Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Të fshehtat e një partie
English

Të fshehtat e një partie

"Dorëheqja" e Fatmir Sejdiut ua fërgëlloi zemrat të gjithëve. Disave sepse i zuri ca të papërgatitur e disave (më të rinjëve) sepse momenti i shfaqjes dhe sprovimit të fatit në llotarinë e zgjedhjeve u avit aq papritur. Për më tepër "dorëheqja" e Sejdiut të përkujton të gjitha "dorëheqjet" e gjertanishme, në të cilat ku më pak e ku më shumë kanë gisht zyrat e huaja e sidomos "ambasadat"

Nga Salih Mehmeti

Në mos për asgjë tjetër, partia e re e Kurtit do të mbahet mend jo aq për labilitetin e saj të parimeve sesa për talentin e saj të pashoq që përmes një elokuence të stërholluar fjalësh t’i maskojë kompromiset e veta. Plotësimin e formularit për çertifikim të penetrimit në politikën zyrtare në mënyrë të rafinuar Albin Kurti e proklamoi si zyrtarizim i një ‘nisme qytetare’.

Këtë e bëri asisoj që të tingëllojë sa më pranueshëm për veshin e qytetarëve të cilët ashtu -kështu janë të velur prej partive të panumërta politike, për të cilat edhe vetë ambasadori amerikan Dell pat thënë se s’dallojnë njëra prej tjetrës. Dallimi i vetëm formal që mezi e shquan partinë e Kurtit prej partive të tjera politike është mjeshtëria për t’u afishuar si ‘nismë qytetare’ anipse vetë akti i konkurimit për marrjen e pushtetit të presupozon thelbësisht si parti politike. Në mënyrën më të paturpshme të mundshme çertifikimin Albin Kurti e arsyeton kësisoj: “Çertifikimi për neve është hollësi teknike që e përdorim në funksion të projektit tonë politik”.

Duhet të jesh me të vërtetë i krisur nëse beson se “çertifikimi” është thjesht një “hollësi teknike”. Jo kot anglezët thonë se djalli fshihet prapa hollësirave.Pikërisht ky “çertifikim” që ata e quajnë “hollësi teknike” është pranim elegant i rregullave të lojës të përcaktuara nga ata që dikur Kurti i quante kolonizatorë të Kosovës. Së dyti pikërisht në këto hollësitë teknike fshihet korrektimi dhe korruptimi politik i partisë së Kurtit.

Në vazhdim funksionarët e kësaj partie të re (që fatkeqësisht po keqkuptohet si përpjekje për vetëvendosje) në ditën solemne me rastin e plotësimit të formularit çertifikues për konkurim në zgjedhje thanë edhe këto: “Ajo mbetet lëvizje politike gjithëpërfshirëse shoqërore dhe qytetare e popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar me qëllime të qarta programatike për shtetndërtimin e Kosovës, instalimin e demokracisë, zbatimin e drejtësisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ne jemi lëvizje unifikuese e jo parti përçarëse”. Për hir të transparencës për të cilën na kanë mbetë aq shumë borxh funksionarët e kësaj partie ambivalente, detyrohemi t’i zbërthejmë një për një mitet e tyre që po shiten për konsum të gjerë:

Edhe pse funksionarët e kësaj partie po thonë se “nisma” e tyre është ‘gjithpërfshirëse’ ata për habi të të gjithëve nuk na thanë se ç‘përfaqësim paskan shtresat shoqërore në një nismë e cila jo më larg se 12 qershori i këtij viti nuk numëronte më shumë se 40 vetë.Të përkujtojmë lexuesin se ‘gjithpërfshirja’ e qytetarëve në këtë ish-lëvizje ka shënuar trende spektakulare rënie: në fillim të vitit 2006 fytyrat më emblematike të ish Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ bën të ditur faktin se brenda saj ishin regjistruar rreth 15.000 njerëz si aktivistë, antarë apo mbështetës. Shifrën e naltcekun duhet ta quajmë si minimale për shkak se gjatë pesë viteve të militimit politik ish-Lëvizja ‘Vetëvendosje’ duhet ta ketë shumëfishuar numrin e mbështetësve nëse jo aktivistëve. Fakti që asnjëherë ata s’guxojnë t’i bëjnë të njohura shifrat aktuale të numrit të përgjithshëm të antarësisë është shumçkathënës. Para së gjithash është një rrëfim i kuptueshëm i një dështimi latent si pasojë e misticizmit të drejtuesve të kësaj lëvizjeje të cilët gjatë tërë kohës kanë luajtur si orakulli i Delfit ku përgjigjjet janë të dykuptimta për të mos thënë të pakuptueshme për shumicën e njerëzve. Vlen të ndriçohet gjithashtu fakti se partia që po keqkuptohet si përpjekje për vetëvendosje, deri më tash nuk i publikoi asnjëherë emrat e rinj “akademik” e “elitar” që thuhet se i kanë mbushur aradhat e kësaj partie. Një gjë të tillë tuten ta bëjnë sepse “përforcimet” e tyre në pjesën më të madhe janë bërë me ardhacakë nga partitë e tjera politike sidomos prej PDK-së.

