English

Topi: Nuk më bëjnë përshtypje akuzat e partive, jam në rregull me pozicionin tim

Londër, 5 nëntor, NOA – “Presidenti, që është një pozicion i lartë institucional, natyrisht që kur bëhet fjala për marrëdhëniet me subjektet politike, këto marrëdhënie janë thellësisht institucionale, që do të thotë që Presidenti është larg çdo lloj emocioni dhe larg çdo lloj arsyetimi mbi back-groundin e tij politik, formimin e tij, por, ka një detyrim, një detyrim që lind nga dokumenti themeltar i shtetit, që ka të bëjë me Kushtetutën”.

Kështu u shpreh presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një interviste për “BBC, ndërsa ndodhet për vizitë në Londër. Sipas tij, “nëse presidenti zbaton Kushtetutën në mënyrë shumë rigoroze, patjetër që të gjitha marrëdhëniet përcaktohen dhe i konsideron si korrekte”.

Z. Topi, cili ishte vlerësimi juaj për këtë vizitë me karakter pune në Angli?

Unë mund t’ju them që kanë qenë dy ditë intensive pune. Jam takuar së pari me përfaqësues të Dhomës së Komuneve, me parlamentarë të nderuar, që bëjnë pjesë në grupin gjithëpërfshirës për Shqipërinë dhe për rajonin. Kanë qenë takime ku janë analizuar në mënyrë shumë specifike të gjitha marrëdhëniet që ekzistojnë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. I kam falënderuar për të gjithë atë kontribut që ato kanë dhënë gjatë viteve të demokracisë, në mënyrë të veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë ata futjes së Shqipërisë në NATO dhe tani, për atë mbështetje që po jepet drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Më pas, kam takuar Kryeministrin Dejvid Kameron, me të cilin ndava disa biseda mjaft të rëndësishme për sa i takon bashkëpunimit, kryesisht në fushën e sigurisë, diskutuam për situatën në Afganistan, për nevojën e bashkëpunimit sa më të ngushtë të trupave tanë me trupat e aleatëve, për të rritur dhe profesionalizmin dhe sigurinë e trupave. Patjetër, kemi folur dhe për çështje të shërbimit inteligjent për ta përafruar atë totalisht në parametrat dhe standardet e partnerëve tanë, duke qenë se Shqipëria tashmë është një vend i NATO-s, ku ka patjetër dhe detyrime që Shërbimi Informativ të rregullohet në mënyrë të tillë, që të jetë plotësisht në standardet e vendeve të NATO-s. Kemi diskutuar për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve tona. I kam paraqitur zotit Kryeministër edhe njëherë të gjitha ato prioritete që ka Shqipëria. E kam konsideruar Shqipërinë si një histori suksesi dhe me mundësi të jashtëzakonshme për të investuar, duke ofruar edhe mundësinë për investime të mëtejshme nga investitorët anglezë. Më pas, kemi biseduar me Ministrin, me Sekretarin e Shtetit për Evropën, Lidington, me të cilin ndamë vërtet shumë momente të politikës së jashtme të Shqipërisë, të rolit moderator që Shqipëria po luan në rajonin ballkanik, kemi diskutuar për Kosovën, kemi diskutuar për nevojën që Kosova ka për t’u njohur nga vende të tjera, për të rritur gjeografinë e njohjes. Kemi diskutuar për situatën politike dhe së fundmi, mund t’ju them që kam pasur një takim me Kryetaren e Dhomës së Lordëve, me Baroneshën, e cila, disa javë më parë, vizitoi Shqipërinë. Takimi ka qenë shumë i përzemërt. Pra, në të gjitha takimet mund të them që kemi ndarë të njëjtin opinion që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë marrëdhënie të konsoliduara, janë marrëdhënie që patjetër do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjitha fushat. Dje, unë kam pasur gjithashtu një takim me studentët e Unionit të Universitetit të Oksfordit, kam pasur një leksion relativisht të gjatë. Pastaj, gjithçka ka kaluar në interesin e studentëve për të realizuar pyetje, gjithçka shumë të interesuar për