Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Revolucioni po ndodh
English

Revolucioni po ndodh

Sot ka një revolucion dhe ky revolucion është sektori i shërbimeve. Qytetari duhet të ketë të drejtën të përzgjedhë. Kjo do të thotë se gara midis sektorit publik dhe atij privat është një garë e ashpër, e nxehtë dhe jashtëzakonisht e dobishme

Nga Prof. Dr. Sali Berisha

Në performancën e një sistemi shëndetësor, në shëndetin në tërësi, gërshetohen një seri faktorësh, të cilët në mënyrë të pazgjidhshme lidhen me financat dhe burimet financiare. Por është e vërtetë se po kaq përcaktues sa vetë financat është dhe menaxhimi, duke mbajtur parasysh këtë në vendet tona, të cilat vijnë nga një e shkuar me sisteme shëndetësore të falimentuara ose pothuajse të falimentuara në raportin e cilësisë.

Kjo para së gjithash dhe mbi të gjitha ka ndodhur për shkak të menaxhimit. Në Shqipëri sistemi shëndetësor u përball me pasoja jashtëzakonisht të rënda të urisë kronike, çka nuk ka qenë rasti në dy vendet e tjera; u përball me pasojat e sëmundjeve të rënda të deficencës, sëmundje të cilat ishin zhdukur nga faqja e dheut një shekull më parë.

Duke theksuar këto unë nuk mund të mos përgëzoj të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor në Shqipëri, të cilët me shpejtësi dhe përkushtim ia dolën të rivendosin baza të reja këtë sistem; ia dolën ta riorientojnë sistemin në tërësi dhe të bëjnë të mundur që të përballet me sfidat e mëdha të kohës.

Vetëkuptohet që jetëgjatësia është një tregues kompleks, por fakti është fakt dhe jetëgjatësia në Shqipëri është rritur nga 71 - 72 vjet arrin sot në 77.96 vite. Këtu, në mënyrë të padiskutueshme, bluzëbardhat e Shqipërisë kanë kontributin e tyre.

Shqipëria renditet lartë në vdekshmërinë amtare, lë pas disa vende të zhvilluara, të cilat për nga mundësitë janë të pakrahasueshme me Shqipërinë, por Shqipëria ka një organizim dhe menaxhim, nuk them të përkryer, por të admirueshëm të shëndetit të gruas shtatzënë.

Shqipëria nuk është aty ku duhet të jetë për sa i përket vdekshmërisë foshnjore, por unë kam besim të madh se dhe në këtë tregues, pas një përqendrimi më të madh, mundësitë janë shumë të mëdha për ta pasur atë në nivelet më të ulëta.

U ndala tek këta tregues që dëshmojnë suksesin e një përpjekje të punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri. Duke theksuar këtë, duke e konsideruar veten koleg tuajin, sërish dua të them se jemi në hapat e para dhe do të arrijmë në rast se do të përsërisim çdo ditë dhe në çdo orë në mendjen tonë fjalën dhe konceptim e menaxhimit.

Ne nuk jemi më një vend i varfër, hiqeni nga mendja këtë. Ne jemi një vend me të ardhura të mesme të larta. Në mendjen tonë ka mbetur Shqipëria e varfër, por e vërteta është se Shqipëria është tjetër.

E theksoj këtë, sepse ne nuk na mungojnë burimet financiare për të mbështetur sistemin shëndetësor, por ne duhet të gjejmë të gjitha rrugët për mobilizimin maksimal të fondeve në drejtim të mbrojtjes dhe zhvillimit të shëndetit, në drejtim të trajtimit më modern të sëmundjes, të parandalimit të tyre.

