English

Tryeza për reformën, LSI: PS jo show, por kontribut real

Tiranë, 23 tetor, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim e ka quajtur qëndrimin e djeshëm të liderit të opozitës Edi Rama në tryezën e partive politike për reformën zgjedhore si një parodi dhe shënjë të papjekurisë politike të lidershipit socialist, por më së shumti edhe mungesë respekti për votuesit e Partisë Socialiste.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama që përfaqësonte LSI-në në këtë tryezë të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje lidershipit socialist të jetë i përgjegjshëm dhe të angazhohet për këtë reformë të rëndësishme duke mos e bllokuar atë projekt serioz dhe reforma të tjera integruese që lidhen me standardet demokratike dhe evropiane të zgjedhjeve.

Sipas Ramës, tryeza e iniciuar nga kryetari i PD-së është një moment i rëndësishëm dhe shprehje e vëmendjes dhe e angazhimit real për të realizuar reformën zgjedhore do të dëshmonte cilësinë dhe stabilitetin e funksionimit demokratik të vendit, sikundër janë zgjedhjet e lira, korrekte dhe të ndershme.

Duke iu referuar tryezës Rama ironizoi ofertën e lidershiopit socialist duke e quajtur atë një ofertë me kushte të njohura, pra jo një ofertë për të mundësuar kompromis në tryezë apo për të kapërcyer krizën politike të paszgjedhjeve të 28 qershorit.

Sekretari i LSI-së e cilësoi praninë e befasishme në këtë tryezë të kreut të PS-së, si një një sinjal që socialistët më në fund po e kuptojnë domosdoshmërinë e pjesëmarrjes dhe të kontributit pozitiv për realizimin e reformës zgjedhore, nga e cila sipas sekretarit të LSI-së, Luan Rama varen cilësia e zgjedhjeve dhe transparenca e tyre për të përmbushur sikundër tha ai, rekomandimet e rezolutës së PE-së dhe propozimet e OSBE-ODIHR.

“LSI mori pjesë ne tryezën e thirrur nga zoti Berisha, me angazhimin për të qenë pjesë e kontributit, po nga ana tjetër mori pjesë edhe sepse prej kohësh vetë LSI ka insistuar dhe ka këmbëngulur në realizimin e reformës zgjedhore si një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, përfundoi deklaratën e tij sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.

mit/NOA
KOMENTE