English

Nis marshimi në Rrugën e Paqes, me pllaka të firmosura nga 28 presidentë të botës

Tiranë, 19 tetor, NOA – Qytetarët e Tiranës, së bashku me personalitet të larta të politikës vendase, kanë nisur para pak minutash ecjen e lirë në atë që prej ditës së sotme, do të mbajë emrin "Rruga e Milleniumit për Paqen".

E ndodhur në afërsi të Liqenit Artificial, pranë Gardës së Republikës, ajo është mjaft e veçantë, pasi përmban gjatë saj, pllaka mbishkrimesh nga 28 presidentë të botës për paqen, në nderim të jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës.

Në këtë mënyrë, ky ka qenë një mesazh simbolik që iu është dhënë qytetarëve shqiptarë në përvjetorin e shtatë të Lumturimit të Nënë Terezës.

Bëhet fjalë për një rrugë të gjatë prej 4 kilometrash, e cila përshkohet nga pllaka të vendosura gjatë saj, nga 28 shtete të botës si Estonia, Çekia, Sllovenia, Italia, Kroacia, Sllovakia, Qipro, Portugalia, Nigeria, Peruja, Libani, Bahraini, Ekuadori, Kazakistani, Lituania, Rumania, Turqia, Bangladeshi, Panamaja, Vatikani, Letonia, Egjipti, Kosova, Austria, Gjermania, Zvicra, Hungaria dhe Maqedonia.

Ceremonia e inaugurimit të kësaj rruge është zgjedhur të organizohet pikërisht sot, kur mbushen plot 7 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës, ditë kur ajo u lumturua nga Papa Gjon Pali II “Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë dhe duke qenë personi i parë për të cilën u reduktua kjo procedurë nga Vatikani.

Që atëherë, kjo datë përkujtohet përvit në Shqipëri, si një festë, e cila gjithashtu përmbyllë edhe aktivitetet e mbështetura prej ministrisë së Kulturës, në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe, arsye për të cilën ky vit u quajt prej këtij dikasteri edhe si “Viti i Nënë Terezës”.

n.e/NOA

KOMENTE