English

Elbasan, vrasësi serial Haki Miska përballet me tri vrasje dhe një të mbetur në tentativë

Elbasan, 18 tetor, NOA - Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj të dyshuarit Haki Miska, i cili vrau me sopatë nënën e tij dhe plagosi të bijën në fillim të muajit shkurt të këtij viti.

Prokuroria bën të ditur se Haki Miska në 4 shkurt të këtij viti në orën 17.30 kishte goditur me sopatë nënën e tij 66 vjeçare Dile Miska e cila gjeti vdekjen në vend si dhe plagosi të bijën 21 vjeçare Besjana Miska.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Përvallë të komunës Lunik të Librazhdit.

Gjatë hetimit të çështjes rezultoi se në vitin 1995 shtetasi Haki Miska kishte vrarë gruan e tij Mimoza Miska, të cilën pas vrasjes e kishte varrosur në një arë poshtë banesës së tij.

Haki Miska pas vrasjes kishte përhapur fjalë se gruaja e tij, Mimoza Miska ishte larguar në shtetin Grek.

Prokuroria bën të ditur se vendi ku kishte varrosur gruan e tij dhe kufoma e saj u gjet në 14 shkurt të këtij viti, pasi Haki Miska kishte vrarë të ëmën me sopatë.

Mësohet se Haki Miska në vitin 1995 ka rrahur për vdekje shtetasin Gani Bruku, i cili ka vdekur në spitalin Ushtarak të Tiranës më datë 08.07.1995, ndërkohë që Haki Miska kishte deklaruar si alibi se Gani Bruku kishte rënë nga një kumbull.

Hetimet e procedimit penal ndaj Haki Miskës përfunduan në 15 tetor dhe i pandehuri Haki Miska akuzohet tashmë për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në dëm të viktimave Dije Bruku, Mimoza Miska dhe shtetases Besjana Miska, vrasje e mbetur në tentativë.

Kjo çështje ka patur interes të vazhdueshëm publik, për shkak se i pandehuri Haki Miska është vrasës serial.

mit/NOA
KOMENTE