English

USAID, dhuron pajisje për Spitalin “Mbretëresha Geraldinë”

Tiranë, 28 tetor, NOA - Sot çeli dyert e saj qendra e parë për trajnimin obstetrik gjinekogjik në Shqipëri, e ngritur në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” të kryeqytetit.

Kësaj qendre të trajnimit, e cila funksionon në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, iu dhuruan prej USAID-it pajisje mjekësore me vlerë 10000 dollarë, të cilat do të mundësojnë që studentët e mjekësisë të ushtrohen në procedura klinike më të sigurta dhe më efektive për lindjen e fëmijëve dhe për kujdesin ndaj nënës në Shqipëri.

“Mbretëresha Geraldinë”, është materniteti më i madh i Shqipërisë, në të cilin lindin rreth 6 000 fëmijë në vit dhe që ofron një gamë shërbimesh obstetrike dhe gjinekologjike për gratë.

Sipas vëzhgimit Demografik dhe Shëndetësor të Shqipërisë së vitit 2009, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit është shënuar një rënie e ndjeshme në vdekshmërinë e fëmijëve në Shqipëri (nga 35 në 18 vdekje për 1000 lindje të gjalla), ndërsa nivelet e vdekshmërisë së nënës mbeten të larta krahasuar me vende të tjera të rajonit.

Në bazë të të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2008 vdekshmëria mëmësore në Shqipëri mbetet e lartë krahasuar me vende të tjera të Evropës, me një përllogaritje prej 21 vdekjesh për 100000 lindje të gjalla, krahasuar për shembull me të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Francën që dëshmojnë për 5.3 vdekje për 100000 lindje të gjalla dhe Poloninë me 3.02 vdekje për 100000 lindje të gjalla.

USAID-i, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me institucionet e saj në të gjithë Shqipërinë, ka punuar për disa vite në mbështetje të programeve që përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor për nënën dhe fëmijën në Shqipëri, me qëllim zvogëlimin e vdekshmërisë mëmësore dhe foshnjore.

Si pjesë e ndihmës së ofruar për ministrinë, programi “ACCESS-FP”, drejtuar prej Jhpiego-s, prezantoi mënyra të reja për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të planifikimit familjar dhe zhvilloi për herë të parë në Shqipëri protokollet për planifikimin familjar me qëllim standardizimin e ofrimit të shërbimeve të planifikimit familjar në spitale dhe klinika.

Aktualisht USAID-i ka një program për ngritjen e një Qendre Kombëtare për Telemjekësinë në Shqipëri, i cili do të mbështesë programet e edukimit në vazhdim, si dhe në muajt e ardhshëm USAID-i do të nisë një program të ri pesëvjeçar, me një vleftë prej 10 milionë dollarësh për afrimin e shërbimeve mjekësore tek të varfërit e për përmirësimin e financimit shëndetësor.

mit/NOA
KOMENTE