English

Faqen e zezë paçin!

Një xhest i turpshëm ndodhi këto ditë në Prishtinë – u hoq flamuri ynë kombëtar

Nga Përparim Demi

Nuk e di se çfarë arsyesh dhe çfarë justifikimi mund të kenë ata shqiptarë që kryen këtë xhest të ulët që fyejti një komb të tërë, por unë nuk besoj se mund të ketë arsye reale për një shqiptar që ti mohoj të drejtën e simbolit kombit tonë. Në Kosovë, në këtë tokë shqiptare, të banuar kryesisht nga shqiptarë, ku për këtë simbol është derdhur gjaku lumë me shekuj, ndodhi gjëja më e pabesueshme që mund të ndodhte – u poshtëruam para gjithë botës duke hequr në mënyrë demonstrative simbolin tonë më të lartë.

Pa përmëndur Skënderbeun, po me çfarë flamuri doli Isa Buletini, Oso Kuka, Azem Galica, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Cerciz Topulli, Ismail Qemali, Selam Musai, me çfarë flamuri luftuan partizanët tanë për çlirim, me çfare flamuri luftoi UÇK-ja dhe Adem Jashari për çlirimin e Kosovës??? lista është shumë e gjatë që përmbledh shumë shekuj dhe tërë nahijet e Shqipërisë, nga Pllava e Gucia e deri në Prevez. Lidhja e shqiptarëve u bë në Prizren, ku valoi flamuri ynë kuq e zi dhe e pa gjithë bota. U valvit në Çamëri në Konispol, u valvit në Kaçanik, ku ranë bijtë më të mirë të kombit tonë. Të heqish flamurin tonë në mesin e Shqipërisë (në Prizren) është njësoj si të shkelësh mbi gjakun e dëshmorëve tanë, pikërisht në kohën kur është akoma në diskutim pavarësia e tokave tona në veri e në lindje.

Faqen e zezë paste ata që na vunë këtë njollë e na bënë me turp. Çfarë deshën të tregojnë me këtë xhest të huajve Mos vallë ua kërkoi dikush këtë gjë? Akoma duhet të fshehim simbolet tona para të huajve se mos u prishet mideja dhe u pritet oreksi. Sa do vazhdojmë të mohojmë veten dhe të poshtërojmë kombin për tu bërë qejfin kujt Sërbit? Grekut Mos vallë ngritja e flamurit shqiptar pengon fillimin e negociatave serbo-kosovare A egziston një kusht i tillë Nëse është ashtu domethënë se serbët do diskutojnë ”çështjet teknike” nga pozita e një shteti që hyn në negociata me një koloni të tij që ka ngritur krye, dhe do lëshoj diçka perin, por jo dhe lirinë, pavarësinë e kolonisë së pabindur. Dhe këtë e bën nga pahiri, pasi ndërhynë të mëdhenjtë e botës e i vunë stërkëmbshin. Por ky është problemi i tyre, problemi jonë është – ne si do shkojmë të ulemi në bisedime Do ulemi në gjunjë, apo përdhe? Me simbolet tona apo me ato të serbit?

Për Europën nuk ka rëndësi si do zhvillohen këto bisedime, veç të bëhen, që të kalojnë në pikën tjetër të rendit të ditës. Pra po filluan bisedimet, çdo gjë është në rregull edhe sikur këto bisedime të vazhdojnë një shekull, edhe sikur shqiptarët të mbeten të varur prej serbit si në ekonomi dhe në politikë, nuk ka problem po bisedohet, mund ta pranojnë Serbin të qetë në BE, se ajo i plotësoi kushtin – po bisedon me shqiptarët pa flamur.

”E ku na i shpie mushka drutë” thotë një fjalë e urtë popullore, çi gënjen mëndja cave, se duke ulur kokën, duke hequr flamurin kombëtar, do ti lavdëroj kush? Përkundrazi kjo ishte një provë, që i tregoi serbëve se me këta mund të ”bisedojnë”, pasi këta ( pa flamur) mund të pranojnë shumë gjëra, shiten kollaj. Po qe se bëhet fjalë për tregti, kush shet dhe kush blen, çfarë shet dhe çfarë blen? Mos vallë për këto punë do bisedojnë-a Në qoftë kështu, edhe një herë faqen e zezë paçin, por kjo punë nuk mbetet me kaq. Ndal o beg se ka hendek, se dardha e ka bishtin mbrapa.

Bukuresht, 16.10.2010

KOMENTE