Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ishujt përballë Himarës, aty ku bukuria të zgjat jetën
English

Ishujt përballë Himarës, aty ku bukuria të zgjat jetën

Tre ishujt rrethohen nga një det i kaltër e i thellë, me një bukuri të mahnitshme, që të bën skllav të tij

Nga Av.dr. Jorgo Dhrami

Himarë, 3 nëntor, NOA - Nuk më shkonte kurrë ndër mend se do të vinte një ditë të vizitoja ishujt përballë Himarës, në tokën e bekuar Helenë. Kuptohet, kjo jo për mungesë të dëshirës sime, por siç dihej, atëherë, kufijtë e këtyre dy shteteve ishin hermetikisht të ndarë njëri nga tjetri, me klon që dhe zogjtë e kishin të vështirë të kalonin nga njëra anë në tjetrën.

Ardhja e demokracisë i fshiu këto pengesa, duke u dhënë mundësinë njerëzve të lëvizin të lirë, nga njëri shtet në tjetrin. Krijimi i një klime të tillë, i krijon mundësinë njeriut të vizitojë vendet e bukura turistike. Kur vizitova Sidarin e Korfuzit dhe pashë më nga afër për herë të parë në jetën time ishujt përballë Himarës, më lindi mendimi dhe dëshira për t'i vizituar ata. Së bashku me djalin, Arjanin dhe bashkëfshatarin tim (nga Qeparoi i Himarës), P.Gj. hipim në tragetin Aleksandros në Portin e Korfuzit (Qerqyrës), me destinacion ishujt përballë Himarës. Trageti është dykatësh dhe të siguron një udhëtim të qetë e normal. Megjithatë, ne, për të soditur bregdetin fantastik që përshkonte ai, nuk qëndruam ulur në kariket, por në kuvertën e tij. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe kënaqësi e jashtëzakonshme. Arta (Vlashi), mbesa ime, duke qenë e punësuar në këtë anije, na bëri të ditur më parë se udhëtimi mund të ishte i vështirë, pasi deti do të kishte dallgë. Për rrjedhojë, na propozoi që mund ta shtynim udhëtimin për një ditë tjetër.

Mirëpo, ne, dëshironim për të bërë këtë udhëtim. Rruga e përshkuar nga trageti prej Portit të qytetit të Qerqyrës dhe deri në fund të ballit të ishullit të Korfuzit me fytyrë nga Himara, mund të themi se nuk paraqiti ndonjë vështirësi në udhëtim. Por, kur trageti u fut në lundrim në det të hapur, për të shkuar tek te tre ishujt, qetësia u prish. Trageti po kërciste nga dallgët tepër të fuqishme të detit e bashkë me të, edhe ne po lëviznim si një lodër në duart e një fëmije. Ai, gati po fundosej. Herë batohej nga njëra anë e herë nga ana tjetër. Ndonëse kam udhëtuar disa herë me anije, një situatë të tillë nuk e kisha kaluar ndonjëherë. Duhej të mbaheshe fort në traget, ndryshe nga batimi që bënte ai, mund të përfundoje direkt në det, nga kuverta e tij ku ne ishim vendosur. Ishte më lehtë të shkoje direkt e në dallgët e egra 1-1.5 metra të larta e më tej, se sa të mbaheshe fort prej tubacioneve të tragetit. Nga kjo situatë kaq e vështirë, dolëm pa ndonjë dhembje, pasi drejtuesit e tragetit ishin specialistë të sprovuar në këtë det, që ndonjëherë bën hatanë. Ata, ndryshuan kursin e anijes, duke i qëndruar erës furtunë ballë për ballë, në mënyrë që ajo, të mos godiste në faqet anësore për ta përmbysur tragetin. Era ishte aq e fuqishme, sa ujët e dallgëve të detit që përplaseshin me bashin e tragetit, "të bënte dush" në kuvertën e anijes ku qëndronim ne.

