English

E plotë - Komisioni Evropian miraton Paketën e Zgjerimit për vitin 2010

Komisioni Evropian miratoi sot Paketën për Zgjerimin. Paketa prezanton vlerësimin vjetor të agjendës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo nënvizon gjendjen aktuale të përgatitjeve, sfidave të mëtejshme dhe përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Turqisë and Islandës. Komisioni Evropian propozon statusin e vendit kandidat për Malin e Zi, si edhe rekomandon që të hapen negociatat për anëtarësim me Malin e Zi dhe Shqipërinë atëherë kur këto vende të kenë plotësuar një numër kriteresh kyç të përcaktuara në opinione. Komisioni Evropian konfirmon se Kroacia po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve të saj për anëtarësim.

Duke paraqitur paketën vjetore të zgjerimit, Komisioneri Füle tha: "Politika e Zgjerimit i krijon mundësi Bashkimit Evropian të përballet me sfida të një bote në ndryshim dhe multi polare, në të cilën ne duhet të vazhdojmë të projektojmë përtej kufinjve tanë sistemin tonë të bazuar në vlera. Një Bashkim Evropian i cili kërkon edhe një herë të forcojë bashkëpunimin mes ish-rivalëve, ndërsa mban fort standardet më të larta të të drejtave të njeriut, do të ketë fuqinë e butë magnetike që nevojitet për të formëzuar botën përreth tij, në vend që të formëzohet prej saj."

Ndërsa Traktati i Lisbonës heq pengesat institucionale dhe krijon mundësi për implementimin e përbashkët të të gjitha çështjeve të politikës së jashtme (Politika e Përbashkët e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Sigurinë dhe instrumentet komunitare), agjenda e zgjerimit mund të ecë përpara. Negociatat me Kroacinë kanë hyrë në fazën e tyre përmbyllëse, ndërsa negociatat me Turqinë përparojnë, pavarësisht ritmit të ngadalshëm të tyre. Janë hapur negociatat me Islandën dhe po shqyrtohet aplikimi i Serbisë për anëtarësim në BE. Komisioni Evropian ka paraqitur Opinionet e tij për aplikimet për anëtarësim të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin e tij të 2009 që të hapen negociatat e anëtarësimit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe rikonfirmoi perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës.

Përpjekjet për reforma në vendet e zgjerimit kanë filluar të japin përfitime të prekshme për qytetarët e këtyre vendeve. Qytetarët shqiptarë dhe ata të Bosnje-Hercegovinës shumë shpejt do të mund të udhëtojnë pa viza për në Bashkimin Evropian. Serbia, Mali i Zi dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë përfituar nga ky regjim përgjatë këtij viti. Në të gjithë zonën e Zgjerimit, shumë ekonomi janë forcuar pavarësisht krizës globale; mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore po i përafrohen niveleve të Bashkimit Evropian; dhe bashkëpunimi rajonal shënon përparim të dukshëm. Paqja dhe stabiliteti janë përforcuar, duke i sjellë përfitim jo vetëm rajonit, por edhe vetë Evropës në tërësi.

Për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate, përgatitjet e vështira për anëtarësim kërkojnë një proces reformash të thella. Mbeten ende sfida të shumta përpara, ndërmjet të cilave ndër më të rëndësishmet mbeten mirëqeverisja, shteti ligjor dhe liria e shprehjes. Bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës mbetet një kusht kyç për të gjithë procesin e anëtarësimit të disa vendeve. Duhet një diplomaci konstruktive për të parandaluar që çështje dypalëshe të bëhen pengesë për procesin e anëtarësimit në tërësi.

"Politika e Bashkimit Evropian për Zgjerimin përbën një shembull të shkëlqyer se si ne mund t'i kthejmë sfidat kryesore që na dalin përpara në mundësi për një Evropë më të sigurt e më të begatë," shtoi Komisioneri Füle. "Në mënyrë që të jemi të suksesshëm, ne duhet të vazhdojmë ta mbajmë të besueshëm këtë proces. Për BE-në, besueshmëria do të thotë që perspektiva e anëtarësimit ofrohet në bazë të kushteve të rrepta dhe rigoroze. Për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate, kjo do të thotë angazhime për reformat e hartuara për t'i sjellë ato më pranë standardeve dhe ligjeve evropiane, si edhe më pranë një perspective të besueshme për në Bashkimin Evropian."

INFORMACION

- KROACIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 2003. Janë mbyllur provizorisht 25 nga 35 kapitujt negociues. Negociatat për anëtarësim në BE kanë arritur fazën përfundimtare dhe duhet të përfundojnë, pasi Kroacia të ketë përmbushur kërkesat e mbetura, në veçanti në fushën e gjyqësorit dhe të të drejtave themelore.

- TURQIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 1987. 13 kapituj janë të hapur dhe 1 është mbyllur provizorisht. Përpara se vendi të ecë përpara në negociatat për anëtarësim, duhet arritur zbatimi i plotë i detyrimeve të Bashkimit Doganor dhe progres drejt normalizimit të marrëdhënieve me Qipron.

- ISLANDA: vend kandidat – aplikoi për anëtarësim në vitin 2009, ndërsa negociatat për anëtarësim u hapën në qershor 2010. Do të fillojë së shpejti procesi i analizimit. Duke qenë se Islanda është anëtare e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e zonës Shengen, një pjesë e madhe e legjislacionit të saj është në fakt e përafruar me legjislacionin e BE-së.

- ISH-REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË: vend kandidat – aplikoi në vitin 2004. Vazhdon të përmbushë mjaftueshëm kriteret politike dhe Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin e vitit 2009 për të hapur negociatat e anëtarësimit me këtë shtet. Meqenëse për fillimin e negociatave kërkohet një vendim unanim i Shteteve Anëtare, thelbësore për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë mbetet gjetja e një zgjidhjeje të negociuar dhe të pranueshme nga të dyja palët.

- MALI i ZI: vend potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2008. Në Opinionin e vet, Komisioni Evroian rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, në rast se vihet re progres në një sërë fushash, të cilat cilësohen në Opinion.

- SHQIPËRIA: vend potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Në Opinionin e Komisionit Evropian rekomandohet hapja e negociatave, në rast se vihet re progres në një sërë fushash, të cilat cilësohen në Opinion.

- SERBIA: vend potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Më 25 tetor 2010, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ia kaloi kërkesën e Serbisë Komisionit Evropian. Ky i fundit do të fillojë përgatitjet për Opinionin.

- BOSNJA-HERCEGOVINA: vend potencialisht kandidat – nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE; mungesa e një vizioni të përbashkët nga udhëheqësit politikë për drejtimin e vendit vazhdon të bllokojë reformat kyçe dhe progresin e mëtejshëm drejt BE-së.

- KOSOVA: vend potencialisht kandidat – nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE. Bashkimi Evropian i mbështet përpjekjet e BE-së për të përmbushur perspektivën e saj evropiane dhe në janar shpalli dialogun për procesin e Stabilizim-Asociimit. Komisioni Evropian do ta çojë përpara pjesëmarrjen e Kosovës në programet përkatëse të Bashkimit Evropian.

KOMENTE