English

Të gjithë në një zë: Kosova në krizë institucionale

Prishtinë, 16 tetor, NOA – Kosova tashmë është futur në një krizë institucionale dhe këtë e pranojnë thuajse të gjithë faktorët politikë të shtetit më të ri të botës.

Dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiu dhe rënia e qeverisë pas daljes nga koalicioni i Lidhjes Demokratike (LDK) ka shkaktuar një krizë të vërtetë, fakt ky që është pohuar si nga partia qeverisëse PDK, por edhe nga vetë opozita.

Kjo e fundit, përfaqësuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), rënien e qeverisë e konsideron si përfundim të natyrshëm të një koalicioni të panatyrshëm, i cili i tillë ishte ndërtuar qysh në vitin 2008.

“AAK, ashtu si në vazhdimësi, edhe sot vlerëson se ‘Qeveria Thaçi’ ka qenë qeveria më e keqe që ka pasur Kosova, qeveria që i ka sjellë vetëm dëme vendit dhe të gjitha proceseve nëpër të cilat kemi kaluar në këtë periudhë”, ka deklaruar nënkryetari i AAK-së Blerim Shala.

Ndërsa zv/kryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës u futi vendin në krizë, me vendimin e saj për të dalë nga koalicioni qeverisës.

“Momentalisht vendi është në krizë institucionale. Nuk ka nevojë që të shkojë më tutje. Tani duhet të dalë nga kjo krizë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë dalje nga kriza sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Kuçi.

n.e/NOA

KOMENTE