English

Takim në kujtim të Aristotel Gumës, Dule dhe Bollano: Shqiptarët, shovinistë

Himarë, 15 Tetor 2010 NOA – Vrasja e Aristotel Gumës nuk është një incident i izoluar, por maja e shovinizmit shqiptar që është rritur kryesisht në të rinjtë shqiptarë. Këtë deklaratë kanë bërë njëzëri kryetari i OMONIA dhe kryetar i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano e pas tij, kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule gjatë një takimi përkujtimor për të ndjerin.

Shoqata e himarjotëve të bashkuar “Himara”, ka organizuar gjatë pasdites një takim në kujtim të Aristotel Guma, 35-vjeçarit që mbeti i vdekur pas një aksidenti të dyshimtë që policia dhe autoritetet e konsideruan si të qëllimshëm për motive të dobëta, të dyshuarit si tërësisht aksidentale dhe familjarët e minoriteti grek, si vrasje për motive etnike.

Takimi u zhvillua në Himarë dhe në të u theksua ai që u cilësua si fakt se dy muaj më parë më 12 gusht 2010, Aristotel Guma mbeti i vrarë nga një grup shqiptarësh “shovinistë” sepse fliste greqisht.

Në këtë takim per vdekjen e Aristotel Gumës kanë marrë pjesë pjesëtarë të minoritetit grek dhe shtetas grekë të shumtë, mes tyre shumë deputetë të të gjitha forcave politike në parlamentin helen.

Që në fillim u transmetua një video që ju shihni më poshtë e ku demonstrohej plot nota kritike vdekja e Gumës dhe deklarimi i të atit: “Tim bir e vranë se fliste greqisht”.

Më tej i ati i është drejtuar drejtpërdrejt` sallës: “Vranë tim bir, sepse fliste greqisht. I thanë, pse flet greqisht dhe ai, i tha, sepse është gjuha e nënës sime. Nuk u bë asnjë sherr dhe kjo dihet ishin plot djem të Himarës aty ku edhe vendosën t’i marrin jetën”, - u shpreh i ati i të ndjerit Aristotel Guma.

Kurse më tej lëshoi një akuzë ndaj policisë: “Policia e dinte, i kishin paralajmëruar por nuk morën asnjë masë”.

Më tej ka folur vëllai i të ndjerit: “Ne, grekë jemi dhe grekë do të vdesim, duan apo nuk duan shqiptarët, një jetë, grekë do të jemi”.

Të gjitha fjalimet që vijuan, kishin një pikë të përbashkët, nevojën sipas tyre të politikës kombëtare që të mbrojë minoritetin grek, por që në takim gjithmonë u përmend si vorioepirotët e Shqipërisë.

I pranishëm në takimin përkujtimor ka qenë dhe Mihalis Pandulas, deputeti i Janinës për PASOK-un. Ai trajtoi çështje të të drejtave që minoritarët kanë jo vetëm në Shqipëri por dhe në Greqi.

Kurse Evripidhis Stilianidhis, deputet i rajonit të Rodhopisë për Nea Dhimokratia, vuri në dukje siç tha ai, “rëndësinë e arsimimit në pjesën e Vorioepirit si mbrojtje ndaj kulturës greke”.

Sakaq, Makis Voridhis, deputet i Athinës për partinë LAOS, theksoi atë që e cilësoi nevojë e vendosjes së çështjes së minoritetit grek që edhe ai e quajti Vorioepir, në axhendën dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë me qëllim mbrojtjen e minoritetit duke aplikuar siç sugjeroi ai, politikë më pak tolerante ndaj Shqipërisë.

Në këtë takim, fjalën e ka marrë më pas, kryetari i OMONIA dhe kryetar i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano e pas tij, kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

Që të dy, njëzëri, deklaruan se vrasja e Aristotel Gumës nuk është një incident i izoluar, por maja e shovinizmit shqiptar që është rritur kryesisht në të rinjtë shqiptarë.

e.r/NOA

{youtube}IifKz-DrjdQ{/youtube}

Gjykata shpalli masat e sigurise per te dyshuarit:

Gjykata e Vlorës ka dhënë sot, masën e sigurisë, arrest me burg për Ilir Mukën, të riun që aksidentoi Aristotel Gumën tre ditë më parë në Himarë kurse me heret edhe per te dyshuarit e tjere qe ishin arrestuar nje dite pas ngjarjes.

Masa e sigurisë është dhënë në bazë të pretencës që ka kërkuar Prokuroria, duke e akuzuar Mukën për vrasjen e 35 vjeçarit Guma.

Ndërkohë që prokurori i çështjes ka kërkuar për gjashtë të rinjtë e tjerë, ndëshkimin me 5 milionë lekë gjobë dhe për dy prej tyre nga një muaj burg.

20 vjeçari, Ilir Muka u dorëzua në policinë e Vlorës pasi u fsheh 3 ditë në një zonë të Himarës.

Fotot

KOMENTE