Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Zeyno Baran: Serbia kundër ndërmjetësimit të Turqisë me Kosovën
English

Zeyno Baran: Serbia kundër ndërmjetësimit të Turqisë me Kosovën

Prishtinë, 8 nëntor, NOA - “Sipas perspektivës serbe, Turqia shihet më afër palës kosovare, ndaj nuk e shoh se ka gjasa që të ndodhë ky ndërmjetësim”, thotë Zeyno Baran, nga Instituti Hudson.

“Turqia ka qenë shumë e përfshirë në rajon gjatë viteve të fundit dhe në këtë kontekst Ballkani është i rëndësishëm. Vizita e kryeministrit vjen në kohën kur Turqia synon të jetë më aktive në përpjekjet për të zgjidhur konflikte apo mosmarrëveshje mes vendeve të ndryshme të rajonit”, tha ajo.

Zonja Baran, kryeministri turk vizitoi ditë më parë Kosovën. Duke qenë një nga vizitat e pakta të një profili kaq të lartë që nga shpallja e pavarësisë, ç’mund të na thoni për kohën dhe arsyet e vizitës?

Turqia ka qenë shumë e përfshirë në rajon gjatë viteve të fundit dhe në këtë kontekst Ballkani është i rëndësishëm. Vizita e kryeministrit vjen në kohën kur Turqia synon të jetë më aktive në përpjekjet për të zgjidhur konflikte apo mosmarrëveshje mes vendeve të ndryshme të rajonit. Kujtojmë këtu përfshirjen e Turqisë në zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Sirisë, apo Iranit e SHBA-ve. Së fundi, po shohim se hapi tjetër është gjetja e një zgjidhjeje mes Kosovës e Serbisë, në përpjekje që këto dy vende të arrijnë një marrëveshje.

Kjo që sapo thatë është e saktë, pasi kryeministri turk u tregua i gatshëm për ndërmjetësimin mes Prishtinës e Beogradit në bisedimet e pritshme. Nëse ndodh, do të kishim përfshirjen e parë të Turqisë në bisedime të këtij lloji mes dy palëve. Çfarë ndryshimi do të sillte në negociata prania e Turqisë?

Turqia, siç e thashë dhe më parë, synon të zgjidhë një mori konfliktesh rajonale. Është, po ashtu, e vërtetë se kjo do të ishte hera e parë që Turqia do të angazhohej në bisedime mes Kosovës e Serbisë. Nuk jam e sigurt se pala serbe do të dëshironte ta shikonte Turqinë në këtë rol. Mendoj se në thelb të propozimit është vullneti i Turqisë për të kontribuar në ndërmjetësim. Por, duke pasur parasysh perspektivën serbe, sipas së cilës Turqia shihet më afër palës kosovare, nuk e shoh se ka gjasa që të ndodhë ky ndërmjetësim.

A mendoni se faktorë të tjerë, si BE-ja apo SHBA-ja, do të ishin të gatshëm ta pranonin Turqinë në bisedime të tilla?

Nëse të dyja palët, ajo serbe dhe kosovare, do të deklaroheshin në mbështetje të pranisë turke në negociata, nuk mendoj se BE-ja apo SHBA-ja do ta kundërshtonin. Por, nga ana tjetër, nuk mendoj se BE-ja apo SHBA-ja do të shtynin Turqinë që të merrte këtë rol.

Politika e Turqisë në Ballkan, a është një politikë e ngritur mbi logjikën ekonomike apo politike, përfshirë këtu dhe vizitën e fundit të Erdoganit në Kosovë?

Sa i përket bizneseve turke, ato kanë një aktivitet të jashtëzakonshëm në Ballkan. Kjo shkon në përputhje edhe me politikën turke të dekadave të fundit, e në veçanti në 5-10 vitet e fundit. Në këtë kuptim Ballkani është një territor natyral për zgjerimin e aktivitetit ekonomik të Turqisë. Ka pasur aktivitete shumë domethënëse të biznesit turk në Kosovë, por edhe në Serbi. Unë shoh një përfshirje të Turqisë në Ballkan në nivelin e bizneseve, që ndiqet më pas nga një përfshirje politike në nivel qeveritar.

Në këtë kontekst a mund të themi se biznesi vjen i pari, e më pas politika në qasjen turke në Ballkan?

Të dyja shkojnë dorë për dore, por biznesi ecën më shpejt, pasi nuk mban në shpinë peshën burokratike të shtetit. Fryma ndërmarrëse e biznesmenëve turq tashmë është e mirënjohur. Në këtë kontekst, biznesi dhe qeveria ecin bashkë, por biznesi do të thosha lëviz shumë më shpejt.

Kryeministri turk në Kosovë mori pjesë në inaugurimin e një xhamie, i shoqëruar nga homologu i tij kosovar. Madje, ky i fundit u pa duke u falur, një pamje që nuk ishte hasur më parë. Duke pasur parasysh rrënjët islamike të partisë së Erdoganit, a mendoni se Turqia do të përpiqet edhe në forcimin e islamit në Kosovë?

Mendoj se ajo që kemi parë në përgjithësi në angazhimet e kryeministrit Erdogan në vendet me shumicë myslimane, është dhe elementi kulturor e fetar. Kosova është e rëndësishme për shoqërinë turke, por edhe për kryeministrin e Qeverinë e Turqisë pikërisht për shkak të këtij aspekti mysliman. Duhet të shtojmë se islami në Ballkan është shumë më i evropianizuar dhe sekular, çfarë dallon me kahen që ka marrë Turqia në dekadën e fundit. Turqia po bëhet gjithmonë e më shumë konservatore dhe dëshmimi i besimit duket se po kthehet gjithmonë e më shumë në normë. Në këto rrethana nuk e di se si do të veprojë Turqia në Ballkan, e në veçanti në Kosovë. Myslimanët në Kosovë janë më shumë ndjekës të traditës sekulare evropiane, sesa ashtu si ndoshta do të donte t’i shikonte Partia për Drejtësi e Zhvillim.

A mendoni se Turqia mund të jetë një lojtar konstruktiv në Ballkan, duke pasur parasysh problemet brenda Turqisë dhe natyrën e konflikteve në Ballkan? A ka gjasa për një rol real të Ankarasë apo gjithçka do të mbetet në kuadër të vizitave dhe deklaratave?

Nëse mendoj rreth atyre çfarë ka bërë Turqia në rastet e përfshirjes në negociata, më duhet të them se synimet e Turqisë janë konstruktive, por nuk kanë rezultuar në arritje konkrete. Ndoshta të njëjtën gjë mund ta shohim dhe në Ballkan. Turqia mund t'i mbledhë së bashku udhëheqësit e vendeve ballkanike, por kur të vijë puna për të zgjidhur problemet e vështira, nuk besoj se mund të shohim ndonjë rezultat.

“Radio Europa e Lirë”

KOMENTE