English

Bode: Projektbuxheti u vonua për shkak të emetimit të Eurobondit

Tiranë, 10 nëntor, NOA – Pas prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Ekonomisë dhe kritikave të opozitës për prezantimin e tij me vonesë për t’u diskutuar në komision, ministri i Financave Ridvan Bode, deklaroi se vonesa prej 4 ditësh në miratimin e buxhetit u kushtëzua nga emetimi në treg i Eurobondit të parë shqiptar.

Ministri sqaroi përfaqësuesit e opozitës në komision se sipas një rregulli rigoroz kur hyn në treg me eurobondin nuk të lejohet të flasësh as për shifra dhe as të publikosh më shifra apo të japësh konsiderata.

“Në Shqipëri ndodh ajo që ndodh që në ditën që vendi del në treg, mediat janë të interesuara që nga mëngjesi deri në darkë të bëjnë analiza për borxhin publik, për deficitin. Dhe në fakt nuk arritën asgjë dhe morën përgjigje, pasi eurobondi u arrit me interes 7.5 %”, tha ministri Bode.

Sipas tij, qeveria respektoi rregullin, i cili u respektua në mënyrën më rigoroze edhe nga FMN-ja, misioni i së cilës punoi dy javë me buxhetin dhe nuk deklaroi askund shifrat e tij.

Në këtë kontekst, Bode shpjegoi se buxheti ishte hartuar më herët, pra që në datën 26, kur priteshin zhvillimet e Eurobondit.

Më tej, ministri i Financave duke iu përgjigjur opozitës theskoi se “Rritja ekonomike mund të konsiderohet optimiste nëse marrim në konsideratë zhvillimet e ekonomisë rajonale dhe asaj globale. Por nuk ka asnjë optimizëm në shifra, sepse kur bëhen përllogaritjet e rritjes ekonomike në radhë të parë përllogariten se kush janë burimet kapitale të financimit”, nënvizoi ministri Bode.

Bode theksoi sakaq se ajo që mbetet me pikëpyetje është se si do të jetë reagimi i tregjeve rajonale dhe globale në vitin 2011.

Sipas Bodes, për vitin 2010 FMN-ja dha një parashikim për rritje ekonomike prej 2 %, ndërkohë që Bode tha se “ne themi dhe kemi të gjitha të dhënat që rritja është 4 %”.

“Edhe për vitin 2011 ne kemi parashikim të ndryshëm, 5.5 % dhe duhet të ndërtojmë skenarë, që çojnë në këtë nivel. Përballë këtij skenari, që theksoj se nuk është optimist apo konservator, por është një skenar, që mban aktiv buxhetin dhe politikat e tij në raport me ekonominë”, pohoi ministri Bode.

Ministri Bode tha se për këtë skenar të mesëm është programuar kontigjenca që shkojnë në 1.2 % të PBB-së, ku nuk janë përfshirë në buxhet programi i investimeve strategjike.

Bode theksoi në korrik në Kuvend do të vijë buxheti i rishikuar me objektiva të tjera, me përmirësime të tjera.

Sa i përket defiçitit, Bode theksoi se ai është planifikuar 3.5 %.

“Nevoja për të mbështetur programin e investimeve publike, infrastrukturës kombëtare dhe rajonale, na detyron ta mbajmë deficitin në këtë nivel. Do të dëshironim që kur të vijmë për rishikimin e buxhetit, deficiti të jetë nën këtë objektiv si pasojë e përmirësimit të situatës financiare dhe treguesve financiarë të buxhetit”, siguroi ministri i Financave.

Lidhur me politikat sociale ministri Bode u tha përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ekonomisë se jemi vendi që ka mbështetjen më të madhe për politikat sociale në rajon. “10.3 % e PBB-së është fatura sociale në këtë buxhet, ndërkohë që ka qenë 7.7 në vitin 2005. Kjo i dedikohet politikave agresive të qeverisë për rritjen e pensioneve, ndihmës ekonomike, për përmirësimin e një sërë pagesash që jepen për kategori të caktuara sociale në nevojë, si dhe për rritjen e faturës së sigurimeve shëndetësore, rimbursimin e ilaçeve dhe të tjera, të cilat e çojnë faturën sociale pa shpenzimet në arsim dhe shëndetësi, por vetëm asistim i buxheteve familjare në 10.3 % të PBB-së. Pra më shumë se 1/3 e buxhetit që diskutojmë sot është buxheti social”, tha Bode.

Pyetjes për transparencën e buxhetit, ministri i Financave iu përgjigj kështu: “Procesi i buxhetimit është në standartet më të larta në rajon. Keni analizën e BB-së lidhur me procedurat dhe standardet e buxhetimit. Ka qenë angazhimi i këtij institucioni dhe disa qeverive europiane që kanë mundësuar kalimin e procesit të buxhetimit në Shqipëri në standardet më të larta’, konfirmoi Bode, duke theksuar se standardet që evidenton opozita janë një konsideratë e OJF-ve që lidhen me përpunimin e opinionit publik dhe jo me standardet.

mit/NOA
KOMENTE