Kurse pretendimi sëkëlldisës se partia e Kurtit po i futet garës për pushtet e pajisur si mos më mirë me një program shtet-ndërtues sado që është një gjetje e bukur për konsum publik, prapseprapë ajo nuk e fashit dot të vërtetën se pushtetëzimi i partive politike në Kosovë nuk vie si pasojë e projekteve të tyre shtetndërtuese por e gatishmërisë së tyre për t’u bërë pjesë e projekteve të qendrave të huaja vendosëse për Kosovën.

Me fjalë të tjera mistifikimet dhe lojërat e fjalëve për të cilat ka një talent të rrallë Albin Kurti me partinë e tij bëhen vetëm sa për ta shpërqëndruar vëmendjen e opinionit publik nga standardet e dyfishta që i luajnë ata.

Partia e tij duhet të kërkojë të falur botërisht që thirrjet e saj drejtuar qytetarëve për bojkotim të zgjedhjeve i ka bërë me qëllimin meskin që këta bojkotues një ditë të shndërroheshin në votuesit e ardhshëm të tij. Ja arsyetimi i dikurshëm i Kurtit për mos-pjesmarrjen e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në zgjedhje: “Partitë politike në Kosovë janë koncepte dhe organizime demobilizuese. Një herë në katër vjet ato i thonë qytetarëve: votoni për neve dhe s’keni nevojë të brengoseni e të angazhoheni sepse ne ua sjellim energjinë elektrike 24:0, nuk do t’ju ndërprehet uji, do t’ju sigurojmë vende pune etj. Pra, partitë te ne i thonë qytetarëve që ta vazhdojnë gjumin përveç në ditën e zgjedhjeve kur duhet të votojnë për to. Kjo është shumë dekuruajuese dhe në kundërshtim me vitalitetin që duhet të sjellë demokracia” (Burimi: Selfdetermination, Newsletter, Nr. 140, 30 mars 2009).

Dorëheqja?

"Dorëheqja" e Fatmir Sejdiut ua fërgëlloi zemrat të gjithëve. Disave sepse i zuri ca të papërgatitur e disave (më të rinjëve) sepse momenti i shfaqjes dhe sprovimit të fatit në llotarinë e zgjedhjeve u avit aq papritur. Për më tepër "dorëheqja" e Sejdiut të përkujton të gjitha "dorëheqjet" e gjertanishme, në të cilat ku më pak e ku më shumë kanë gisht zyrat e huaja e sidomos "ambasadat". Këtë na e vërtetojnë vazhdimisht edhe politikanët tanë kur në raste të "krizave" politike thonë se janë gjithnjë në konsultim me faktorin ndërkombëtar. Kjo do të duhej një çikë të korrigjohej për hir të së vërtetës: politikanët tanë nuk konsultohen me ndërkombëtarët por presin rezultatet dhe udhëzimet e mëtutjeshme të ndërkombëtarëve të cilët konsultohen me njëri tjetrin gjër e gjatë për skemat dhe rikonfigurimet e ardhshme. Tani është më se e qartë se ky farë rikonfigurimi që do të pasojë prej këtyre "zgjedhjeve bëhet për hir të sajimit të një estabilishmenti vendor sa më "konsensual" me rastin e rinisjes së negociatave të reja me Serbinë, ashtu siç edhe është stipuluar në Rezolutën e fundme të OKB-së.

