English

Jakup Krasniqi: Vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme!

Prishtinë, 20 Tetor, NOA – Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rruga për shkurtimin e krizës institucionale që aktualisht ka përfshirë Kosovën, por vendimi për to varet nga konsensusi politik.

Një fakt të tillë e ka deklaruar ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sipas të cilit, duhet pranuar se vendi është në krizë institucionale dhe se zgjidhja e së cilës varet nga partitë politike të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës.

“Ka mundësi të shkurtohet kriza institucionale në afat kohor dhe zgjidhja më e mirë që do ta ndërpriste krizën institucionale janë zgjedhjet e parakohshme, për të cilat duhet të vendosin partitë politike që janë në Kuvend. Do të thotë varet cilën rrugë ato do ta zgjedhin. A do të zgjedhin rrugën që e zgjat krizën apo do ta zgjedhin rrugën që e shkurton krizën”, tha ai.

Duke shtuar se pret të ketë reagime të duhura nga të dyja palët, si nga deputetët ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të caktuara me 13 shkurt, ndërsa nga ana e tyre përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, e cilësuan krizë institucionale gjendjen e re të krijuar në vend, duke mos përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Të dyja palët kanë shkëmbyer kritika të rrepta.

n.e/NOA

KOMENTE