Ne jemi një shoqëri e lirë, e bazuar në iniciativën e lirë. Çfarëdo që të bëjë buxheti i shtetit, qoftë edhe buxheti i vendit më të pasur në botë, nuk mund të përmbushë nevojat e këtij sistemi në rast se nuk arrijmë të përthithim në interes të shëndetit dhe sëmundjes fonde nga ai sektor, para të cilit qeveritë janë lilipute, nga sektori privat; në rast se nuk arrijmë të edukojmë qytetarin të shpenzojë për shëndetin; në rast se nuk arrijmë të bindim atë se shëndeti duhet të jetë përparësi e tij çdo ditë; në rast se nuk arrijmë t’i krijojmë lehtësirat maksimale qytetarit për zhvillimin e shëndetit të tij.

Ne këtu në tërësi jemi njerëz publik, flasim për një sistem publik, jemi përgjegjës për sistemin publik, kjo nuk ka diskutim sepse ne mbajmë përgjegjësi direkt, por ne do mund ta trajtojmë këtë sistem, do mund ta menaxhojmë këtë sistem, vetëm duke mësuar nga sektori privat.

Ne duhet të pranojmë se aty janë, dhe jo në sektorin publik, menaxherët më të shkëlqyer. Nuk do të thosha se ne do të ecim drejt një privatizimi total. Ne do të ruajmë sektorin publik. Ne do të zhvillojmë sektorin publik të shëndetësisë, por ne duhet të mësojmë me vendosmëri të madhe në menaxhim nga sektori privat. Duhet të vendosim një partneritet të ndershëm ndaj këtij sektori.

Sot ka një revolucion dhe ky revolucion është sektori i shërbimeve. Qytetari duhet të ketë të drejtën të përzgjedhë. Kjo do të thotë se gara midis sektorit publik dhe atij privat është një garë e ashpër, e nxehtë dhe jashtëzakonisht e dobishme.

Ne jemi një vend që një industri e tërë toksike që shtrihet nga Kukësi në Gjirokastër falimentoi së bashku me sistemin. Dhe si President i viteve ‘90 ndihem shumë i lehtësuar dhe krenar që nuk bëra asnjë përpjekje me qeverinë time për ta ringjallur atë. Ajo ishte jashtë të gjitha standardeve.

Por vendi çdo ditë ecën drejt industrializimit. Industrializimi i vendit është një proces i pashmangshëm. Është e rëndësishme që ky proces të ndodhë, por mjedisi të cilin e kemi në limite të pranueshme dhe që duhet ta përmirësojmë gjithnjë e më shumë, si kush kryesor për shëndetin e njerëzve, duhet të mbrohet dhe duhet të jetë përparësi madhore.

Ju, të dashur miq të mijtë, keni përgjegjësi të mëdha për mbrojtjen e mjedisit. Një institut i tërë, ndër më të mëdhenjtë, është i vendosur në këtë sistem. Mos mendoni ju se ka specialistë më të mëdhenj mjedisi sesa ekspertët e shëndetit publik. Jo, ata janë ekspertë të parë të mjedisit. Duhet të kenë vetëdije për të qëndruar në lartësinë e këtij roli.

Qeveria është e angazhuar në një proces reformash të këtij sistemi që janë dhe reformat më të vështira. Një taskforcë është krijuar. Kjo taskforcë mblidhet jo rrallë në zyrën time. Kjo taskëforcë do të fillojë të mblidhet tani në spitalet tuaja, në klinikat tuaja, në institucionet tuaja, në mënyrë që reformën shëndetësore ta bëjmë së bashku.

T’i besojmë asaj, t’i përkushtohemi asaj me vetëdijen se është më vështira nga të gjithë reformat tjera, por edhe më jetikja, më e rëndësishmja për një shoqëri të lirë.

Edhe një herë ju uroj suksese dhe ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë fuqishëm në përpjekjen tuaj për t’u përballur me sukses të plotë me sfidat e sistemit shëndetësor.

* Fjala e mbajtur sot në punimet e Konferencës Ndërkombëtare Shkencore me temë “Menaxhimi – Sfidë Kryesore e Sistemit Shëndetësor”, e organizuar në bashkëpunim nga ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë dhe ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë

KOMENTE