Pas një udhëtimi prej gati 4 orësh dhe peripecive që hoqëm, më së fundi i drejtohemi fare afër ishullit të parë, më të vogël dhe të quajtur ERIKOSA (me theks te gërma E). Si ky ishull, ashtu edhe dy të tjerët që pamë më vonë, ngjasojnë me oazet e Afrikës, veçse me një ndryshim thelbësor. Oazet e Afrikës ndodhen në "Mbretërinë e Shkretëtirës Afrikane", midis dunave të larta të rërës tokëmbuluese, kurse tre ishujt rrethohen nga një det i kaltër e i thellë, me një bukuri të mahnitshme, që të bën skllav të tij. Në Oaze ekziston gjithmonë rreziku i shkatërrimit të tyre nga duna pa mbarim e rërës së shkretëtirës, kurse këtu në këta ishuj, dielli, lagështira dhe dora e njeriut ka bërë dhe bën çudira. Lum ata që banojnë apo vizitojnë këto anë.

E shikoj me admirim këtë ishull. Është një ishull simpatik, mjaft i gjelbëruar, me një bimësi të zhvilluar si nga dora e njeriut, ashtu edhe nga ajo e natyrës. Në të, rritet pemëtaria: Ullinj, qepariza, plepa, fiq, hardhi, etj. Lartësia e tij varion nga 70-100 metra dhe sidomos lartësia më e madhe ndodhet në anën veriperëndimore të tij. Ka një simetri të një trekëndëshi të shtypur në tre këndet e tij dhe që me përjashtim të anës së plazhit, pjesët e tjera të anës së detit, janë me humnera të ëmbla dhe të formuara nga përplasja e dallgëve të detit me tokën, në kohë shekullore. Përbërja e ishullit, tokës së tij, me aq sa munda të konstatoj, ishte shtufore dhe kjo ishte e lexueshme, sidomos në faqet e tij anësore që kufizoheshin me detin. Ndonëse ishulli është relativisht i vogël, në të banonin rreth 60-70 banorë autoktonë, në banesa 1 e 2 katëshe. Si qendra e ishullit, ashtu edhe vendbanimi i banorëve të tij, ishte përqendruar në anën jugore të ishullit, duke i kthyer shpinën anës veriore, nga e cila vërshonin me tërbim erërat e fuqishme. Këtu ndodhej edhe Porti simpatik, i cili shërbente për furnizimin e banorëve të ishullit me sendet e objektet e nevojshme të çdo drejtimi qoftë. Porti, ishte e vetmja urë lidhëse me ishujt e tjerë dhe pjesën kontinentale të Greqisë.

Sigurimi i ujit të pijshëm për banorët e përhershëm të tij dhe vizitorët turistë bëhet me anë të puseve të hapura me sondë, si dhe ujët e shiut në vende e mjete të veçanta. Shpërndarja e tij bëhej në mënyrë të çentralizuar, me sistem hidraulik dhe për rrjedhojë, në këtë ishull nuk ndiehej mungesa e tij. Për sa i përket energjisë elektrike, ajo ishte e vazhdueshme dhe sigurohej me anë të sistemit elektrik kabllor. Banorët, në oborret e tyre realizonin prodhimin e qepës, patates, domates, specit dhe asortimente të tjera që i nevojiten ekonomisë shtëpiake.

Ishulli është me një të ardhme mjaft të mirë. Sikundër përmenda pak më lart, ai ka një plazh simpatik, relativisht të madh në raport me madhësinë e tij. Karakteristikë e veçantë e këtij plazhi, të cilën nuk e kanë dy ishujt e tjetër komshinj, është rëra e hollë dhe gjerësia e plazhit nga bregu në valën e detit është më e madhe, rreth 10-15 metra. Në anën tjetër, lartësia mesatare e relievit të tij, fare e vogël, të jep mundësinë që edhe duke ecur në këmbë, ta sodisësh atë nga njëra anë në tjetrën, pavarësisht se lidhjet midis banorëve të tij realizohen nëpërmjet një rruge automobilistike të asfaltuar.

