English

Edi Rama: Bojkoti i opozitës amplifikoi një krizë që ekzistonte më parë

Tiranë, 10 Nëntor, NOA – “Sali Berisha ka dështuar, qeveria ka dështuar dhe ky moment i ballafaqimit me të vërtetat e hidhura, që shkruhen e zeza mbi të bardhë në dokumentin që praktikisht arsyeton refuzimin e kërkesës Shqipërisë, përbën momentin më dramatik të trajektores së dështimit të kësaj shumice”.

Kështu e nisi sot konferencën e tij për shtyp para gazetarëve, kryesocialisti Edi Rama, sipas të cilit, ajo një shumicë e dalë nga votat e vjedhura, e cila qëndron me pahir mbi kutitë e mbyllura të një të vërtete pa të cilën ne nuk mund të shkojmë dot përpara dhe nuk mund të ndërtojmë një raport të drejtë mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve dhe mes të zgjedhurve dhe institucioneve të këtij vendi. Institucioni ku të zgjedhurit e popullit ushtrojnë veprimtarinë e tyre në emër të zgjedhësve është përcaktuar qartë në dokumentin e refuzimit ose e arsyetimit të refuzimit të aplikimit të Shqipërisë, parlamenti shqiptar pra, si një institucion me një problematikë shumë të rëndë i cili drejtohet në mënyrë abuzive nga kryetarja e parlamentit.

“Më lejoni që t’ju them se ne jo vetëm e ndajmë të njëjtën pikëpamje me opinion e KE lidhur me mos funksionimin e parlamentit shqiptar, por për më tepër jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që nga njëra anë kemi përpjekjen për t'i mbyllur sytë përballë kësaj të vërtete, që sot është e shkruar e zeza mbi të bardhë nga KE. Nga ana tjetër kemi shqetësimin e madh se ashtu siç shkruhet, bojkoti i opozitës e amplifikoi një krizë që nuk ishte vetë bojkoti, por që ekzistonte që më parë. Parlamenti shqiptar është një institucion që mishëron problematikën e rëndë të demokracisë në vend, pavarësisht bojkotit të opozitës. I referohemi këtu një momenti të tejkaluar.

Së dyti, nënvizoj se i jemi mirënjohës KE dhe e falënderojmë edhe publikisht pasi e falënderuam drejtpërdrejt Drejtorin e Ballkanit Perëndimor, lidhur me nënvizim tjetër që, qeveria nuk ka pasur vullnet për të pranuar kompromisin e ofruar prej nesh duke pranuar ofertat tona. Ndërkohë që është ora jo thjesht për të komentuar atë që është shkruar lidhur me të shkuarën, por për të parë të nesërmen. Në emër të së nesërmes, në emër të domosdoshmërisë që ky tren i humbur të jetë i fundit dhe që Shqipëria të kapë trenin e ardhshëm, nënvizoj me forcë se Sali Berisha duhet të lexojë ofertën tonë të re ashtu siç është e shkruar dhe duhet ta pranojë atë në emër të domosdoshmërisë për ti hapur rrugë zgjidhjes së krizës. Duke zgjidhur krizën e transparencës të krijojmë kushtet që të trajtojmë të gjithë krizën tërësore të vendit, e cila është e trajtuar në dokumentin e KE, që flet për mosfunksionim të parlamentit. Që flet për konsolidim të pandëshkueshmërisë si fenomen. Që flet për krimin e organizuar dhe korrupsionin si arsye madhore të këtij refuzimi. Që flet për një administratë publike të politizuar, duke filluar nga Kuvendi i Shqipërisë. Që flet për probleme të mëdha me lirinë e medias. Që flet për korrupsion në nivele të larta në sektorë jetik të vendit, që flet për problemin e madh të pronës.

Të gjitha këto probleme të thëna e të stërthëna në vite, por që sot ja ku mblidhen të gjitha së bashku në një dokument, që nuk do kishim dashur ta kishim kurrë përpara syve tanë si shprehje e refuzimit të BE për të çelur me Shqipërinë negociata, duke i njohur asaj statusin e kandidatit në BE. Kjo është edhe ndarja thelbësore mes ngjarjes së madhe të liberalizmit të vizave, që për shqiptarët e shqiptaret që deri sot nuk e kanë pasur të mundur të lëvizin lirisht dhe kanë qenë të detyruar të marrin refuzime pas radhëve të gjata në dyert e ambasadave. Nga ana tjetër refuzimin ndaj qeverisë shqiptare, refuzimin e aplikimit për të çelur negociatat për marrjen e statusit kandidat.

