English

Austria akordon 200 mijë Euro për programin “Një OKB” në Shqipëri

Tiranë, 25 tetor, NOA - Qeveria e Austrisë do t’i akordojë qeverisë shqiptare 200 mijë euro nga Fondi i Koherencës së OKB-së, në kuadër të programit “Një OKB”.

Për këtë qëllim u nënshkrua sot një marrëveshje nga qeveria e Austrisë dhe Kombet e Bashkuara në praninë e Ministrit të Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo dhe Valbona Kuko, Drejtoreshë e Departamentit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj në Këshillin e Ministrave.

Ministri Pollo theksoi se “Jemi këtu për të nënshkruar vazhdimësine e një projekti shumë të suksesshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin e qeverisë shqiptare në reformën “Një OKB”. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Austrinë do të doja të falenderoja qeverine austriake për gatishmërine dhe ndihmën e saj në kushtet e krizës ekonomike”, tha ministri i Inovacionit.

I pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishte edhe ambasadori austriak në Shqipëri, Florian Raunig, i cili nënvizoi se “Ne jemi shumë krenarë që kontribuojmë për këtë nismë pilote, e cila po shkon shumë mirë, ja perse qeveria e Austrisë ka kontribuar dhe po kontribuon për herë të tretë me 200 mijë euro”, sqaroi Raunig.

Ndërsa koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Tiranë, Zineb Touimi-Benjelloun, tha se “Dje ishte një ditë e veçantë për ne që shënoi 65-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara dhe nesër Austria do të festoje ditën e saj kombëtare, kështu që sot është një ditë e përsosur për të festuar partneritetin tonë”.

Sipas saj falë Austrisë dhe donatorëve të tjerë, për herë të parë sigurohen fonde të parashikuara të agjencive të OKB-së, një tendencë që zonja Touimi-Benjelloun e sheh drejt rritjes.

Fondi i Koherencës së OKB-së kontribuon për të rritur lidershipin e Qeverisë së Shqipërisë në shpërndarjen e fondeve për zhvillim dhe ka për qëllim të sigurojë fonde të parashikuara.

Qeveria austriake, e cila ka kontribuar deri tani me një financim total prej 650 mijë Eurosh, është një nga donatorët kyç të Fondit të Koherencës së OKB-së.

Programi “Një OKB” gjithashtu ka përfituar nga mbështetja e Komisionit Europian, Spanjës, Zvicrës, Suedisë, Norvegjisë dhe Hollandës.

Kombet e Bashkuara, në partneritet të ngushtë me Qeverinë, kanë punuar duke bashkuar ekspertizën e 14 agjencive të OKB-së për të rritur impaktin dhe cilësinë e shërbimeve dhe për të ndihmuar vendin në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjecarit dhe në integrimin në Bashkimin Europian.

mit/NOA
KOMENTE