English

Topalli: Regjimi pa viza, do ta bëjë perspektivën evropiane më të prekshme

Tiranë, 4 nëntor, NOA – “Ne po presim, të bindur se vota e Parlamentit Evropian do të pasohet nga miratimi i ministrave të Brendshëm të BE me 8 nëntor, për heqjen e vizave. Ky vendim për udhëtim pa viza është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët e vendit tim. Ai do të na afrojë më shumë me BE-në. Regjimi pa viza do ta bëjë perspektivën evropiane më të prekshme”.

Kështu u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë përshëndetjes së punimeve të takimit të 2-të parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri.

“Ky takim i dytë i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-asocimit është shprehje e nivelit shumë të lartë të bashkëpunimit mes PE dhe Kuvendit të Shqipërisë”, tha ajo para delegacionit evropian. Duke shtuar se pala shqiptare e konsideron këtë liri bashkudhëtare me përgjegjësitë e qytetarëve shqiptarë. “Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë të gjitha garancitë e nevojshme për konsolidimin dhe progresin e mëtejshëm të arritjeve të bëra”, tha ajo.

Duke shtuar se “për të arritur deri në raportin e komisioneres Malstrom që vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit e korrupsionit, përmbushjes së udhërrëfyesit dhe deri tek votëbesimi në Parlamentin Evropian për reformat e realizuara, Kuvendi, qeveria dhe institucionet e tjera kanë bërë një punë të madhe e serioze”. Kuvendi që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, që u vëzhguan nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, nga Ju, nga PE-ja dhe të çertifikuara nga OSBE/ODIHR si zgjedhje që plotësuan kriteret kryesore te OSBE/ODIHR, ka punuar me përkushtim, ka bërë të mundur një bilanc legjislativ pozitiv të konsiderueshëm e të rëndësishëm.

“Nga shtatori 2009 deri sot që po flasim, Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar 284 ligje, vendime e rezoluta. Në Komisionet Parlamentare, në 577 takime, apo 901 orë, janë shqyrtuar dhe kaluar për votim në seancë plenare 299 projekte (ligje, vendime, dhe rezoluta). U organizuan 136 seanca dëgjimore. 98 grupe interesi u ftuan në këto seanca dëgjimore me qëllim që të merrej mendimi i tyre për projektligjet në proces shqyrtimi. 16 institucione kushtetuese apo ato të ndërtuara me ligj raportuan në mbi veprimtarinë e tyre vjetore në komisionet parlamentare. Komisionet ushtruan 35 kontrolle parlamentare në institucionet qeveritare dhe në ato publike”, shtoi më tej Topalli.

Duke përfunduar se mazhoranca përmes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka bërë ofertat bazuar në rezolutën e Parlamentit Evropian, për hetimin e zgjedhjeve të 2009.

n.e/NOA

KOMENTE