Janë dy gjëra që në një fjali të vetme përmblidhen se Europa ju hap krahët shqiptarëve duke i mirëpritur si udhëtarë pa viza në gjithë hapësirën e saj dhe i mbyll derën Shqipërisë për shkak të qeverisë dhe të keqqeverisjes. Të gjitha këto janë probleme të keqqeverisjes. Qeveria dhe Sali Berisha nuk duhet të fshihen pas opozitës dhe as ta tregojnë opozitën si një arsye pse Shqipëria keqqeveriset. Nuk është opozita dhe nuk ka lidhje opozita me keqqeverisjen. Keqqeverisja është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë. Nuk bën vaki përveçse në vende ku ka probleme si këto, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë në dokumentin që po diskutojmë, që opozita të trajtohet si problemi madhor i vendit. Ndërkohë që ky dokument besnikërisht përshkruan realitetin e gjërave në Shqipëri, besnikërisht identifikon problematikën që ka sot Shqipëria, besnikërisht trajton edhe çështjen e krizës politike dhe me realizëm të plotë na jep mundësinë që ne të gjejmë menjëherë zgjidhjen që opozita është e investuar, PS është e investuar, unë si përfaqësues i saj jam i investuar, duke ofruar një zgjidhje që bazohet tek leximi gërmë për gërmë i rezolutës së PE dhe implementimi i saj gërmë për gërmë.

Përpara se sa t’ju jap mundësinë juve që të bëni pyetjet tuaja, dua të nënvizoj edhe dy çështje të tjera që specifikisht i shtrova me Drejtorin e Ballkanit në Drejtorinë e Përgjithshme, të cilin edhe njëherë e falënderoj publikisht për vizitën, për diskutimin e hapur dhe për qëndrimin realist të KE, si një qëndrim që mbështet popullin shqiptarë. Si një qëndrim që i jep popullit shqiptar mundësinë të lexojë qartë se nuk është Europa, por është qeveria, janë të zgjedhurit e tij problemi që pastaj i bën të pazgjidhura të gjitha ato probleme për të cilat refuzohet sot Shqipëria si kandidate për BE.

I nënvizova z.Mirel, së pari krizën e rëndë potenciale që rrezikon të shpërthejë në ditët në vijim për shkak të një përpjekje antikushtetuese, antiligjore, antiqytetare, antieuropiane, të qeverisë dhe të Sali Berishës personalisht për të kapur “rob” bashkitë dhe komunat e opozitës me dy hapa. Hapi i parë, duke ju grabitur taksat vendore, për të paguar kompanitë që përmes korrupsionit morën të drejtën të shesin kasat fiskale. Hapi tjetër, duke u kushtëzuar grantin e pakushtëzuar të qeverisë me një 18% antikushtetues, antidemokratik, antiqytetar, antieuropian, që është as më shumë e as më pak, por një plan për të falimentuar bashkitë dhe komunat e opozitës në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Unë dua të shpresoj dhe uroj që në emër të atij buonsensi që është i domosdoshëm sot mes palëve për të adresuar problemet reale të vendit dhe për të zgjidhur krizën, e më pastaj krizat që e kanë mbërthyer vendin Sali Berisha dhe qeveria nuk do ti hedhin këto dy hapa, por njëkohësisht dua ta them edhe publikisht atë që thashë në takim se ne jemi në përgatitje për të përshkallëzuar një protestë të panjohur më parë dhe të paparë më parë në emër të autonomisë vendore dhe në emër të të gjitha atyre qyteteve dhe komuniteteve që ne përfaqësojmë si shprehje vullnetit të lirë të qytetarëve dhe të cilëve ju detyrohemi shërbime të cilat Sali Berisha nuk mund t’jua kufizojë duke u marrë paratë kontributeve të tyre për qytete të pastra, për qytete të ndriçuara, për qytete të gjelbra, për qytete me shkolla, kopshte, çerdhe, e të gjitha shërbimet e tjera që garantohen nëpërmjet këtyre kontributeve.

Së dyti, çështja e Gjykatës Kushtetuese. Nënvizova se një tjetër krizë me në dukje përmasa më të vogla, por me në thelb po atë peshë dhe po atë pasojë dramatike si ajo që thashë më parë, e po kështu me po atë gravitet në krizën e përgjithshme të vendit rrezikon të hapet në rast se qeveria do të marrë peng Gjykatën Kushtetuese duke nxitur një gjykim mbi konfliktin e pastër të interesit të gjyqtarëve kushtetues, të cilëve ju kërkohet një interpretim, ndërkohë që nga ana tjetër dekretet e presidentit janë shtyrë përtej kufijve kushtetues në mënyrë të qëllimshme dhe nën orkestrimin e kryetares së kuvendit. Më lejoni të jem më i thjeshtë dhe ta shpjegoj me dy fjalë çfarë do të thotë. Është koha kushtetuese për të zëvendësuar një numër gjyqtarësh kushtetues. Presidenti ka paraqitur dekretet, të cilat duhet të votohen në kuvend. Votimi është shtyrë dhe rishtyrë përtej kufijve kushtetues dhe ndërkohë atyre gjyqtarëve që ju ka ardhur koha të largohen u kërkohet që bashkë me të tjerët të interpretojnë pozicionin e tyre ose e thënë ndryshe të shtyjnë qëndrimin e tyre atje, duke votuar për veten e tyre që të rijnë edhe 3 vjet apo 4 vjet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e patolerueshme, kjo është realisht e papranueshme. Kjo është tërësia e problematikës për të cilën ne folëm dhe të cilën unë e nënvizoj para jush, duke e mbyllur me domosdoshmërinë që qeveria të dëgjojë, që Sali Berisha të dëgjojë dhe që palët ti japin fund një krize, e cila po shkon drejt një pike pa kthim dhe e cila është në rrënjët e krizës së përgjithshme që ka pllakosur Shqipërinë, demokracinë e saj, drejtësinë e saj, edhe ekonominë e saj.

Duke ju përgjigjur pyetjes tuaj, dua ta ritheksoj, të mos fshihemi pas alibish të nxjerra nga një dokument që nuk ka asnjë alibi për askënd. Dhe të mos shohim gishtin kur gishti tregon hënën, është e qartë, e zeza mbi të bardhë, që për Shqipërinë ka ndodhur diçka që kurrë nuk duhet të ndodhte, që Shqipëria ka humbur një tren që kurrë nuk duhet ta humbte dhe që këtë tren, trenin e integrimit në BE, duke marrë statusin e kandidatit e humbasim 20 vjet pasi i kemi krijuar mundësinë vetes që të shkojmë drejt Europës. Është e qartë pse Shqipëria e humbet këtë tren dhe janë të qarta të gjitha arsyet që e shtyn Komisionin Europian ta refuzojë aplikimin e Shqipërisë dhe ndërkohë që shqiptarëve ju hap rrugët e lëvizjes së lirë, Shqipërisë i mbyll derën duke e refuzuar këtë standard qeverisjeje të punëve të vendit. Duke refuzuar këtë standard performance të institucioneve të vendit. Duke refuzuar këto rezultate që përveç hedhjes në letër të një sërë ligjesh konform standardeve Europiane nuk përkojnë aspak me një realitet të atillë që do ta bënte BE, KE të jepnin opinion pozitiv. Përfytyrojeni vetëm për një moment, një vend anëtar i NATO-s që refuzohet, ndërkohë që një shtet shumë i ri në kufi me ne, Mali i Zi, pranohet. Përfytyroni vetëm për një moment, që Shqipëria në NATO, është Shqipëria që refuzohet si kandidate në BE. Është e njëjta Shqipëri, por nuk është një refuzim për shqiptarët, është një refuzim për standardet e administrimit të këtij vendi. Sigurisht që për standardet e administrimit të këtij vendi përgjegjësinë e plotë dhe të patjetërsueshme e të pa transferueshme e ka qeveria e këtij vendi, e ka shumica shprehje e së cilës është kryetarja e kuvendit, që drejtpërsëdrejti tregohet si një nga problemet, që gjeneron pastaj problemin madh të mosfunksionimit të kuvendit. Është e bardha mbi të zezë kjo që ne themi dhe është e zeza mbi të bardhë ajo që shkruhet, ajo që shkruhet është fare e qartë edhe kur vjen fjala për momentin më dramatik të opozitës, për shkak të gjendjes alarmante të demokracisë dhe të vendit në tërësi, bojkotit të saj. Bojkoti amplifikoi një krizë që ekziston, që është në strukturën organike të funksionimit të këtyre institucioneve. Kështu që kur flasim për ligje të reja bëjmë mirë të kuptojmë se në këtë dokument ashtu siç e ndamë edhe me Drejtorin e Ballkanit Perëndimor, nënvizohet domosdoshmëria për implementimin e ligjeve që kemi, për implementimin e atyre që miratojmë dhe që pastaj mbeten letra të bukura për Europën, ndërkohë që nuk përkthehen në realitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si rregulla të një bashkëjetese demokratike, që e bën ligjin të barasvlefshëm për të gjithë dhe që i bën të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Opozita do ta shohë mundësinë për mocion mosbesimi ndaj kryetares së kuvendit. E dyta, duke qenë se paralajmëruat protesta të pushtetit vendor, do të jenë të përbashkëta këto protesta me ato që opozita ka paralajmëruar në emër të transparencës?