Shqipërinë, për rajonin, dhe besoj që ka qenë një komunikim shumë i natyrshëm, duke më kthyer edhe nostalgjinë e viteve të universitetit. Dhe, kur është fjala për realitetin në Shqipëri, për të cilin keni folur edhe përpara Unionit të Oksfordit, zoti President, interes strategjik i vendit - këtë e keni konfirmuar dhe ju – është integrimi në Bashkimin Evropian. Së shpejti, pritet të jepet përfundimisht dhe zyrtarisht drita jeshile që shqiptarët të udhëtojnë në zonën ‘Shengen’ pa viza. Ndërkohë, pritet progres-raporti për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Realiteti në Tiranë, zoti President, - këtë e dini më së miri ju, - duket se shtron shumë pikëpyetje, pikërisht për sa i përket klimës politike, në radhë të parë mes mazhorancës dhe opozitës. Si e shikoni këtë? Natyrisht, para se të dalim tek problemet, duhet të evidentojmë suksesin. Fakti që shqiptarët do të lëvizin pa viza, pra, pas vendimit të Parlamentit Evropian dhe pas atij vendimi që të marrin Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, konfirmon patjetër një linjë suksesi të institucioneve shqiptare. Patjetër pastaj, një sfidë shumë e rëndësishme para institucioneve, para shqiptarëve është marrja e statusit të vendit kandidat. Gjithsesi, mund t’ju them që, suksesi i liberalizimit të vizave dhe shansi për të marrë statusin e vendit kandidat na lejon që të shohim edhe në perspektivën e funksionimit sa më të mirë të institucioneve. Pyetja juaj kishte të bënte me disa momente të moskoordinimit të faktorit politik për disa debate, që juve besoj i keni ndjekur me interes, debate të cilat shfaqen në jetën politike të Shqipërisë për probleme nga më të ndryshmet. Mund t’ju them që në parim, në një vend demokratik patjetër ekzistojnë debatet. Debatet bëhen për gjithçka. Bëhen debate sigurisht të strukturuara. Aty ka një element i cili ndoshta na bën të ndjehemi keq, që vërtetë, kur vjen problemi për të bashkëpunuar, ose kur në përfundim të debatit, kërkohet që të dilet me një produkt, dhe produkti është mirëkuptimi për ligje të caktuara, ne atë nuk e shikojmë. Dhe patjetër kjo na shqetëson. Kjo është arsyeja që kohë pas kohe, unë kam dhënë apele të drejtpërdrejta për klasën politike. Presidenti është brenda kufijve, kontureve të Kushtetutës, por gjithçka që ndodh në Parlament, është në vullnetin e plotë të forcave politike për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur problemet. Kur është fjala për zgjidhjen e problemeve, krijohet përshtypja se një tryezë nën kujdestarinë tuaj me dy aktorët kryesorë, liderët e dy partive kryesore në Tiranë, dështoi. Ju i quani momente të vështira, por krijohet përshtypja se për çdo sherr të vogël, politikanët në Tiranë, sytë i kthejnë nga Brukseli, nga Uashingtoni, apo nuk hezitojnë të hanë darka në Strasburg dhe efekti del shterp. Unë nuk i konsideroj takimet institucionale si një mundësi për të deklaruar dështimin, kurrsesi. Nuk është rasti i vetëm kur unë kam organizuar tryezë në takimin midis përfaqësuesve kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës. Ka pasur edhe një takim tjetër, ku palët kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të gjejnë së paku në atë takim, momente të përbashkëta, që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe të pushtetit vendor. Për sa i përket çështjes së debatit politik të radhës, patjetër që është organizuar një tryezë në Presidencë dhe më vonë kemi pasur një takim me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pra, problemi I ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, ka pasur një interes nga strukturat ku bën pjesë Shqipëria dhe ku monitorohet, dhe fakti që nuk ka pasur një rezultat konkret, tregon që ende ka një impas në