English

Festivali i Teatrove në Ferizaj, bëhet mbarëkombëtar

Ferizaj, 18 tetor, NOA/ Milena Selimi - Në Festivalin e Teatrove të Kosovës në Ferizaj, në jubileun e 40-të të tij marrin pjesë teatro nga të gjitha trojet shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.

Festivali ka nisur nga data 15 tetor, ku për shtatë ditë rresht do të jepen nëntë shfaqje, prodhime të teatrove të trojeve shqiptare. Në edicionin e sivjetmë ky festival vishet me petkun mbarëkombëtar me bindjen se shfaqjet nga trojet shqiptare do t’i japin peshën e veçantë festivalit, që konsiderohet si një më të vjetrit në rajon.

Shfaqjet në këtë festival do të kenë karakter garues dhe në çdo mbrëmje do të mbahen edhe tryezat debatuese, ku do të ngrihen shumë çështje mbi shfaqjet, si dhe mbi zhvillimet teatrore në veçanti.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Naim Ferati, thekson për mediat se “Drejtoria nuk ka qenë dorështrënguar për këtë festival, pasi një aktivitet i tillë nderon kulturën e Ferizajt”. Këtë festival e ka mbështetur edhe Ministria e Kulturës dhe donatorë të tjerë.

Shfaqja “Ah, veshkat e mia” me tekst të Babis Cikliropulos dhe regji të Ben Apolloni, produksion i teatrit “Adriana”, Ferizaj ishte shfaqja që hapi garën. Ndërkaq, do të marrin pjesë edhe teatri i Prizrenit, “Dodona”, teatri i Kumanovës me shfaqjen “Kufomat e gjalla”, një dramë ekzistenciale, me regji të Zijadin Murtezit dhe në interpretimin e aktorëve Musa Isufi, Mendim Murtezi dhe Sefedin Shabani.

“Kufomat e Gjalla” është një ndër premierat e rralla në gjuhën shqipe që është shfaqur më 20 shtator 2008 në Qendrën për Kulturë në Kumanovë, qytet, i cili, shumë shpejt do të mundet të ketë një teatër shqiptar të fjalës.

Gara do të vazhdojë me teatrin e Preshevës që vjen me dramën “Revolja”, pjesë e shkruar nga dramaturgu bullgar, Gabor George, me regji nga Kastriot Saqipi, teatri i Shkodrës, pastaj Akademia e Arteve e Tiranës, Teatri “Metropol” i Tiranës, me shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta”, me aktorët Lulzim Zeqja, Luli Bitri dhe Neritan Liçaj.

Teatri i Gjilanit do ta mbyllë këtë festival me “Sakati nga Inishmani” në regji të Ilir Bokshit. Yllka Mujo, Mehmet Kraja dhe Elmaze Nura, janë treshja e jurisë së festivalit.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE