English

UGK: Gjendja e mediave në Kosovë, e rëndë

Prishtinë, 20 tetor, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), përmes një deklarate të sotme për shtyp, paraqiti shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, pas publikimit të raportit më të ri për Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2010 të organizatës “Reporterët pa Kufij”, ku ajo renditej në vendin e 92, ndërsa në 2009 renditej në vendin e 75.

“Rënia e lirisë së shprehjes në vendin tonë për 17 vende brenda një viti tregon më së miri se gjendja e mediave në vendin tonë në këtë vit ka qenë shumë më e rëndë”, thuhet në këtë deklaratë të UGK-së.

Duke shtuar se kjo gjendje e mediave është e patolerueshme dhe duhet të intensifikohen përpjekjet për ngritjen e lirisë së shprehjen në mënyrë që Kosova të mos mbetet dhe në këtë fushë prapa vendeve të rajonit.

“Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur vazhdimisht zërin për gjendjen në të cilën po kalojnë mediat, ndërkaq ka bërë kërkesë dhe përsëri kërkon nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtar që të punojnë më shumë në përmirësimin e lirisë dhe shprehjes në Republikën e Kosovës. Duke kërkuar gjithashtu kërkon nga Kuvendi i Kosovës që ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e financimit të Transmetuesit Publik, në mënyrë që mediumi i vetëm publik të jetë në shërbim të qytetarëve, e të pamundësohen ndikimet politike dhe grupeve e interesit mbi të”, përfundon deklarata e UGK-së.

n.e/NOA

KOMENTE