English

Basha, nxënësve: Bëhuni pararojë e fushatës së informimit për lëvizjen e lirë

Tiranë, 25 tetor, NOA – Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në kuadër të turit të tij për informimin e qytetarëve shqiptarë mbi lëvizjen e lirë pas heqjes së vizave është ndalur sot në zonën e Laprakës në kryeqytet, ku zhvilloi një takim me nxënësit e shkollës së Mesme të Përgjithshme “Aleks Buda”.

Ministri Basha kërkoi bashkëpunimin e të rinjve në fushatën për informimin sa më të mirë të shoqërisë shqiptare mbi lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.

“Ju ftoj të bëheni pjesë e kësaj fushate në mënyrë, që ne të mbetemi në pararojë të shoqërive të informuara përsa i përket të drejtave dhe detyrimeve të lëvizjes së lirë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Ai sqaroi të rinjtë se është mjaft e rëndësishme të respektohen kushtet për lëvizjen e lirë, që nënkupton se qëndrimi në zonën Shengen lejohet vetëm për tre muaj, dhe më pas për çdo shkelës parashikohen penalitete deri në heqjen e të drejtës për të lëvizur në vendet e BE-së.

Ministri Basha theksoi se nuk ekziston asnjë kusht financiar për të lëvizur lirisht në hapësirën Shengen, por çdo person që udhëton në rast se i kërkohet nga autoritetet policore duhet të bashkëpunojë në mirëbesim të plotë dhe të sqarojë motivet e lëvizjes dhe mënyrën sesi do të përballojë qëndrimin e parashikuar në vendet e zonës Shengen.

Duke iu referuar interesimit të nxënësve mbi mundësitë për të studiuar në një nga vendet e zonës Shengen përtej afateve që parashikon lëvizja e lirë, Ministri Basha shpjegoi se pas fillimit të lëvizjes së lirë, marrja e një vize studimi apo qëndrimi do të jetë shumë më e lehtë se më parë, e njëherësh kërkoi trajtimin me përgjegjshmëri nga të rinjtë e të drejtave të lëvizjes së lirë.

“Dëshiroj të nënvizoj kënaqësinë e sinqertë që ndjej që procesi i heqjes së vizave do t’i shërbejë të rinjve shqiptarë, studentëve dhe gjimnazistëve shqiptarë, sepse ju e meritoni në çdo dimension këtë lëvizje të lirë dhe përfitimet që vijnë nga kjo, sepse ju mishëroni vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare”, tha ministri Basha.

Ai i këshilloi nxënësit ta përdorin maksimalisht këtë liri, me të dyja duart, për të zhvilluar këtë vend, për të realizuar ëndrrat e tyre.

mit/NOA
KOMENTE