English

Platini nesër në Tiranë, për 80-vjetorin e FSHF

Tiranë, 18 tetor, NOA – Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, viziton nesër Tiranën për të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa bëhet me dije se gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar ai do të takohet edhe me kryeministrin Berisha, presidentin Topi dhe ministrin Xhaferaj, për çështjen e stadiumit "Qemal Stafa".

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të ministrisë së Sporteve për agjencinë e Lajmeve NOA, duke shtuar se në të njëjtën kohë, nesër në Gjenevë do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të selisë së re të UEFA-s ku do të jenë prezentë drejtuesit e tërë federatave të Europës.

Me këtë rast, do bëhet dhe ratifikimi i anëtarësimit të Shqipërisë në “UEFA Grassroots Charter”, e cila është një lëvizje e drejtuar nga UEFA për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për kultivimin e talenteve te reja dhe përhapjen sa më të gjerë të futbollit në brezin e ri.

Ndërkaq, ceremonitë e parashikuara në Tiranë të fillojnë me inaugurimin e një objekti sportiv të ndërtuar me projekte të UEFA-s në Tiranë, mbarojnë me një darkë gala në Pallatin e Brigadave, ku do jetë i ftuar nderi vetë Mishel Platini.

Kjo është hera e dytë që ai viziton Shqipërinë, pas një vizite në vitin 2006, për të marrë pjesë në inaugurimin e fushës së futbollit të shkollës “Hasan Vogli” në Tiranë.

n.e/NOA

KOMENTE