Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kumanova “zgjon” teatrin shqiptar, Musa Isufi, fitues i çmimit aktori më i mirë
English

Kumanova “zgjon” teatrin shqiptar, Musa Isufi, fitues i çmimit aktori më i mirë

Ferizaj, 26 tetor, NOA/ Milena Selimi - “E dua teatrin dhe e gjithë puna ime e derimëtanishme ka qenë për të kontribuar në qytetin tim të dashur të Kumanovës. Nuk ka gjë më të bukur sesa të shohësh spektatorin, që kërkon të komunikojë me aktorin nëpërmjet shfaqjes. Falenderoj jurinë për besimin që pati tek ky rol imi”.

Kështu i shprehu emocionet e para të pasmarrjes së çmimit aktori më i mirë, Musa Isufi, aktori fjalëpak e punëshumë, i cili theksoi në një intervistë se “Me ngritjen e teatrit në qytetin tonë unë besoj se do të realizohet një nga qëllimet më të mëdha të të gjithë aktorëve dhe njerëzve që besojnë në artin e teatrit. Do të arrijmë të edukojmë dhe kultivojmë brezin e ardhshëm të spektatorit, që nesër do të reflektojë dhe do të mendojë nëpërmjet teatrit të fjalës”, shtoi Isufi.

Një çmim i merituar plotësisht i shtohet biografisë artistike të aktorit të Kumanovës, Musa Isufi.

Fitues në kategorinë Aktori më i mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit në Ferizaj, me rolin e Kipcit në shfaqjen “Kufomat e gjalla”, aktori na tregoi edhe njëherë fuqinë dhe potencialin e tij artistik, që shkon përherë në ngritje.

Pjesëmarrëse në këtë festival të 40-të, shfaqja u prezantua përpara publikut në Ferizaj në një interpretim të shkëlqyer të aktorëve, me një shfaqje që i tejkaloi parashikimet.

Një spektator i gozhduar për rreth 50 minuta, i cili sheh si në një pasqyrë gjithçka që ndodh me jetën e tij të përditshme.

Ndërgjegja dhe dilema e fajit përballen në një cikël të mbyllur, i cili ngushtohet edhe më shumë nga tradhtia e miqve, egoizmi njerëzor, dëshira për pushtet dhe tundimi drejt lavdisë.

Duartrokitjet nga spektatori nuk janë të rastësishme.

Ndoshta kjo është edhe gjetja që autori Shkëlzen Halimi dhe regjisori Zijadin Murtezi kanë kërkuar, sfida që tashmë mund të quhet e kaluar me sukses.

Teatri i Kumanovës, me profesionalizëm na tregon një teatër të refleksionit dhe të mendimit.

Tek e fundit, a nuk është ky edhe misioni i teatrit, larg teatrit të batutës për batutë dhe situatës komike?

Të na çojë drejt ndërgjegjes për të gjetur idealin e humbur.

Në të vërtetë a ekziston ideali, apo është shuar? A ekziston pasioni? A ka vlerë mendimi i vyer i intelektualit, që kërkon dritën njësoj si Diogjeni në një botë të mbushur me armiqësi, moral të shthurrur dhe ku fatkeqësisht, sipas një rregulli të pashkruar, e pëson i pafajshmi, që ka vetëm një ideal, të sigurojë një kulm mbi kokë pa e dëmtuar askënd. "Kufomat e Gjalla" është një ndër premierat e rralla në gjuhën shqipe që është shfaqur më 20 shtator 2008 në Qendrën për Kulturë në Kumanovë.

Tre aktorët kryesorë qytet, Musa Isufi (Kipci), Mendim Murtezi (Hajni) dhe Sefedin Shabani ilustrojnë moralin e humbur të një shoqërie përfshi edhe atë shqiptare.

Një paralele e rëndësishme hiqet në teatër dhe jashtë tij.

Aktorët-interpretues janë “kufomat e gjalla” të kësaj shoqërie të mbrapshtë, që për shumë vite me radhë japin kontributin e tyre në një qytet, të cilit i është mohuar TEATRI, ky tempull i shenjtë i fjalës dhe mendimit.

