English

Ministrat e Vishegradit: Ballkani Perëndimor të integrohet në BE

Bratislavë, 23 tetor, NOA – Në takimin e tyre të djeshëm në kryeqytetin Bratislavë të Sllovakisë, Grupi i vendeve anëtare të Vishegradit, presidenca e të cilit mbahet këtë vit nga Sllovakia, theksuan se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të këtij grupi.

Pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit i përbërë nga Polonia Çekia, Hungaria dhe Sllovakia, shefat e diplomacive të katër vendeve në takimin me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor bënë me dije se “Mbas një periudhë 20 vjeçare të aktiviteteve të këtij grupimi, vendet anëtare janë të angazhuara për të mbështetur dhe nxitur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe janë të gatshme për të asistuar në rrugën e tyre drejt integrimit të plotë euro-atlantik.

Ministrat e Jashtëm inkurajojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë reformat, si dhe të forcojnë bashkëpunimin rajonal.

Opinioni i Komisionit mbi aplikimin për anëtarësim të Malit të Zi dhe Shqipërisë do të hapë rrugën drejt statusit të vendit kandidat dhe më tej për hapjen e negociatave të pranimit.

Grupi i Vishegradit vlerësoi gjithashtu rezultatet e arritura në drejtim të liberalizimit të vizave vitin e kaluar dhe përshëndeti plotësimin e kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ky grupim nxit marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për këto dy vende nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së në 8 nëntor.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit shprehën besimin se Kosova, si pjesë e rajonit, ka gjithashtu një perspektivë të qartë evropiane.

mit/NOA
KOMENTE