këtë lloj marrëdhënieje, por kurrsesi nuk do ta konsideroja një dështim, sepse ta konsiderosh të dështuar, do të thotë që të kesh mbyllur të gjitha shtigjet e komunikimit. Besoj që është një proces dhe mbetem optimist që këto probleme do të gjejnë zgjidhje patjetër. Le të kalojmë tek zhvillimet në rajon, zoti President. Thatë se me bashkëbiseduesit tuaj britanikë keni biseduar edhe për Kosovën. Kosova, më 12 dhjetor do të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme. I keni pritur si të jashtëzakonshme këto ngjarjet e fundit në Prishtinë? Natyrisht i kam ndjekur me shumë vëmendje ngjarjet në Kosovë. Ajo që unë mund të them, natyrisht është dëshira, që nuk mbetet vetëm si dëshirë e imja, por e të gjithë shqiptarëve, që problemet institucionale që janë krijuar në Kosovë të zgjidhen në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrën më demokratike, sepse është çështje e funksionalitetit të institucioneve të Kosovës, por është çështje edhe e imazhit të Kosovës. Unë, kurrsesi nuk mund të futem për të bërë analiza specifike për situatën e brendshme në Kosovë, sepse i takon vetë faktorëve politikë të Kosovës, i takon institucioneve të Kosovës, që të sillen në mënyrën e duhur dhe unë kam besim të plotë që klasa politike e Kosovës e ka maturinë e duhur për të diskutuar dhe për t’i zgjidhur problemet. Zoti President, krijohet përshtypja se pas vizitës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, në Beograd dhe në Prishtinë, është vërejtur një ç’tensionim në retorikën e politikanëve kosovarë dhe atyre serbë, për sa i përket mundësisë së bisedimeve, sikundër thuhet për çështje teknike. Mendoni se do të shkohet përpara, do të vijë koha e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe? Ne shpresojmë që Serbia dhe faktori politik dhe institucional në Serbi të ndërgjegjësohet dhe të zbresë në realitetin konkret, çka do të thotë që ende Serbia nuk është ambientuar me atë evolucion të jashtëzakonshëm që kanë bërë institucionet e Kosovës, së pari, duke shpallur pavarësinë, së dyti, duke marrë të drejtën si një vendim legjitim nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjithashtu, edhe nga një vendim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke aprovuar një Rezolutë, e cila u sponsorizua nga vendet e Bashkimit Evropian, që do të thotë Kosova ka një realitet jo vetëm të ri, por të konsoliduar. Por kjo nuk do të thotë që vendet në rajon të mos bisedojnë dhe ne do t’i inkurajonim bisedat midis institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Serbisë, por sigurisht nga kushtet, nga pozicionet e dy vendeve sovrane, ku asgjë nuk mund të vihet më në dyshim për legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Ne dëshirojmë që të zhvillohet dialogu politik në të gjitha vendet e rajonit, sepse të gjitha vendet e rajonit, besoj të ardhmen e kanë në familjen euroatlantike.

Zoti President, ishte njoftuar më parë se homologu juaj serb, Boris Tadiç së shpejti do të vizitonte Tiranën. U përmend si datë e mundshme, në mos gabohem, muaji tetor, dhe ende nuk ka ndodhur. Ka ndonjë pengesë, ka ndonjë zhvillim në këtë rrafsh? Është njoftuar. E kemi dëgjuar nëpërmjet mediave, por ende nuk ka një ftesë për Presidentin Tadiç për të vizituar Shqipërinë. Dhe, duke marrë në konsideratë që kjo ftesë do të bëhet nga Presidenti i Shqipërisë në një rast eventual, përderisa unë e konfirmoj që nuk ka ftesë, domethënë, çdo gjë tjetër që hamendësohet, mbetet në një terren jo real. Kjo nuk do të thotë që në një të ardhme, pikërisht në linjën e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, duke marrë në konsideratë që disa çështje patjetër janë çështje për të cilat ne asnjëherë nuk do të biem dakord. Unë