Pasi brenda një kohe prej 10-15 minutash u bë zbritja dhe ngjitja e pasagjerëve të tragetit, sipas destinacionit të tyre, marrim rrugën për në ishullin e dytë të udhëtimit tonë, Madhraqi. Ky ishull, relativisht është më i madh se ishulli Erikosa dhe me një port po më të madh, të ndarë në dy zona (ambiente) për ankorim të trageteve dhe të skafeve turistike. Porti, nga ana jugore dhe veriore ishte i rrethuar me një mur guri, i cili siguronte paprekshmërinë e zonës ujore të portit, sado e egër të ishte dallga e detit jashtë saj. Thellësia e portit nuk ishte si ajo e portit të ishullit të Erikos, pasi ishte më pak e thellë, dhe për pasojë, kur bëhej ankorimi, elika e anijes krijonte një turbullirë, e cila arrinte deri në sipërfaqen e ujit, duke e kthyer ujin e detit nga kristal, në gri. Besoj se e ardhmja dhe kërkesa për një turizëm elitar do të sjellë nevojën e thellimit të këtij porti, pavarësisht se kjo mangësi, aktualisht nuk sjell ndonjë pengesë për tragetet apo anijet e tjera që ankorohen në të. Ishulli, ka po atë bimësi që ka edhe ishulli Erikosa, sepse distanca ndërmjet tyre është fare e afërt, rreth 10-20 minuta me traget, kurse në vijë ajrore, akoma më e vogël. Në realitet, koha e udhëtimit na zgjati më tepër, sepse drejtuesit e tragetit, për shkak të dallgëve të larta të detit dhe erës që i krijonte dhe favorizonte ato, ishin të detyruar t'i përgjigjeshin një kursi tjetër nga ai i një dite normale. Ishulli, duke marrë për pikënisje qendrën e portit, ka dy rrugë automobilistike, të cilat realizojnë ndërlidhjen e banorëve të këtij ishulli me njëri-tjetrin. Njëra rrugë, por e paasfaltuar, merr majtas në anën jugore të ishullit, buzë anës së tij, kurse tjetra e asfaltuar shkon në qendër të fshatit të ndodhur në mes të ishullit, në një lartësi rreth 50-60 metra mbi nivelin e detit. Lartësia e ishullit, ajo maksimale shkon nga 150-200 metra. Banorët autoktonë të tij që jetojnë në mënyrë të përhershme, janë rreth 100-150 persona. Edhe në këtë ishull, si në dy ishujt e tjerë Erikosa e Othonis, emigracioni ka sjellë varfërimin e popullatës në numrin e tyre, të paktën kjo që nga vitet 1960-1970. Sipërfaqja e ishullit është e ndarë në 2 pjesë në formën e dy kotiledoneve, gati në pjesë të barabarta midis tyre. Ka dy lugina, të cilat bëjnë këtë ndarje. Megjithëse ishulli është mjaft i gjelbëruar, sidomos kjo në anën juglindore të tij, bimësia ndryshe nga dy ishujt e tjerë komshinj, nuk është e lartë, por relativisht e shkurtër. Kjo, ndoshta mund të jetë rrjedhojë e mungesës së ujit, ose të kohëvendosjes së vonë të tyre nga dora e njeriut, pa përjashtuar këtu si faktor natyrën. Është për të theksuar se edhe në këtë ishull banesat janë 1 e 2 katëshe. Ujin dhe dritën elektrike e kanë të vazhdueshme në 24 orë, duke i siguruar me anë të një kablli nënujor, si dy ishujt e tjerë.

