do të jenë gjithnjë e më të shtrenjta, duke e penguar rritjen reale të ekonomisë.

Sot, Shqipëria është zhytur në borxh për të garantuar qëndrimin në pushtet të kësaj qeverie. Për shkak të kësaj politike qeverisëse, Shqipëria dhe shqiptaret po shkojnë drejt varfërimit real. Për shkak të kësaj politike, ata nuk do të mund të gëzojnë e përfitojnë prej pasurive të tyre të përbashkëta, që shiten dhe blihen në emër të tyre, por jo në të mirë të tyre.

Sot, Shqipëria është futur në atë fazë të tatëpjetës ekonomike ku lan borxhe me borxhe dhe merr borxhe përherë e më të mëdha duke u zhytur gjithmonë e më thellë në borxh. Kjo do të thotë që jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja jonë po kompromentohet nga kjo qeveri pa legjitimitet.

Nesër, qeveritë që do të vijnë, do të duhet të përballen me detyrime që lindin nga këto borxhe, të marra në mënyrë krejt të papërgjegjshme, nga kjo qeveri e cila mendon se njerëzit në këtë vend mund t’i sundosh me inaugurime e shirita elektoralë.

Sot, Shqipëria është më e korruptuar se dje, më pak transparente se dje dhe me të 1 milion të papunët e saj, më e varfër se dje.

Përpjekja jonë për të bërë transparencën e buxhetit të vitit 2009, e të gjithë aferave korruptive që në këtë vend, ndodhin si pa të keq, apo e keq përdorimit të qëllimshëm për arsye përfitimi të një grushti njerëzish, të financave publike, është një përpjekje për të vendosur realisht në dritën e syve të qytetareve shqiptare, gjithçka ka ndodhur dhe ndodh me qeverinë Berisha.

*Fjala në Kuvend për buxhetin faktik të deputetit

KOMENTE