English

Raporti “Të bësh biznes në 2011”: Shqipëria, ka lehtësuar barrën fiskale

Tiranë, 4 nëntor, NOA – Shqipëria ka lehtësuar barrën fiskale për kompanitë duke përmirësuar disa ligje, duke reduktuar kontributin për sigurimet shoqërore dhe futur ruajtjen elektronike të dokumentacionit, si dhe pagesat elektronike.

Këto janë disa nga lehtësirat dhe favoret që përmenden për botën e biznesit në vendin tonë, në raportin “Të bësh biznes në 2011” i hartuar nga Banka Botërore, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 82, për nga kushtet e favorshme të të bërit një aktivitet privat.

Në përmbledhjen e reformave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, përmendet sesi fushat e reformës për rregullat e biznesit janë kryesisht në shlyerjen e taksave.

Në renditje, sa u përket vendeve të rajonit tonë, Bosnja dhe Hercegovina ëstë pas Shqipërisë, në vendin e 110 dhe për të thelsohet se ka thjeshtëzuar procesin e taksave të punës dhe ka zvogëluar vonesat në regjistrimin e pronës dhe të tokës; kurse Bullgaria renditet para nesh, në vendin e 51.

Ndërkaq, Shqipëria lë pas edhe Kroacinë, e cila renditet në vendin e 84 të këtij raporti, kurse Kosova është në vendin e 119, e për të thuhet se “ka vështirësuar procesin e hapjes të biznesit duke zëvendësuar numrin fiskal me një numër taksor i cili kërkon më shumë kohë për t’u marrë dhe kërkon që administrata e taksave ta inspektojë fillimisht biznesin në vendin ku ai ndodhet”.

E para nga vendet e rajonit në raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes në 2011” është Maqedonia, e cila renditet e 38-a, për të cilën thuhet se “ka zvogëluar kostot për kompanitë duke kërkuar që taksa mbi fitimin e korporatave të paguhet vetëm mbi dhënien e dividentit. Ka lehtësuar fillimin e një biznesi duke përmirësuar më tej one-stop shop”.

n.e/NOA

KOMENTE