jam i bindur që për Kosovën, ne dhe Serbia nuk do të biem dakord. Ata kanë një pozicion të qartë. Ne sigurisht jemi shumë të qartë në këtë pozicion, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të bisedojmë për tema të tjera të rritjes së dialogut politik, të rritjes së shkëmbimeve ekonomike, të përmirësimit të një klime të investimeve, por për të biseduar edhe për kushtet, në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi. Në këtë rast, kur është fjala për bashkëpunimin rajonal, cili është fati i një takimi rajonal në Tiranë mes jush dhe homologëve tuaj të rajonit? Do të zhvillohet në nëntor? Unë e di që po punohet nga stafet për këtë. Nuk është një takim që organizohet nga Presidenti shqiptar. Përkundrazi, është një takim që është kthyer në një lloj rituali që bën ciklin e vet në të gjitha vendet e Ballkanit. Po punohet dhe ende jemi në fazën e marrjes së konfirmimeve për të realizuar takimin. Nuk është e thënë, është paralajmëruar ndoshta për nga fundi i nëntorit, por nuk mund të them që është caktuar një datë. Në momentet kur të gjithë presidentët do të jenë gati dhe të liruar nga axhendat e tyre për të marrë pjesë në një takim të mundshëm, atëherë do të njoftohet ekzaktësisht data e organizimit të këtij takimi të radhës, që mendohet të bëhet në Tiranë. Zoti President, thoni se shqiptarët dhe serbët kurrë nuk do të pajtohen për gjithçka. A ekziston mundësia që ju si ndërmjetës të organizoni një takim mes Presidentit serb dhe homologut të tij kosovar? Është herët? Të jemi korrekt në artikulimin e përgjigjes që unë sapo dhashë. Në termat e referencës të bisedimeve që eventualisht ne do të kemi me serbët, me përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, për disa gjëra është e pamundur për aq sa shikohet, që ne të biem dakord. Për shembull, për çështjen e Kosovës, qëndrimet tona janë diametralisht të kundërta. Por, në termat e bisedimeve mund të ketë mjaft gjëra të tjera, për të cilat ne mund të diskutojmë, për forcimin e marrëdhënieve të karakterit ekonomik, për rritjen e klimës së investimeve, për marrëdhëniet kulturore, për lehtësimin e marrëdhënies së komunikimit të njerëzve në rajon, për politikat të cilat janë sinergjiste qoftë për ne, qoftë për Serbinë për të shkuar në Bashkimin Evropian, pra, në këtë sens, unë do të thoja që ekziston i gjithë predispozicioni që unë të ftoj edhe për takime të mundshme që mund të realizoj, një ulje në tavolinë edhe të atyre Presidentëve, që deri më sot nuk janë ulur. Megjithatë, le t’ia lemë kohës, sepse çdo gjë do të vijë me kohë. Asgjë nuk vjen në mënyrë të menjëhershme, edhe politika evoluon, edhe pozicionet evoluojnë, por një gjë unë mund të konstatoj sot, që Kosova, pas dy vitesh e gjysmë pavarësie, ka konsoliduar ndjeshëm pozicionin e saj dhe në çdo bisedë të mundshme, Kosova do të diskutojë me vendet e tjera si një vend i lirë, sovran, demokratik, i pavarur. Zoti President, ne, këtë intervistë, këtë bashkëbisedim me ju e patëm paralajmëruar për programin tonë “Zigzag”. Në mungesë të kohës, në një farë mënyre, le t’ju përgjigjemi, po mundohem t’i perifrazoj pyetjet, disa nga pyetjet kryesore të lexuesve tanë të faqes sonë të internetit ‘bbc.albanian.com’, ku e kemi paralajmëruar pjesëmarrjen tuaj në këtë emision. Një grup pyetjesh të dëgjuesve tanë shprehin interesimin për të dëgjuar mendimin e Presidentit për atë që mund të emërtohet si identitet dhe bashkim kombëtar. Aty-këtu edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë, edhe në Shkup, edhe në Luginën e Preshevës dëgjohen zëra të tillë. Unë mendoj që vitet e fundit ka pasur mundësi të mëdha të komunikimit midis njerëzve në rajon, në mënyrë të veçantë midis shqiptarëve në rajon. Kjo është