English

Berisha: 100-vjetori i Pavarësisë, do na gjejë me stadium të ri

Tiranë, 19 Tetor, NOA – “Ne do të bëjmë çdo gjë që në 100-vjetorin e pavarësisë të inaugurojmë stadiumin e ri, në shenjë respekti për plejada të tëra futbollistësh, për gëzimin, kënaqësinë dhe krenarinë që ata i dhuruan sportdashësve shqiptarë, si edhe një dëshmi e angazhimit tonë për një të ardhme të shkëlqyer të futbollit shqiptar”.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë takimit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me rastin e 80-vjetorit të krijimit të saj.

“Ju vini në këtë përvjetor pasi i keni dhënë futbollit, Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndjenjë të madhe krenarie me lojërat tuaja të bukura, në fushat dhe stadiumet e Shqipërisë, Evropës dhe të mbarë botës; ju vini në këtë 80-vjetor pasi i keni dhënë futbollit yje të pashuara në historinë e tij shqiptare dhe më gjerë; ju vini në këtë 80-vjetor pasi ia keni dalë me lojërat tuaja të bukura të mbushni me gëzim dhe me krenari zemrat e të rinjve shqiptarë që ju ndjekin kudo me aq admirim, në fushat e Evropës dhe kudo që ju luani”, tha Berisha.

Duke shtuar se në periudhat e izolimit të thellë shqiptarët, aq sa u lejohej, ndoqën me admirim ndeshjet tuaja me ekipe të vendeve të tjera.

“Një vit, diktatori i tmerruar nga kjo do të vetëpërjashtonte Shqipërinë nga këto aktivitete. Ai mendoi se në këtë mënyrë do të fitonte betejën. E vërteta është se stadiumet u kthyen në qendrat e para në të cilat rinia shqiptare duke brohoritur për ju, që sot të jeni këtu me dashuri dhe respekt, lëshoi sloganet e fuqishme kundër diktaturës dhe u përball me falangat e saj, vetëm e vetëm për të dëshmuar se shpirti i lirë i të rinjve shqiptarë nuk mund të mposhtet në asnjë mënyrë”, tha më tej Berisha.

Duke përfunduar se futbolli shqiptar është në një proces suksesi gjithnjë e më të madh, por ai është një futboll me të ardhme të shkëlqyer.

n.e/NOA

KOMENTE