English

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Nuk do shkojmë te tryeza e Berishës

Tiranë, 21 Tetor, NOA – Përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në zbatim të statutit të miratuar nga Asambleja e tij, edhe pse në të kaluarën janë ftuar disa herë, nuk janë bërë pjesë e tryezave politike të organizuara nga parti politike të mazhorancës dhe opozitës.

Ky ka qenë sqarimi i dhënë nga KSSH lidhur me vendimin për mospjesëmarrje në takimin e forcave politike parlamentare dhe të shoqërisë civile, thirrur nga kryeministri Berisha për të filluar punën dhe debatin për shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme.

“KSHH, shpreh falënderimet për ftesën që i është bërë por për korrektesë dhe transparencë e shikon të nevojshme të bëjë publik qëndrimin e tij”, thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Duke shtuar se KSSH e ka parasysh rëndësinë e këtij problemi dhe se ka kohë që po studion me vëmendje të veçantë raportin e OSBE/ODIHR-it, lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

“KSHH, mbështetur në përmbajtjen e këtij raporti dhe në rekomandimet që paraqiten në të, në konstatimet e evidentuara në raportin e KSHH-së lidhur me monitorimin e zgjedhjeve të kaluara, si dhe në disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me këto zgjedhje dhe që janë bërë objekt diskutimi dhe debati, ka filluar nga puna për përgatitjen e një përkujtese me propozime konkrete që mund të shërbenin për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor. Ato do t’i dërgohen Kuvendit (Komisionit të posaçëm parlamentar që do të ngrihet për këtë qëllim), praktikë kjo e ndjekur edhe më parë.

KSHH mendon gjithashtu që këto propozime, t’i bëjë publike për të mundësuar kështu diskutimin e tyre edhe në rrethe të gjëra jashtë parlamentare”, përfundon deklarata e KSSH-së.

n.e/NOA

KOMENTE