bërë e mundur edhe në sajë të aksesit për lëvizje të njerëzve, por është bërë e mundur dhe nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës. Unë do të thoja që edhe media ka bërë punën e vet. Sot, emisionet televizive të stacioneve të vendeve tona shikohen me lehtësi nëpërmjet valëve satelitore, kështu që në një farë mënyre mund të them që vjen dhe rritet mundësia për t’u sintonizuar elementët më të qenësishëm që ka një komb: gjuha, kultura, historia. Por, për sa i përket atij elementi që juve e cituat, që ka të bëjë me bashkimin, unë mund t’ju them që e ardhmja e vendeve tona, si vende sovrane, të lira, patjetër që është në familjen euroatlantike, që do të thotë, ne të gjithë do të bashkohemi në Bruksel. Një grup pyetjesh të tjera lidhen me vlerësimin, që do të dëshironin dëgjuesit tanë ta dëgjojnë, për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Nga një lexues i yni, i krijohet përshtypja se politika shqiptare është inferiore ndaj asaj greke, përmenden disa, le t’i quajmë incidente të kohëve të fundit. Mund t’ju them, në mënyrë kategorike jo. Kurrsesi, politika e Shqipërisë, institucionet e Shqipërisë nuk mund të jenë inferiore. Përkundrazi, Shqipëria dhe Greqia prej vitesh kanë konsoliduar marrëdhëniet e tyre të fqinjësisë së mirë dhe besoj që kjo konstatohet në rritjen e dialogut politik, në shkëmbimet ekonomike dhe sigurisht, për çështje të caktuara nuk duhet të ngatërrojmë politikën institucionale, zyrtare të shteteve, të cilat, në rastet e incidenteve të ndryshme kanë reaguar në mënyrë shumë korrekte, me qëndrime apo veprime të individëve të caktuar, apo të qarqeve të caktuara ekstremiste. Nga kjo pikëpamje, unë mund të them që asgjë në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk shkon në sensin negativ. Përkundrazi, ato forcohen, marrëdhëniet janë korrekte, do të jenë korrekte, sepse janë dy vende, të cilat janë dy vende të NATO-s. Nga ana tjetër, janë dy vende që, njëri është vend i Bashkimit Evropian dhe tjetri, e kam fjalën për Shqipërinë, do të jetë shumë shpejt vend i Bashkimit Evropian. Ndërsa, për sa i përket disa incidenteve, patjetër që ka pasur dhe reagime të institucioneve, si për gjërat që kanë ndodhur në Greqi, me rastin e ushtarëve grekë, ashtu edhe për gjëra që kanë ndodhur në Shqipëri, sikurse ishte rasti i fundit i varrezave të Boboshticës. Unë kam pasur një prononcim, nëpërmjet një interviste televizive, ku kam shprehur qartë që gjërat duhet të jenë shumë korrekte, çdo gjë duhet të funksionojë mbi parametrat e shtetit ligjor, asgjë nuk mund të bëhet në mënyrë abuzive, sepse të gjitha veprimet abuzive patjetër sjellin edhe incidente të panevojshme. Cili është në fakt, mendimi juaj edhe për incidentin tragjik, ku një minoritar grek humbi jetën? Edhe kjo e plotëson mozaikun e marrëdhënieve shqiptare greke, apo? Përderisa ky është një moment me të cilin po merret drejtësia, për definicion e kemi thënë që, aty ku drejtësia është në operim, çdo zë, çdo institucion tjetër, patjetër që duhet të presë verdiktin e drejtësisë. Dëgjuesit tanë interesohen të dinë edhe vlerësimin e Presidentit shqiptar për marrëdhëniet me Maqedoninë dhe këto kohët e fundit, nuk di sa jeni në dijeni, është zhvilluar dhe po zhvillohet një debat lidhur me hapjet, le t’i quajmë ‘dosjeve’, dhe shqiptarët janë në rolin kryesor këtu, shqiptarët e Maqedonisë. Unë mund të them që marrëdhëniet me Maqedoninë janë marrëdhënie mjaft të konsoliduara, falë këtu edhe rolit të jashtëzakonshëm të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe gjithçka po zhvillohet në rrugë shumë normale. Unë, edhe kur kam qenë për vizitë zyrtare në Maqedoni, nga foltorja e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, jam