English

Saimir Strati, nis rekordin e pestë "Guinness", një kartëmonedhë me vida

Tiranë, 9 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Artisti Saimir Strati prej disa ditësh i ka hyrë një aventure të re, një rekordi të ri "Guinness".

“I ngujuar” në hollin e Teatrit Kombëtar, ai do të vendosë një rekord të ri, një mozaik i përmasave të mëdha, me vida metalike, që do të thotë një kategori e re, pas gozhdëve, kunjave të dhëmbëve, tapave të shisheve dhe penelave.

Një rekord, të cilin ai pretendon ta vendosë në një kohë rekord, brenda dy javëve.

Bëhet fjalë për kartëmonedhën më të madhe në botë, me një sipërfaqe prej 12,5 metra katrorë (5 X 2,5 m).

Strati nuk ka dashur t'i japë kartëmonedhës së tij ndonjë emër.

Nuk është as euro, as dollar, as lek...

Ajo është një prerje tërësisht unike dhe i dedikohet artit.

Artisti ka menduar një kompozim, që u dedikohet artistëve të teatrit shqiptar.

Kjo është edhe arsyeja pse Strati ka përzgjedhur si vendin e punës së tij, hollin e Teatrit Kombëtar.

"Përveç pasionit shumë të madh, që është në themel të të gjithë këtij projekti, ajo çka më bën të ndihem mirë është krenaria, që provoj në momentin kur prezantohem si shqiptar, apo kur gazetarë të huaj janë të interesuar dhe shkruajnë për veprën e një shqiptari", thotë Strati.

Rekori i tij i parë u shënua në vitin 2006, me mozaikun me gozhdë, "Leonardo Da Vinçi".

Rekordin e dytë e shënoi në 2007-ën me një mozaik me kunja dhëmbësh të quajtur “Reinles spirit”; të tretin rekord e shënoi në 2008-ën me mozaikun me tapa shishesh të titulluar “Mediteranea” dhe të katërtin një vit më parë me mozaikun kushtuar “Michael Jackson” i realizuar me penela pikture.

Sfida e tij e radhës është realizimi i kartmonedhës, një kompozim dedikuar artistëve të teatrit me përmasa 5 x 2,5 metra katrorë që ai ka premtuar ta realizojë në një kohë rekord përgjatë dy javëve.

Kartëmonedha do të kompozohet me 400-500 mijë vida metalike në ngjyrë të zezë kombinuar me ato në të metaltë.

m.s/mit/NOA
KOMENTE