“Duhet të besoni se këta aktorë janë ata që kanë luajtur nëpër bodrume dhe vende të mbyllura, si e si të mbajnë gjallë teatrin dhe fjalën”- u shpreh në debatin pas shfaqjes, regjisori Zijadin Murtezi.

Sakrificat e tyre për ta mbajtur gjallë pasionin janë shpërblyer disa herë në pjesëmarrjet e tyre të rëndësishme në festival kombëtare dhe ndërkombëtare dhe me çmime vlerësuese. Idealet për ekzistencë vazhdojnë të shuhen, kurse ndërgjegjja as ndizet, as zgjohet e as bren.

Shfaqja vazhdon brenda dhe jashtë ndërgjegjes sonë, brenda dhe jashtë skenës. Kapërthehen dukshëm emocionet që në skenë na vijnë fuqishëm nga aktori Musa Isufi. A të bëhemi të pandërgjegjshëm që ta shpëtojmë ekzistencën?

Me një interpretim të lartë profesional, me detaje shprehëse, me gjetje aktoriale përpara spektatorit gjallojnë paralele të shumta, që falë mjeshtërisë së lartë të aktorit Musa Isufi vijnë të skalitura në regjistra të ndryshëm vokalë.

Me një diksion të pastër skenik, me një fjalë shqipe që tingëllon e fortë, revolta e intelektualit të tradhtuar na duket sikur skenën e çan më dysh.

Një dramë, e cila nuk mbetet vetëm brenda një qyteti, por merr një kuptim universal për kohën në të cilën jetojmë.

Me një plastikë të shkëlqyer aktori na përball me jetën dhe vdekjen.

Gjithçka në gjestikulacionin e tij flet për dhimbjen dhe shpresën e fikur.

Duart që përçojnë elegancë skenike, mimika e portretit, këmbët e pajeta gozhduar në karrocën me rrota, këpucët e hedhura larg nga fiziku i lodhur, gishtat e ngrirë të zbathur të gozhdojnë në karriken e spektatorit.

Çfarë ndodh në skenë? A mos jam unë njëri nga ata të ‘humburit’?

Shfaqja frymon në një lëvizje të madhe të fjalës-lëvizjes dhe fuqisë së aktorit Isufi.

Ai kthehet në një zotërues të hapësirës skenike dhe nga një ‘kufomë’ transformohet në një të ‘gjallë’ protestues, që shtron lart pyetjen “Ku do të shkojë shoqëria jonë? Do të vazhdojë rrugën e tradhtisë, apo do të kërkojë shpëtimin e shpirtit në vepra të vyera dhe të dobishme?

“Asgjë nuk mundet ta ndalë teatrin në qytetin e Kumanovës. Jetoj dhe Frymoj për Teatrin, si unë edhe shumë artistë të tjerë kumanovarë si Mendimi, Sefedini, Kushtrimi, etj. Unë besoj dhe kam shpresë se e ardhmja e tij do të jetë në nivele të larta profesionale, me aktorët e rinj që mbarojnë studimet në degën e aktrimit dhe me hapje dhe përballje të herëpashershme të teatrit që kemi krijuar në këta vjet ”, tha aktori Isufi.

Burime të besuara pranë kabinetit të qeverisë tregojnë se shumë shpejt qyteti i Kumanovës do të mundet të ketë një teatër shqiptar të fjalës, pas përpjekjeve dhe ngulmimit të artistëve vendas.

Dhe vetëm atëhere do të shpërblehet i gjithë mundi dhe përpjekja e artistëve në këta vjet.

Musa Isufi është shembulli i aktorit, që na dha shpresën se edhe arti teatror shqiptar i Kumanovës mundet të sjellë nivele të larta artistike, na frymëzoi me guximin e tij për të vazhduar artin e bukur të fjalës, edhe pse në kushte të vështira institucionale.

Ky çmim në Festivalin e Ferizajt renditet me dinjitet me të tjerët si: Çmimi special “Aktori më i mirë i festivalit” në “Festivalin e teatrit shqiptar” Dibër 2008, me rolin e Kipcit nga shfaqja “Kufomat e gjalla” dhe “Aktori më i mirë i festivalit” në shfaqjen “Jashtë bie borë” në Dibër 2002 , në rolin e Kiços, me autor Vincenzo Salemme dhe regji nga Nehat Memeti.

m.s/mit/NOA
KOMENTE