Ndryshe nga ishulli Erikosa, formacioni i tokës këtu është shkëmbore, me gurë gëlqerorë. Megjithatë, për shkak të sipërfaqes relativisht të vogël të ishullit, ky formacion tokësor nuk është në gjendje të shërbejë si ujëmbledhës në sipërfaqe dhe për rrjedhojë, të krijojë mundësinë e burimeve ujore natyrale. Në krahasim me dy ishujt e tjerë të kësaj zone, ana bregdetare për turizmin nuk është aq favorizuese sa ata, pasi mungon prezenca e rërës. Veçse, duhet thënë se ky ishull, ndryshe nga dy të tjerët, ka një ishull të vogël, "satelit", në veriperëndim të tij, që përveç përbërjes së tij shkëmbore, nuk ka asgjë tjetër. Në anën tjetër, forma e këtij ishulli është i gjatë dhe i ngushtë, ndërsa popullata është e përqendruar në mënyrë të grumbulluar në një vend.

Pasi lamë edhe këtë ishull, tash i erdhi radha për të folur për ishullin e tretë, OTHONIS. Është i treti nga qëndrimi i udhëtimit të tragetit, por më i madhi, më i populluari, më i gjelbëruari. Është "kryeqyteti" i këtyre tre ishujve.

Sa zbritëm nga trageti, marrim rrugën për t'u ulur në një kafe-pijetore që dukej nga rruga, për të pirë një kafe apo pije freskuese, sepse kishim udhëtuar me traget mbi 5 orë. Fillimisht, shansi nuk na eci në këtë drejtim, pasi i zoti i lokalit, ishte shtetas italian dhe si ai, dhe bashkëshortja e tij që na shërbyen, nuk dinin të komunikonin në gjuhën e vendit greqisht. Pronari i lokalit, megjithëse kishte orarin e mbylljes përkohësisht, u tregua i sjellshëm dhe bëri përjashtim për ne. Kështu që u ulëm të tre dhe porositëm nga një kafe.

Marrim rrugën për në krye të ishullit Othonis. Shkojmë. Përafërsisht, në qendër të tij, ndodhet një kishë e bukur dhe simpatike, Kisha e Shën Jorgjit (Jorgos). Para portës së saj bëmë ritualin e zakonshëm fetar.

Qëndrimi në këtë pikë të ishullit, si më e larta e banimit të njeriut, ishte mbisunduese. Ajo të jepte mundësinë të shikoje, jo vetëm ishullin e Othonit dhe dy ishujt e tjerë komshinj, por edhe shumë e shumë më larg në një fushëpamje mjaft të largët, si në pëllëmbën e dorës.

Ishulli Othonis ka një përbërje interesante. Ai, jo vetëm që është ishulli më i madh në raport me dy të tjerët, por ka formacione tokësore, të tilla që kënaq plotësisht dëshirat e njeriut në përgjithësi. Ai, i krijon njeriut klimë bregdetare, fushore, luginore dhe malore. Njeriu në këtë ishull mund t'i kryejë pushimet ku t'i dojë qejfi, në daç në anë të detit apo në majë të malit. Është interesante kjo. Natyra ka parashikuar dhe programuar këto mrekullira për banorët e këtyre anëve.

Maja e malit të ishullit Othonis ka një lartësi rreth 400 metra. Përbërja e tokës së ishullit, kryesisht është shkëmbore dhe pak shtufore. Ka dy burime të fuqishme uji të krijuar me sonda, nga të cilët bëhet furnizimi normal i banorëve të ishullit. Nga studimi që kanë bërë ekpertët përkatës, ekzistojnë mundësi të tjera të zgjerimit të sasisë së ujit të pijshëm të nxjerrë nga nëntoka po me sonda. Duke filluar nga porti i ishullit, si pikë referimi, ka tre rrugë automobilistike të asfaltuara, të cilat të çojnë në drejtime të ndryshme, në qendrat e populluara, apo në qendrat turistike. Ka një shkollë tetëvjeçare dhe një popullatë të përhershme me rreth 400 banorë. Më parë, popullata e këtij ishulli ka qenë rreth 2000 banorë, por pjesa më e madhe e saj kanë emigruar brenda dhe jashtë vendit. Sot, gradualisht këta persona po rikthehen, duke ndërtuar banesat e tyre për të banuar në mënyrë të përhershme apo të përkoshme në këtë ishull. Ishulli ka 14 mëhalla (grup fisesh).

