English

Liberalizimi i vizave, gjithçka vendoset më 8 nëntor

Bruksel, 19 tetor, NOA - Vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën përfundimisht do të miratohet më 8 nëntor, shkruan sot gazeta boshnjake “Nezavisne Novine”, duke u thirrur në burime diplomatike pranë BE-së.

Sipas saj, hyrja në fuqi e këtij vendimi do të ndodhë më së voni pas 20 ditëve. Gazeta shkruan se Franca, Gjermania dhe ndonjë vend tjetër anëtarë mund të kërkojë garanca plotësuese për këto dy vende, me qëllim të shmangies së fluksit të madh të qytetarëve shqiptarë dhe boshnjak drejt vendeve të BE-së.

“Nezavisne Novine” bëjnë të ditur se në takimin e punës të fundit për liberalizimin e regjimit të vizave në Këshillin e BE-së, garancitë plotësuese më së shumti janë kërkuar për Bosnjë-Hercegovinën.

« Ky takim është i natyrës teknike, ku nuk janë miratuar vendime, mirëpo ai është i rëndësishëm për shkak se aty harmonizohen qëndrimet mes të gjitha vendeve anëtare », shkruan gazeta.

Sipas saj, janë përjashtuar edhe informacionet se vetëm Shqipëria mund të përfitojë shengenin e bardhë, duke përjashtuar Bosnjë-Hercegovinën.

“Bosnja është në pako me Shqipërinë. Mirëpo, ka shumë gjëra që Bosnja është më keq se Shqipëria”, ka theksuar një diplomat evropian.

NOA-INA

KOMENTE