shprehur që maqedonasit dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë harmoninë e tyre, duke iu referuar në mënyrë shumë rigoroze Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila përcakton të gjithë kuadrin e marrëdhënieve institucionale dhe shoqërore në Maqedoni. Për sa i përket asaj që ju pyesni, për ligjin mjaft të debatuar të dosjeve, unë e konsideroj si një problem të brendshëm të institucioneve dhe të shoqërisë së Maqedonisë dhe preferoj që, për gjëra që konsiderohen të brendshme, të mos ndërhyj nga jashtë. Dëgjuesit tanë interesohen për qëndrimet e Presidentit, për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, për raportet e tij me mazhorancën, ta zëmë, disa dekrete të Presidentit nuk kanë marrë dritën jeshile. Unë mendoj që detyra e Presidentit nga pikëpamja kushtetuese është që të zbatojë me rigorozitet të gjitha detyrimet kushtetuese për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, çka do të thotë që, me ligj përcaktohen të gjitha detyrimet që duhet të kenë kandidatët që të kenë mundësi që të aplikojnë për të kandiduar në këto dy gjykata të rëndësishme. Përderisa institucioni i Presidentit ka qenë në respekt të plotë të parametrave të kandidaturave dhe sot këto kandidatura janë në Parlament, i takon Parlamentit që të mbajë qëndrimin për kandidaturat. Pra, gjërat në demokraci janë të ndara. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, institucionet operojnë, por kanë edhe të drejtat e tyre dhe detyrimet e tyre. Sa kohë këto kandidatura janë në Parlament, patjetër që i takon vullnetit të deputetëve që të shprehen ‘po’, ose ‘jo’. Zoti President, përsëri duke iu referuar pyetjeve të dëgjuesve, cilat janë raportet e zotit Topi me Partinë e tij të deridjeshme, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste? Unë mund t’ju them që në këtë pozicion që është Presidenti, që është një pozicion i lartë institucional, natyrisht që kur bëhet fjala për marrëdhëniet me subjektet politike, këto marrëdhënie janë thellësisht institucionale, që do të thotë që Presidenti është larg çdo lloj emocioni dhe larg çdo lloj arsyetimi mbi “background”- in e tij politik, formimin e tij, por, ka një detyrim, një detyrim që lind nga dokumenti themeltar i shtetit, që ka të bëjë me Kushtetutën. Pra, nëse Presidenti zbaton Kushtetutën në mënyrë shumë rigoroze, patjetër që të gjitha marrëdhëniet përcaktohen dhe i konsideron si korrekte. Në rast se ka gjykime të tjera mbi këtë, Presidentit nuk i bën asnjë lloj përshtypje, sepse, përderisa është në rregull me pozicionin e tij, pastaj diskutimet politike mund të vijnë në mënyrë edhe subjektive. Ndërsa, marrëdhëniet njerëzore pastaj janë marrëdhënie më se normale, më se korrekte. Unë vij nga një jetë politike intensive. Kam shumë miq, shumë kolegë dhe mundohem që të respektoj marrëdhëniet njerëzore edhe në politikë. Nuk e di zoti President, a kemi dhe pak kohë t’i japim përgjigje të disa pyetjeve. Një pyetje që vjen në mos gaboj nga Armiri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që interesohet për fatin e një projekti për ndërtimin e një xhamie në Tiranë, për çka thotë ai, ju keni dhënë një gjysmë premtimi që do të angazhoheni dhe si kundër-argument ai thotë se konfesione të tjera fetare, katolikët, ortodoksët, kanë objektet në kryeqytet. Unë, para se të vija në Britaninë e Madhe, kam marrë pjesë në një simpozium për harmoninë fetare, ku të gjithë bashkëbiseduesit kanë shprehur me një respekt të veçantë të gjitha cilësitë e vyera të popullit shqiptar dhe të komuniteteve fetare për të qenë në harmoni. Nga ana tjetër, disa probleme që ekzistojnë në komunitetet fetare kanë të bëjnë ndoshta dhe me pronat e tyre dhe ky është një problem i njohur. Unë, në