Bimësia në këtë ishull është po e njëjta si në dy ishujt e tjerë, sepse afërsia dhe klima është e njëjtë. Secila familje ka baçe dhe me anë të tyre sigurojnë nevojat ekonomike të shtëpisë për patate, qepë, domate, speca, fasule e asortimente të tjera, si dhe kultivimin e ullirit dhe marrjen e vajit të tij.

Të tre ishujt për shkak të gjelbërimit të tyre janë vendmbajtës dhe vendrritës të bletëve, duke siguruar prej tyre mjalt të cilësisë së lartë. Po kështu, janë vende të përshtatshme për rritjen e gjësë së gjallë, në veçanti të dhisë. Për rritjen dhe mirëmbajtjen e tyre, nuk kërkohet mundim i madh, sepse në këta ishuj mungojnë dy faktorët që janë armiq të tyre: kafshët e egra dhe kusaria e njerëzve. Ato lihen të lira t'a ndërtojnë jetën e tyre si kafshë të egra, pasi banorëve të këtyre anëve ato u nevojiten vetëm për mish. I vetmi shërbim që u bëhet atyre nga dora e njeriut, është ujitja. Meqenëse të tre ishujt nuk kanë vendburime ujore natyrore, banorët e këtyre ishujve në vende të caktuara kanë krijuar vende të përshtatshme për të krijuar depozita të hapura ujore, ku shkon e pi ujë bagëtia.

Diçka tjetër që desha të shtoj në këtë shkrim, është dhe problemi i besimit fetar. Banorët e këtyre tre ishujve, ndonëse siç e kam përmendur më sipër, janë mjaft të pakët si popullatë, ata janë tepër të kujdesshëm në besimin fetar. Të gjithë banorët janë të besimit të krishterë, ortodoks. Secili ishull ka të ndërtuar në një vend të dukshëm dhe mbisundues një kishë, në të cilën banorët bëjnë dhe zhvillojnë ritualin fetar. Këtu bëjnë ceremoninë e pagëzimit të fëmijëve kur lindin, të martesave të të rinjve, duke vënë kurorën, si dhe mbylljen e jetës, në rastin e vdekjes së personit. Banorët e këtyre anëve ruajnë po ato zakone e tradita, si banorë të ishullit të Korfuzit, apo të pjesës kontinentale të Greqisë. Territori i vogël i këtyre ishujve, popullata tepër e vogël, si dhe distanca jo e vogël me ishullin mëmë të Korfuzit, nuk i ka penguar dhe nuk i pengon që jo vetëm t'i ruajnë këto zakone dhe tradita, por t'i çojnë edhe më tej ato. Të qenurit e një popullate të vogël, në një territor po të vogël, kishte kondicionuar bashkësinë unike dhe kompakte të këtyre njerëzve. Mund të them pa frikë se midis këtyre banorëve, si brenda territorit të një ishulli, ashtu dhe midis tre ishujve, nuk ekzistonte fenomeni i konflikteve të çdo karakteri qoftë, nuk ekzistonte vjedhja midis tyre, etj. Gëzimin dhe hidhërimin, banorët e ndanin së bashku, si një familje e madhe.

Ishulli i Othonit, më parë ka qenë kryeqendra e këtij grup ishujsh. Ajo kishte në administrim jetën e vendit dhe në dy ishujt e tjerë. Por, aktualisht, kjo mënyrë administrimi ka ndryshuar, dhe për rrjedhojë ishujt varen nga Bashkia e Korfuzit. Çdo ishull ka një kryeplak. Ndoshta, kjo mënyrë organizimi dhe vartësie e këtyre tre ishujve, mundet të ketë ardhur si rrjedhojë e nevojës të organizimit të një turizmi të programuar, në mënyrë që të mënjanohet zhvillimi i tij mbi baza individuale, pjesore dhe primitive.

