English

Burgaj në ekspozitën “ALMEX 2010”: Njihet niveli dhe performanca e policisë së shtetit

Tiranë, 30 tetor, NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj vizitoi sot Ekspozitën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale “ALMEX 2010” e çelur prej tri ditësh në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë e organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Klik Ekspo Group, ka si qëllim të prezantojë për publikun shqiptar dhe atë të huaj objektivat dhe perspektivat e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes.

Në këtë vizitë, Burgaj, u ndal veçanërisht në stendat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila së bashku me stendën e Forcave të RENEA-s, Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor, etj, janë pjesë e kësaj ekspozite.

Ai e vlerësoi si shumë të vlefshme këtë ekspozitë, duke e konsideruar si një mundësi të mirë të njohjes nga publiku i gjerë shqiptar dhe i huaj të nivelit të lartë të zhvillimit, që ka arritur ndër vite Policia e Shtetit, si në drejtim të performancës, mjeteve, ashtu edhe shërbimeve të saj të ofruara për qytetarët.

Në hapësirën e përcaktuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë ekspozuar për publikun, armë të ndryshme, si dhe mbi 90 foto të fiksuara gjatë veprimtarive të shumta të organizuara nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Por, kureshtja ka qenë e madhe nga veçanërisht për armët e ekspozuara, të cilat datojnë që prej viteve 1800 e deri në ditët e sotme.

Në këtë stendë, publiku është njohur më gjerësisht me veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe shërbimin e domosdoshëm, që ajo ofron për komunitetin nëpërmjet fletëpalosjeve dhe kartolinave të ofruara për vizitorët.

30 tetori është dita e fundit e Ekspozitës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale “ALMEX 2010”, e cila u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, nga data 28 deri më 30 tetor.

mit/NOA
KOMENTE