English

Ahmeti: “Histeria” e dosjeve do të ketë një fund

Shkup, 31 tetor, NOA - Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se institucionet shtetërore duhet tw ndwrhyjnw pwr cwshtjen e dosjeve nw Maqedoni dhe duhet tw jenw specialistët ata qw do e zbardhin përfundimisht të vërtetën.

“Tani unë mendoj se e gjithë kjo histori dhe “histeri” që po ndodh, do të ketë edhe një fund. Mendoj se institucionet e shtetit duhet të brengosen për këto "paçavure" që po shpërndahen. Ne jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për këto situata të krijuara me dosjet”, deklaroi Ahmeti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ai fton organet kompetente të shtetit që përfundimisht të zbardhin të vërtetën rreth dosjeve.

“Në radhë të parë, nuk duam që ne të jemi nxitës dhe t`i fusim në konfrontim njerëzit. Do t’i thërrasim njerëzit me urtësi dhe gjakftohtësi, njëherësh presim nga të gjitha institucionet e shtetit, si dhe specialistë të fushave të ndryshme, që përfundimisht të zbardhet e vërteta”, - u shpreh Ahmeti.

Ahmeti përgjigjet edhe në pyetjen se cila është e vërteta e rreth përfshirjes së udhëheqësve së UÇK-së në dosjet e lartëpërmendura.

“Tani më lejoni të përgjigjem me pak alegori, “mbase shqiptarët kishin qenë populli më fatlum në rajonin e Ballkanit, pasi që vetë UDB-ja ua kishte krijuar forcat e tyre të UÇK-së për pavarësinë e Kosovës dhe luftën për barazinë e shqiptarëve të Maqedonisë”, shton Ahmeti.

Ai ka folur edhe për proceset eurointegruese të Maqedonisë. "Në NATO dhe BE nuk mund të integrohet gjysma e Maqedonisë, apo vetëm shqiptarët. Ne nuk duam të jemi faktor që nxit qytetarët dhe që krijon hendeqe midis dy etniteteve më të mëdha, etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar", deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Sipas tij çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, zjidhja e kontestit të Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit, nuk janë çështje që i takojnë ose stagnojnë vetëm një etnitet - vetëm shqiptarët apo vetëm maqedonasit. Proceset integruese paraqesin procese ku të gjithë duhet t`i bartin përgjegjësitë.

"Ne, si BDI, do t’i bartim mbi shpatulla përgjegjësitë. Gjithsesi, këto çështje nuk janë çështje me përgjegjësi të partive në pozitë, por çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është çështje edhe e përgjegjësisë së partive politike në opozitë dhe për këto çështje kërkohet konsensus i plotë nga të gjithë faktorët politikë të vendit", thotë në intervistën e tij Ahmeti.

Ai shton se këtyre çështjeve me kaq përgjegjësi të lartë përpiqen të mos u japin ngjyrime ndëretnike dhe ngjyrime partiake, por, si çështje të rëndësisë së veçantë që kërkojnë zgjidhje dhe të gjitha energjitë tona politike kadrovike janë të angazhuara që të japin ndihmën e tyre për një zgjidhje sa më të afërt dhe sa më të pranueshme për palët kontestuese.

Lidhur me porosinë e faktorit ndërkombëtar se pa zgjidhjen e emrit nuk ka integrim për Maqedoninë dhe a pajtohet BDI-ja si partner i koalicionit qeverisës me mënyrën se si i realizon negociatat kryeministri Gruevski dhe kush është pozicioni i BDI-së në këtë drejtim Ahmeti tha se kjo është një situatë delikakate.

"Duhet ta them shumë hapur, jemi në një situatë shumë delikate, sepse mund të keqkuptohemi nga bashkëqytetarët tanë të komunitetit maqedonas se gjoja ne, shqiptarëve, nuk na intereson çështja e emrit, por ne tërësisht jemi të lidhur vetëm pas integrimit të vendit në NATO dhe BE", thekson Ahmeti, duke shtuar se ai personalisht ka kërkuar në vazhdimësi të kihet kujdes, të rritet interesimi dhe angazhimi i të gjitha forcave ndërkombëtare të ndikojë te palët; t`i motivojnë dhe inkurajojnë t’i tejkalojnë emocionet dhe të arrihet një zgjidhje.

NOA/INA
KOMENTE