Drejt barazimit të kukullave

Dosido mbajtja e këtyre zgjedhjeve kurdoqëtëjetë do të ndjellë një pjesëmarrje të shënueshme të 'zgjedhësve' të regjistruar mu për shkak të iluzioneve jo të pakta në këtë “nismen e re” qytetare të Kurtit. Një prej arsyetimeve më të preferuara të Kurtit për pjesëmarrje në politikën zyrtare është “shqetësimi” i tij dhe i shokëve në lidhje me rritjen e dëshpërimit të madh të qytetarëve. Në të vërtetë më shumë sesa Kurtin kjo gjë i shqetëson qendrat e huaja vendosëse të cilat prore udhëhiqen prej paradigmës “stabilitet pa zhvillim” sa i përket Kosovës. Parashutimin e Kurtit dhe të partisë së tij brenda konjukturave të tyre politike e konsiderojnë si antidot ndaj këtij shpërthimi të hamendësuar me ç’rast Kurti i cili gëzon namin e të qenurit figurë eksluzivisht e pakonsumuar ka gjasë të arrijë edhe një dhjetëvjetësh tjetër (të paktën gjër me 2020) të “stabilietit pa zhvillim”. Pra, Kurti tok me shokët e tij ngritjen dhe suksesin në politikë e shohin pikërisht në profesionin e tyre si “menaxherë krizash”, profesion ky aq i dëshirueshëm dhe i kërkuar prej secilës qendër të huaj që interferohet brenda Kosovës. Falë këtyre menaxherëve profesionist të krizave rrjedha e ngjarjeve do të përcaktohet kurdoherë nga jashtë dhe sipas udhëzimeve nga jashtë. Në këtë rast shpjeguese mbetet analiza e Richard Helms, drejtor i CIA-s (1966 - 1973) i cili në një memorandum të quajtur “The political role of the Military in Latin America” (1968) thoshte se: “Juntat ushtarake latino-amerikane ishin të mira për Shtetet e Bashkuara. Ato ishin e vetmja forcë e aftë për t’i kontrolluar krizat politike. Ligji dhe rregulli ishin më mirë sesa përpjekja e rrëmujshme për demokraci dhe liri” (They said what?: Astonishing quotes on American democracy, power, and dissent, Jim Hunt, 2009, f.7).

E padyshimtë është që penetrimi i tyre s'do të sjellë asgjë thelbësore në kuadër të krjimit të një hapësire të re të të menduarit dhe të vepruarit politik përveç që do të bëjë “garën zgjedhore” më interesante sa i përket premtimeve. Disa pëlqejnë të thonë se angazhimi i Kurtit dhe partisë së tij në politikën institucionale do ta gjallërojë konceptin e opozitës së nemitur në Kosovë. Ka shumë të ngjarë që gjallërimi i opozitës do të bëhet vetëm për aq sa janë të interesuara qendrat e huaja vendosëse për Kosovën. Fizionomia e partive politike do të jetë ajo e shumë partive politike të barabarta njëra me tjetrën, pa ndonjë epërsi të asnjërës, e menduar asisoj që kurdoherë qendrat e huaja të kenë epërsinë dhe luksin e të vendosurit në një ambient kaotik politik. Këtë gjë e din boll mirë edhe vetë Kurti sepse disa herë e ka shtjelluar fenomenin e barazimit sasior të partive politike në mënyrë që të jenë më lehtë të kontrollueshme prej të huajëve: "...krejt kjo në kuadër të rrugëtimit drejt barazimit të përafërt por të përgjithshëm të partive kryesore. Ligji i pushtetit suprem e do të këtë gjë. Diktatura e cila nuk do që ta përdor dhunën synon që forcat përfundi saj dhe mbi popullin të jenë sa më të barabarta. Natyrisht, në mënyrë që sundimi i tyre të jetë sa më i lehtë dhe sa më i gjatë" (Shih më gjerësisht "Drejt barazimit të kukullave" A.K, 25.09.2008). A thua vallë ç'do të thoshte helbete autori i këtij përkufizimi në lidhje me të sotmen ku edhe ai vetë po konkuron që të barazohet me kukullat e tjera? Një kukull e re që barazohet me të vjetrat. Atëherë përse duhet të votojmë për këto kukulla? Fundja në listën e arsyetimeve që jepte dikur Kurti për mos-pjesëmarrje në zgjedhje ishte edhe kjo: “jashtë sistemit politik je më politik sesa brenda tij. Brenda sistemit politik në Kosovë bëhesh disi teknik. E gjithë kjo për shkak se ky sistem politik nuk është në përputhje me vullnetin e popullit (që duhet të jetë burim i sovranitetit)”.

To be continued

KOMENTE