English

Tavo: Iu bashkova LSI për të mbetur socialist, PS nuk më ktheu përgjigje

Tiranë, 30 tetor, NOA Update - “Iu bashkova Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të mbetur socialist”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga deputeti Vangjel Tavo, sapo ka konfirmuar zyrtarisht para kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, anëtarësimin në grupin e saj parlamentar.

Siç bëhet me dijeni për agjencinë e lajmeve NOA nga burime pranë takimit, Tavo ka pohuar se është detyruar të bëjë një zgjedhje të tillë, pasi nuk ka mundur që të marrë një përgjigje nga selia rozë, kundrejt kërkesave të tij në lidhje me disa kritika mbi funksionimin e degës së Partisë Socialiste të Gjirokastrës.

“I lashë afat Partisë Socialiste që të reflektonte deri në 29 tetor dhe prisja përgjigje pozitive prej saj, por nuk mora asnjë përgjigje”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh lidhur me këtë anëtarësim të ri në grupin e tij parlamentar, se kjo është një zgjidhje e drejtë, dhe se bashkë me Tavon, do të punojnë për interesat e shqiptarëve.

“Deputeti Vangjel Tavo, është kolegu ynë prej 20 vitesh”, tha më pas Meta.

Në këtë mënyrë, deputeti Vangjel Tavo i shton një numër të ri grupit parlamentar të LSI-së pas largimit nga radhët e kësaj force politike të deputetit Dritan Prifti.

Tavo e kishte paralajmëruar selinë rozë për plotësimin e disa kushteve dhe pas kësaj date pohoi se do të merrte vendimin përfundimtar, i cili mesa duket, ka qenë ai i bashkimit me grupin parlamentar të LSI-së.

“Qëndrimi im lidhet me mos gjetjen e konsensusit për zgjidhjen e problemeve brenda gjirit të partisë socialistë ne Gjirokastër”, ka sqaruar Tavo në takimin e zhvilluar me simpatizantë në selinë e PS-së në Gjirokastër, duke theksuar se qëndrimi i tij i tillë ka qenë i detyruar nga lideri i Partisë Socialiste.

Sipas tij ,në këtë forcë politike Rama e ka gjetur dhe ai do të vazhdojë të jetë socialist. n.e/NOA

KOMENTE