English

Tahiri: BE i vuri vizë Berishës për statusin kandidat, nuk zgjidhi krizën

Tiranë, 6 nëntor, NOA – Partia Socialiste ka fajësuar sot mazhorancën dhe kryeministrin Sali Berisha për mos votimi e dokumentit të propozuar nga delegacioni i Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës në vend. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS, Saimir Tahiri tha se Kryeministrit Sali Berisha nuk ka dëshirë të zgjidhë ngërçin politik dhe me qëndrimet e tij ka dalë dhe kundër ndërkombëtarëve.

“I vetmi njeri mbyllur sot në bunkerin e krizës, larg problemeve të qytetarëve e reformave të mëdha, është vetë Sali Berisha dhe qeveria e tij, që dje tregoi qartë se, edhe pse ka mbetur i vetmi fillikat që sot refuzon transparencën e zgjedhjeve, duke i dhënë një shuplakë të papritur edhe vetë Doris Pack, mbështetëses më të flaktë të tij e të PD, s’ka vullnet për të zgjidhur krizën, duke refuzuar edhe kompromisin e paraqitur nga të djathtët europian”, tha sot Tahiri.

Duke u ndalur në akuzat e kryeministrit për pengesën që ka sjellë ndaj vizave opozita, Tahiri u shpreh se BE i liberalizoi vizat për qytetarët dhe jo për qeverinë.

“Sali Berisha përpara se të vazhdojë shëtitjen e tij të fundjavës, kësaj radhe në shkollë duke lënë dhe fëmijët pa pushim, e përpara se tu mburret shqiptarëve nga llumi ku është zhytur për liberalizimin e vizave, bën mirë të mbajë parasysh se nuk ka mbetur më njeri në këmbë që sot nuk e di mjaft qartë se Evropa i hoqi vizat shqiptarëve e në të njëjtën kohë i vuri vizë Saliut vetë e qeverisë së tij duke e ngelur në klasë për statusin e kandidatit”, tha Tahiri.

Nga ana tjetër ai ka shtuar se kriza politike vazhdon pasi “PD dje nuk tregoi vullnet për zgjidhjen e saj me të njëjtat mënyra siç ka bërë deri më sot për pengimin me çdo kusht të transparencës”.

Tahiri u ndal edhe në deklaratat e eurodeputetes Doris Pack, e cila sipas tij bëri propozimin më të mirë të mundshëm që u hodh poshtë nga Berisha.

Sipas tij takimi i djeshëm tregon se BE kërkon zgjidhjen e krizës në mënyrë urgjente.

“Partnerët tanë evropianë të djathtë e të majtë, vetë PE, kërkojnë zgjidhjen e menjëhershme të krizës, me më shumë forcë seç kërkohet në Rezolutën e 8 korrikut e që PD s’ka vullnet ta zbatojë”, tha Tahiri.

a.k/NOA

KOMENTE