English

PDU: Zhvarrosjet në Boboshticë akt barbar, shteti të ndërhyjë

Tiranë, 28 tetor, NOA - Partia për Drejtësi dhe Unitet ka reaguar sot ndaj zhvarrosjes së eshtrave të shqiptarëve në fshatin Boboshticë të Korçës, ku kisha ortodokse ka ngritur një kryq memorial për nder të një ushtari grek të rënë gjatë luftës.

Lajmi i zhvarrosjes së eshtrave u bë publik pak ditë më parë nga një media e shkruar dhe një televizion kombëtar, të cilët thanë se shtrimi i rrugicës përmes dy parcelave të varrezave në Boboshticë të Korçës, ku në fund kisha ortodokse ka vendosur një kryq memorial, është ngritur mbi eshtrat e të parëve shqiptarë të varrosur në atë zonë.

Në një deklaratë për shtyp PDU duke iu referuar këtij lajmi të publikuar deklaroi sot se “Rasti i fundit i zhvarrimit të eshtrave të shqiptarëve në fshatin e Boboshticës përbën një akt barbar dhe të paprecedent, që kalon çdo kufi njerëzor”.

Krerët e PDU-së e kanë cilësuar këtë akt si një fyerje e rëndë që i bëhet jo vetëm kujtimit të tyre, por edhe dinjitetit të çdo shqiptari.

PDU i bëri thirrje shtetit të ndërhyjë urgjentisht ndaj këtyre akteve sipas PDU-së të përsëritura.

“Këto nuk janë akte të shkëputura, pasi vetëm pak kohë më pare u zbulua skandali i zhvarrimeve në Kosinë, që me makabritetin e tyre lanë pa fjalë këdo. PDU i bën një thirrje të qartë shtetit shqiptarë që të veprojë me forcë e urgjentisht për të dekurajuar përfundimisht recidivistët, por mbi të gjitha për të ruajtur dinjitetin njerëzor të shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PDU-së.

PDU garantoi se pushteti vendor dhe banorët e Boboshticës që denoncuan dhe vërtetuan paligjshmërinë e këtij akti të turpshëm, do të kenë mbështetjen e Partisë Drejtësi dhe Unitet, që mbron të drejtat e popullsisë çame të depërtuar nga tokat e tyre në Çamëri.

mit/NOA
KOMENTE