English

Norvegjia: Kosovarët të rikthehen në vendin e tyre!

Prishtinë, 15 tetor, NOA – Kosova duhet të pranojë qytetarët e saj që jetojnë ilegalisht në Norvegji, për të jetuar sërish në vendin e tyre. Ky është thelbi i marrëveshjes për riatdhesim që u nënshkrua paraditen e sotme në Prishtinë mes ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadorit të Norvegjisë në Prishtinë, Sverre Johan Kvale, mbi qytetarët. të cilët nuk e kanë të rregulluar statusin legal të qëndrimit në vendin nordik.

Mësohet se nga ana e tij, ministri Rexhepi ka shprehur qëndrimin se presin që Norvegjia duke i ditur kapacitetet e vogla absorbuese të Kosovës, nuk do të kthejë një numër të madh të qytetarëve pa bashkëpunim me institucionet kosovare.

Prandaj, sipas tij, kjo marrëveshje është një bazë e mirë që të mendohet edhe në lidhje me punësimin sezonal të punëtorëve kosovarë, duke e ditur se niveli i papunësisë në vend është mjaft i lartë.

“Kjo bazë legale e cila nuk lejon qëndrim ilegal të qytetarëve tonë mund të krijojë parakushte dhe premisa të mira që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, eventualisht me homologët e tyre, të nënshkruajnë edhe ndonjë marrëveshje në të ardhmen, për punë sezonale që do të ishte një gjë shumë e mirë”, shtoi ministri Rexhepi.

Ndërsa ambasadori norvegjez, Sverre Johan Kvale tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një pikë e rëndësishme e lidhjes në mes Norvegjisë dhe Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE