English

Vrasja e Alma Stafës, gjykata në Rodos të Greqisë dënon të shoqin me 12 vjet burg

Rodos, Greqi, 19 Tetor 2010 NOA – Dymbëdhjetë vjet heqje lirie vendosi gjykata e ishullit Rodos në Greqi për 41 vjeçarin Refik Sulejman Stafa, që ju dalloni në foto, i arrestuar shtatorin e vitit të kaluar për vrasjen e 29-vjeçares Alma Hamit Stafa, bashkëshortja e tij me të cilën kishin dy fëmijë.

Bashkëshorti që akuzohet se i mori jetën gruas së tij në ishullin grek Rodos, ka pranuar në gjykatë se ishte ai që i mori jetën Almës, ndërsa ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, e cila ishte e ndryshme nga ajo e policisë dhe prokurorisë. Sipas Refik Stafës, vrasja ishte e paplanifikuar, e nxitur në kushte të vetëmbrojtjes për shkak se ishte sulmuar nga e shoqja me thikë dhe ardhur në kushte të tronditjes së thellë psikologjike.

Kurse policia dhe prokuroria e akuzuan për vrasje me dashje.

Gjykata, pas pretencës së prokurorit të çështjes, e cila u pranua dhe prej avokatit mbrojtës Aleksandris Stelios, vendosi të pranojë kthimin e akuzës nga vrasje e qëllimshme në një gjendje të qetë mendore, në vrasje të ardhur në kushtet e tronditjes psikike, në rrethana të çastit të paplanifikuara.

Në këtë mënyrë, i pandehuri mori 12 vjet burgim nga 20 vjet që kërkoi prokurori i çështjes.

Sipas vendimit të gjykatës, 12 vitet e burgut duhet të bëhen të plota dhe i dënuari nuk ka të drejtë apelimi dhe as rishikimi të kohës së burgimit për asnjë arsye, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Gjatë procesit gjyqësor u morën në pyetje shumë dëshmitarë. Një pjesë e tyre e cilësuan të pandehurin si njeri të qetë, që s’kishte nxjerrë ndonjëherë më parë probleme me askënd.

Edhe një punonjës policie që dëshmoi në proces, tha se i asistuar gjatë hetimit menjëherë pas ngjarjes, kishte arritur në përfundimin se vrasja erdhi pas një sherri, në kushte gjaknxehtësie dhe pa paramendim.

Çfarë ka ndodhur

Më 25 Gusht 2010, policia hyn në banesën e familjes Stafa ku gjen të vrarë me thikë 29-vjeçaren Alma Stafa. Disa ditë më vonë, hetimet e lokalizuara tek i shoqi çuan në kapjen e tij dhe dërgimin në qeli. Arma e krimit, një thikë kuzhine, nuk është gjetur ende.

Deklarimet e të akuzuarit për vrasjen

I pandehuri këmbënguli se ajo që ndodhi ishte diçka krejt e paparashikuar dhe theksoi se akoma dhe sot ai nuk është në gjendje të kujtojë se çfarë ndodhi gjatë minutave fatale të vrasjes së të shoqes. “Ne erdhëm në ishullin Rodos me qëllimin që të gjenim një shtëpi dhe punë, për t’i dhënë familjes time një jetë më të mirë”, - ka deklaruar në fjalën e fundit para gjykatës, i pandehuri Refik Stafa, në praninë e avokatit të tij Stelio Aleksandriou, duke bërë një rrëfim të gjatë mbi vrasjen e 25 gushtit 2009 dhe arratinë që zgjati deri më 4 shtator 2009, duke këmbëngulur se u detyrua t’i merrte jetën të shoqes pa dëshirën e tij.

I akuzuari ka deklaruar në rrëfimin e tij se ai u shtrëngua ta vrasë të shoqen në momentet kur ajo e sulmoi me thikë.

“Unë u gjenda në orë te keqe kur ndodhi ngjarja. Në të vërtetë as që e mendoja ta vrasja Almën. Gjithçka erdhi krejt rastësisht, kur ajo mu sul me një thikë dhe me të më lëndoi në dorë”, - ka nisur rrëfimin e tij 41 vjeçari Refik Stafa.

“Kishte disa kohë që ime shoqe Alma, me të cilën kemi një djalë dhe një vajzë, po bëhej gjithnjë dhe më e padurueshme. Kërkonte para dhe këtë e bënte shpesh. Për më tepër më quante dështak dhe fatkeq, duke qenë gjithmonë e pakënaqur nga paratë që i jepja e duke më kërkuar gjithnjë e më shumë. Madje herët e fundit edhe po më kërcënonte, thoshte se do më denonconte në polici që të më riatdhesonin. Këtë gjë nuk e duroja dot dhe nisa të kisha frikë. Në fakt unë jam arrestuar një herë më parë, për mospasje leje qëndrimi dhe një herë e dytë në pranga do të bënte që të më përzinin në Shqipëri”.

Duke ardhur në ditën e ngjarjes, më 25 gusht 2009, Stafa vazhdon rrëfimin: “Vajta në shtëpi pasdite dhe pashë që Alma ishte vetëm. Pyeta ku ishin fëmijët dhe më tha që i kishte marrë vëllai për një xhiro.

U ula dhe po prisja të ktheheshin fëmijët, kur ajo nisi të çirrej siç bënte shpesh. E filloi me fjalën dështak e duke i kërkuar “zhduku nga Rodos, mos të shoh më këtu” e për të vazhduar me kërcënimin se do tregonte në polici që isha pa letra.

Në ato momente iu afrova duke i thënë “Qetësohu”, por këtu çdo gjë mori të tatëpjetën. Alma u irritua më keq dhe bërtiti: “Tani do të zgjidhet problemi bashkë me ty, një herë e përgjithmonë”. Menjëherë më pas, mu vërsul me një thikë që mori te kuzhina dhe tentoi të më qëllojë në bark. Unë vura dorën përpara dhe më preu. Në këto çaste m’u errën sytë dhe asgjë nuk po kontrolloja dot. I mora thikën nga dora dhe e qëllova. Dy herë në shpatull dhe dy herë të tjera më fyt”, - tregoi 41-vjeçari i akuzuar.

Në përfundim të dëshmisë së tij, Stafa këmbëngul se vrasja nuk ishte e paramenduar dhe shton se kurrë nuk i kishte shkuar mendja të kryente atë krim, për më tepër në mes të ditës dhe me komshinjtë aq afër.

Gjithsesi, dëshmia e Stafës ka ende pika të paqarta, ku kryesorja është mungesa e armës së krimit, thika, për të cilën i dyshuari ende nuk ka treguar se ku ndodhet duke u mjaftuar të thotë se e kishte flakur diku dhe nuk e mbante mend se ku.

Rrëfimi pas arrestimit

Policia greke ka arritur të vërë në pranga 41-vjeçarin shqiptar, disa ditë pasi vrau të shoqen Alma Stafa. Arrestimi i 41-vjeçarit, u bë nga sektori i krimit ndaj personit të Policisë së Shtetit në Athinë. Policia shprehu habi për faktin se i dyshuari u arrestua pas dhjetë ditë kërkimesh, pikërisht pranë vendit të vrasjes, në Afandu.

Pas prangosjes pa kryer rezistencë 41-vjeçari tregoi se gjatë këtyre ditëve ka qëndruar i fshehur në pyllin pranë vendbanimit dhe pohoi se iu afrua banesës ku jetonin deri para disa ditësh e ku tani qëndronin fëmijët e tij njëri 7 dhe tjetri 3 vjeçar, nën kujdesin e dajës së tyre (vëllai i gruas që ekzekutoi).

Emigranti tregoi se çdo natë ndërronte vend ku qëndronte, në fshatrat përreth zonës ku kishte jetuar me familjen e tij.

"Më kishte marrë malli për dy fëmijët e mi dhe nuk rezistova dot, u afrova në lagje për të parë bijtë e mi", - ka deklaruar 41-vjeçari për policinë.

Por malli rezultoi "kurth" për shqiptarin i cili është dalluar nga fqinjët dhe këta menjëherë lajmëruan policinë.

Në momentin e arrestimit, të dyshuarit iu gjetën dhe një palë rroba që pohoi se i mbante me vete për t'i ndërruar në rast se pikasej.

I dyshuari, para prokurorit pranoi se e kishte vrarë ai gruan, ndërsa paraqitej ende me shenja të dorës së lënduar. Kurse tregoi se thikën me të cilën qëlloi katër herë të shoqen, e kishte hedhur por nuk i mbahej mend se ku saktësisht.

Ngjarja, sipas policisë

Gruaja 29-vjeçare shqiptare, Alma Hamit Stafa, nënë e dy fëmijëve të mitur, emigrante në Greqi, humbi jetën më 25 gusht të këtij viti, pasi u qëllua fatalisht me thikë. Ngjarja ndodhi në ishullin turistik Rodos në Greqi dhe policia deklaroi se po hetonte mundësinë e vrasjes së 29-vjeçares nga i shoqi, për motive xhelozie.

Familja shqiptare, jetonte në qytezën Afandu të Rodosit, në një banesë me qira ku edhe u gjet e vdekur, Alma Stafa.

E ndjera, kishte pak kohë që jetonte në Rodos ku edhe kishte nisur punën në një biznes turistik.

Krimi ndodhi në momentet kur dy fëmijët e çiftit kishin shkuar në plazh me dajën e tyre.

Gruaja e re, u gjet e përgjakur në banesë, nga vëllai i saj i cili menjëherë njoftoi policinë, ndërsa u përfshi nga një gjendje shoku pas skenës me të cilën u përball.

Policia tha se viktima ishte therur me thikë. Autori, që doli se ishte i shoqi, e kishte qëlluar gruan në shtyllën kurrizore duke i shkaktuar dëmtim të pariparueshëm të organeve jetësore, me pasojë vdekjen e 29-vjeçares, pak çaste pas marrjes së plagëve të rënda.

Policia tha se të gjitha provat dhe dëshmitë të çonin në një krim brenda familjes duke hetuar përfshirjen e bashkëshortit të të ndjerës në vrasjen e saj për motive xhelozie.

n.s/e.l/NOA

Ndalohet riprodhimi i plote ose i pjesshëm pa u cituar burimi NOA

KOMENTE