English

PDU: Shqetësues regjistrimi i popullsisë, do thërrasim në interpelancë ministrin

Elbasan, 6 Nëntor, NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet vijoi turin e saj “Një vit PDU” në qytetin e Elbasanit, ku kryetari i saj Shpëtim Idrizi duke folur për çështjen e marrëveshjes së ujërave me Greqinë, u shpreh se kjo parti nuk do ta votojë këtë marrëveshje për aq sa dyshohet se mund të shkelet qoftë edhe një centimetër tokë e Shqipërisë.

Ai u shpreh edhe kundër regjistrimit të popullsisë duke deklaruar se do të thërrasë për interpelancë ministrin përgjegjës për regjistrimin. Duke u ndalur tek skandali i Boboshticës, Idrizi deklaroi se politika shqiptare duhet të ndal çdo tentativë që ul dinjitetin e shqiptarëve.

“Ne nuk do të ndalojmë miqtë e mi. Shumë shpejt do të thërrasim në Kuvend për interpelancë ministrin përgjegjës për regjistrimin e popullsisë. Partia Drejtësi dhe Unitet ka qenë e vetmja forcë politike që ka tentuar të ndërgjegjësojë mbarë klasën politike shqiptare, në mënyrë që të respektojnë dhe të ruajnë dinjitetin e shqiptarëve. Ne kemi reaguar fortë në rastin e skandalit të Boboshticës dhe iu drejtuam edhe partive të tjera që ta dënonin ta denonconin këtë skandal”, tha Idrizi.

Ndërsa koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rinj, Jetmir Salaj iu drejtua të pranishmëve me një thirrje për të mbështetur KPR-në, si një institucion që do të jetë gjithnjë në ballë të patriotizmit shqiptar. Ai tha se shqiptarët, pavarësisht se nga vijnë, apo cilës fe i përkasin, duhet të jenë të bashkuar kur vjen fjala për Atdheun.

“Çdo shqiptar, çam, kosovarë, lab, gegë e tosk, të krishterë e mysliman duhet të bashkohemi e të themi jo uljes së dinjitetit tonë, dhe të ndërgjegjësohemi për atë shprehje që ka thënë i madhi Pashko Vasa, feja e shqiptarët është shqiptaria”, tha Salaj.

Turi “Një vit PDU” do të vijojë në Paskuqan, ku do të paraqiten kryesia e kësaj nëndege dhe do të kryhet një analizë e punës së PDU në vitin e parë të ekzistencës si forcë politike.

n.e/NOA

KOMENTE