English

Bashkia e Tiranës: Për abonetë, fajin e kanë ministria e Transporteve dhe e Financave

Tiranë, 29 tetor, NOA – Bashkia e Tiranës dhe operatorët e transportit publik kanë filluar një projekt të madh, të përmirësimit në mënyrë radikale të kushteve të shërbimit të transportit publik. Si rezultat i kësaj, po ndodhin dhe do vazhdojnë të ndodhin përmirësime të dukshme të shërbimit të transportit publik.

Kështu ka reaguar ky institucion lidhur me deklaratat e ministrisë së Transporteve lidhur me kritikat për transportin publik, duke theksuar se “efektet, të cilat kanë filluar t’i ndiejnë qytetarët, janë autobusët e rinj, korsitë e dedikuara etj, por për të mbështetur këtë punë të operatorëve të transportit publik dhe Bashkisë së Tiranës, është e nevojshme vënia në funksionim e disa ndryshimeve të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese të Këshillit të Ministrave që janë në fuqi”.

“Këto kërkesa, operatorët e transportit publik i kanë paraqitur pranë Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Financave kohë më parë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Duke vijuar se “të shqetësuar për mosmarrjen e përgjigjeve ndaj këtyre kërkesave, operatorët e shërbimit të transportit publik kanë paralajmëruar mosnjohjen e biletës njëmujore, kartës falas për kategoritë dhe shtresat në nevojë, invalidët, veteranët etj”.

“Bashkia e Tiranës kërkon nga ministritë e linjës, plotësimin e kërkesave për ndryshimin e ligjeve dhe VKM-ve në fuqi, sepse shërbimi i transportit publik është një domosdoshmëri jetike për kryeqytetin. Ajo është e gatshme të kontribuojë me propozime konkrete ligjore, që mbështetin plotësimin e kërkesave të operatorëve publikë dhe i kërkon ministrive të linjës, organizimin sa më të shpejtë të një takimi pune, për të diskutuar e marrë vendime lidhur me problematikat e shërbimit të transportit publik”, thuhet më tej.

Duke përfunduar se Bashkia e Tiranës mbështet kërkesat për këto ndryshime ligjore, pasi sjellin përmirësimin e shërbimit, por është e mendimit që këto ndryshime duhen të kryhen në rrugë institucionale, për të shmangur kështu pasojat ndaj qytetarëve, në lidhje me këtë shërbim (përfshirë këtu edhe çështjen e abonesë).

n.e/NOA

KOMENTE