Nga sa pashë dhe trajtova më sipër, mendoj se e ardhmja e këtyre tre ishujve, duhet të jetë e shkëlqyer. Këtë mendim, nuk e mbështes vetëm në dëshirën time, por në disa faktorë realë: Klima, formacioni tokësor, ekzistenca e gjireve të mbrojtura nga erërat e forta që përplasen në këta ishuj, si dhe prania e rërës, janë faktorë nxitës për zhvillimin e turizmit. Ujët e anës së detit, tepër i pastër, pastërtia dhe kthjelltësia e detit, siç dihet janë të lakmueshme për turistët dhe çdo person tjetër qoftë. Dhe këta faktorë në këta tre ishuj, nuk mungojnë. Por, nëse ky faktor objektiv ishte i prekshëm me dorë, edhe faktori subjektiv nuk mbetej mbrapa. Në veçanti kjo, evidencohej më tepër në ishullin më të madh, në atë të Othonit. Plaga e emigracionit të banorëve të këtij ishulli, kishte filluar të kurohej me medikamentin më efikas. Malli dhe nostalgjia e banorëve të emigruar, kishte bërë që ata me të ardhurat që kishin siguruar nga emigrimi, të rikthehen në mënyrë përfundimtare apo të përkohshme në këtë ishull. Rikthimi i tyre, sipas mendimit tim, është i sigurtë, ai duhet t'a gjallërojë më tej jetën e ishullit. Ka një harmonizim interesash: Shuarjen e mallit të nostalgjisë për vendlindjen dhe vendbanimin e mëparshëm të këtyre banorëve, me përfitimin apo sigurimin e të ardhurave ekonomike, nga turizmi, që do të zhvillohet në të, apo këta tre ishuj. Gradualisht, emigracioni në këto anë do të kalojë në muze. Ky është parashikimi im, se ngjarjet kështu do të zhvillohen dhe shpresoj që të mos jem i gabuar.

Veçse, desha të nënvizoja se ripopullimi i këtyre ishujve, nuk duhet bërë vetëm në mënyrë individuale, por në një farë mënyre të jetë i organizuar edhe nga ana e shtetit, me anë të urbanistikës. Nuk duhet lejuar që banorët e rikthyer apo ata që nuk janë larguar ndonjëherë nga jeta e ishullit, të bëjnë ndërtime aty ku e çmojnë ata dhe me projektin se si dëshirojnë po ata. Mendoj se Bashkia e Korfuzit, që i administron edhe këto anë, duhet të tregohet shumë e vëmendshme, objektive dhe aspak tolerante.

Ndërtimet duhet të bëhen sipas një projekti të paramiratuar nga urbanistika, në mënyrë që bukurisë së rrallë natyrore të këtyre ishujve, t'i përgjigjet edhe bukuria e bërë nga dora dhe mendja e njeriut. Ndryshe, brezat që vijnë më pas, do t'a konsiderojnë gabim historik këtë.

Nisur nga fakti që rifillimi i jetës masive në këta ishuj, në pikëpamje të urbanistikës, duket i mbarë, shpresoj që kështu do të vazhdojë edhe më pas. Do të më bëhet zemra mal që kur të vij herë tjetër si vizitor, në këta ishuj, të shoh një mrekulli të ndërtuar nga dora e njeriut. Bekuar qofshin banorët e këtyre anëve, të cilët janë krenarë, si për vendlindjen, ashtu dhe për vendbanimin dhe të parët e tyre, që këtë tokë e kanë mbrojtur me gjak e sakrifica, nga pushtuesit e huaj. Në këta tre ishuj, Perëndia dhe natyra kanë qëndisur me dorën e vet gjithçka të mirë, duke e kthyer në bahçe me lule.

Por, lulja më e bukur, pa të cilën kjo bukuri do të venitej, është njeriu, banor i këtyre anëve, që i ka qëndruar me besnikëri të pashoqe kësaj toke të bekuar. Ndaj, ata duhen përgëzuar dhe uruar jetë të gjatë dhe të lumtur.

* Doktor i Shkencave Juridike

KOMENTE