English

Patriotizëm biometrik

Mjafton një fjali therëse e policisë italiane: “Liberalizimi i vizave nuk na mundësoi kontrollin kufitar ndaj këtyre elementëve”. Dhe e thonë para nëntorit, kur ne dhe boshnjakët, dy kombe viktima të ushtrisë së (H)Ajvanit, presim të na heqin vizat. Por kush mund t’u vërë faj francezëve, holandezëve apo gjermanëve, që druajnë të na hapin derën?

Nga Sokol Balla

Java që shkoi pati një lajm të mirë. Sa kohë kishim pa dëgjuar një lajm të mirë! Shikoja live sesi dilnin nga shpella, ku ishin kapur si në grackë 33 minatorët kilianë. Doli i pari, i dyti… i njëzetetënjëjti, i tridhjetetreti... . Në këtë epokë terrorizmi dhe frike kishim harruar të numëronim të gjallët dhe ishim mësuar të numëronim vetëm të vdekurit. Sigurisht nuk është vetëm kjo. Ndiqja në CNN sesi gazetarë kilianë e quanin këtë një moment të shkëlqyer të Kilit. Të Kilit të tërmetit të tmerrshëm të fillimvitit, të Kilit të Augusto Pinochet-it dhe të Salvador Allende-s. Një prej minatorëve e kishte mbiemrin Sepulveda. Rastësi ndoshta me Jose Sepulvedën e famshëm, i cili në librin e tij të jashtëzakonshëm “Hija e asaj që ishim” përshkruan aq bukur dhe me vetë ironi, historinë e vendit të tij, kaluar mes momentesh të humbura të historisë: dashurisë iluzioniste për komunizmin dhe nostalgjisë për diktaturën. Por sot Kili u ringjall. Siç u ringjallën 33 minatorët. Siç u ringjall Krishti dikur, pikërisht 33 vjeç… Ndoshta emocionet janë pak të tepruara, por të vjen inat, shumë inat dhe zili nga shembulli që të jep një vend në një kontinent të humbur, ty, që jeton 70 kilometra vijë detare nga Bashkimi Europian. Të vjen inat, tmerrësisht inat, kur shikon se ndërsa kilianët brohorisnin në rrugë pas daljes së çdo minatori si pas shënimit të një goli, një car i vogël sllav digjte flamurin tim në mes të Gjenovës, pikërisht portit nga ku u nisën anijet kolonizatore që zbuluan kontinentin, ku më pas lindi Kili. Cari Ivan (në anglisht do lexohej (h)Ajvan – bashkë me ultrasët e tjerë, nuk dogji thjesht flamurin shqiptar. Ai nuk dogji thjesht karriget e Marass-it. Ai dogji shpresën se Ballkani dhe Ballkanasit në një kohë të shpejtë, do të mund të konsiderohen të barabartë me qytetarët e Europës. Mjafton një fjali therëse e policisë italiane: “Liberalizimi i vizave nuk na mundësoi kontrollin kufitar ndaj këtyre elementëve”. Dhe e thonë para nëntorit, kur ne dhe boshnjakët, dy kombe viktima të ushtrisë së (H)Ajvanit, presim të na heqin vizat. Por kush mund t’u vërë faj francezëve, holandezëve apo gjermanëve, që druajnë të na hapin derën? Ballkanasit mund të marrin pasaporta biometrike, por as kjo nuk duket të jetë zgjidhja për të zbutur patriotizmin e tyre. Them e tyre, se më pas flamuri serb u dogj edhe në Tiranë. Një djalë shqiptar në Tëitter E. Maraku bëri këtë koment: “Sot provuam se idiotësia nuk ka nënshtetësi”. E vërtetë, ashtu si patriotizmi biometrik nuk shëron dot nacionalizmin ballkanik. Ai është i njëllojtë me të. Zoti na ruajtë, ashtu si ruajti Kilin!

Marrë nga MAPO
KOMENTE