cilësinë e Presidentit do të inkurajoj në çdo moment zgjidhjen e problemeve që konsiderohen ligjore dhe kushtetuese. Për sa i përket asaj deklarate që unë kam dhënë, në mos gaboj ditën e Bajramit, kur pashë edhe një herë shumë besimtarë që faleshin në mes të rrugës, natyrisht, kur sot institucionet ndërtohen dhe respektohen në të gjithë Evropën, dhashë një vlerësim me një shqetësim që besimtarët të kenë kushtet e tyre për t’u falur në institucione, për të predikuar në institucione. Sigurisht që roli i Presidentit është inkurajues, është motivues, por kjo gjë varet dhe është në dorë të pushtetit ekzekutiv dhe të pushtetit vendor. Unë kam pasur rastin që ta bisedoj dhe ta inkurajoj këtë proces, dhe besoj që shumë shpejt do të marrë rrugën e zgjidhjes. Zoti President, folët për tolerancën fetare dhe në simpoziumin e para dy ditëve. Ndonjëri nga dëgjuesit tanë do t’ju pyeste, përse nuk kemi një tolerancë edhe politike mes politikanëve tanë në rajon? Unë e konsideroj mjaft të bukur këtë pyetje. Me sa duket, besimi në Zot, të besuarit në një fe të caktuar i imponon njeriut një raport shumë spiritual me Zotin, e detyron atë që të jetë vërtet në marrëdhënie shumë harmonike, të jetë shumë i kujdesshëm në veprimet e tij. Me sa duket, politika ende është larg këtij standardi. Në rast se ne do të aplikonim edhe në marrëdhëniet shoqërore, edhe në politikë, pikërisht atë marrëdhënie, një marrëdhënie shumë e ngushtë që krijohet me Zotin, besoj që gjërat do të ishin më të relaksuara.Dhe pyetja e fundit, përsëri duke iu referuar dëgjuesve. Të gjithë presidentët, sidomos në Perëndim, në mandatin e parë, sapo të hyjnë, ta zëmë Presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë, fillon e mendon për të dytin. Pyetja e një dëgjuesi tone është nëse do të kandidojë Presidenti Topi sërish në mandatin e dytë? Atëherë për këtë po jap një përgjigje disi më të gjatë. Një nga romanet e mi të preferuar në moshën e gjimnazit ka qenë romani “Bankieri” i autorit të njohur Lesli Uoller, i cili, në një moment duke iu referuar marrëdhënieve që krijohen në kapitalizëm, sidomos me problemet e kapitalit financiar, thoshte ‘përse vuan njeriu në kapitalizëm?’ dhe i referohet dy momenteve. ‘Së pari’, - thoshte ai, -‘njeriu vuan për nxjerrjen e sekretit, sepse konsiderohet i rëndësishëm sekreti profesionale në një biznes, në një investim’ dhe e dyta kishte të bënte me ‘mungesën e parashikimit’. Nisur nga konteksti i pyetjes tuaj dhe duke dashur që të mos gaboj, së pari, nuk ka arsye që unë sot të nxjerr në publik asgjë, përderisa tani jam në detyrë. E dyta, dëshiroj që çdo hap ta bëj me shumë kujdes, sepse, ju e dini që, aftësia për të parashikuar është mundësia për të pasur sukses. Kështu që, nga kjo pikëpamje unë jam ende në detyrë. Nuk dëshiroj të bëj plane afatgjata. Dëshiroj që të mbyll me nder këtë detyrë që është karrigia më e lartë e shtetit, sikurse është Presidenti i Republikës. Dhe, zoti President, do të veçonit pak për dëgjuesit tanë këtë përvojën e deritanishme të Presidentit. Është herët t’ju pyes se cili ka qenë momenti më i vështirë, apo ai më i gëzuar në këto vite, kur u bëtë President? Natyrisht, njeriu në jetën e tij, qoftë familjare, qoftë shoqërore, qoftë institucionale ka momente të gëzuara, por ka dhe momente, të cilat nuk konsiderohen të gëzuara. Unë preferoj të evidentoj vetëm momentet që më japin optimizëm dhe aspak momente që të imponojnë që të biesh në pesimizëm. Unë jam natyrë shumë optimiste dhe në memorien time kam vetëm momente të gëzuara. Pastaj, indeksi për të vlerësuar se cili ka qenë gëzimi më i madh, natyrisht në jetë njeriu gëzimet më të mëdha nuk i ka në politikë, gëzimet më të mëdha i ka në familje.

BBC

KOMENTE