English

SHBA, shtyhet për të mërkurën misioni i fundit i anijes Discovery

Washington, 31 tetor, NOA - Misioni i fundit i dërgimit të anijes Discovery për në stacionin hapësinor ndërkombëtar u shty për ditën e mërkurë.

Lajmin e ka bërë publik agjencia amerikane e hapësirës NASA.

NASA, njoftoi se anija iu nënshtrua dy riparimeve, çka dhe vonoi me dy ditë lëshimin e saj në hapësirë.

Defekti i parë i konstatuar nga teknikët kishte të bënte me rrjedhjen e gazit në sistemin e drejtimit të saj në hapësirë.

Një rrjedhje e dytë u konstatua pak orë më vonë në të njëjtin sistem.

Pas riparimit të defekteve tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për nisjen e fundit të anijes Discovery në hapësirë.

Lëshimi do të bëhet të mërkurën, në 3 nëntor, në orën 20.52 dhe sipas NASA-s, kushtet atmosferike do të jenë të përshtatshme.

Megjithatë ka edhe një afat të fundit që është data 7 nëntor.

Ky do të jetë udhëtimi i fundit i anijes Discovery në hapësirë.

Për herë të parë Discovery u lëshua në vitin 1984.

Ajo është një nga tre anijet më të vjetra hapësinore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas lëshimit në muajin shkurt edhe të anijeve Atlantis dhe Endeavour, ato do të zënë vend në muzeun e NASA-s.

Fluturimi më i afërt në hapësirë është parashikuar nga NASA që të realizohet në vitin 2011, kohë në të cilën përfundon ndërtimi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

mit/NOA
KOMENTE