Nuk është cenim i autonomisë vendore, është varrosje e autonomisë vendore, në rast se ndodh një gjë e tillë. Ndërkohë që kryetarja e parlamentit është vetëm shëmbëlltyra e një problemi që është shumë më i thellë dhe që është në themelet e parlamentit. Ky është një parlament i dalë nga vota të vjedhura dhe ky parlament kulturën e grabitjes së votës, nuk ka arritur dot ta lerë as jashtë mureve të veta. Keni parë vetë procese votimi ku vota është grabitur sy për sy, por më shumë se kaq. Ky parlament është shëmbëlltyra e pushtetit të arrogancës, e pushtetit që nuk buron nga kontrata me qytetarët që zgjedhin, por që buron nga deformimi i votës së qytetarëve, e pushtetit që nuk i ka lenë qytetarët të zgjedhë. Përsa i përket një hapi të mundshëm në drejtim të kryetares së kuvendit me një mocion mosbesimi, kjo nuk do të zgjidhte problemin edhe pse asgjë e tillë nuk përjashtohet. Megjithatë edhe në një rast të tillë ndeshemi me votën e hapur, ndeshemi me fundin e demokracisë së votës së fshehtë, në një kuvend i cili është zhveshur tërësisht edhe nga etika formale e trajtimit të çështjeve, sepse kur vjen fjala për përmbajtjen as nuk bëhet fjalë për një përmbajtje demokratike të procesit ligjvënës. Fakti që KE e nënvizon këtë dhe e nënvizon kaq qartë, mjafton për të kuptuar sesa thellë ka shkuar e keqja në rrënjët e këtij parlamenti që duhet të shpërndahet për ti dhënë mundësi shqiptarëve ta rikrijojnë me votë të lirë.

A e keni informuar z.Mirel gjatë takimit të sotëm përsa i takon hapave të mëtejshëm të opozitës, kur është paralajmëruar protesta dhe nuk është përjashtuar opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. E dyta, në rast se ka ndodhur kjo gjë cili ka qenë opinioni apo mendimi që ka ndarë z.Mirel?

Nuk kemi folur për aksionin e opozitës, sepse kjo nuk është një çështje e tryezës së diskutimeve dhe të bashkëbisedimit me përfaqësuesit e BE, por kemi folur për qëndrimin e opozitës pas leximit të këtij dokumenti rrënqethës për Shqipërinë. E kam garantuar përfaqësuesin e lartë të KE-së, se ne jemi të gatshëm ta zgjidhim krizën menjëherë. Oferta jonë është e shkruar mbi leximin gërmë për gërmë të rezolutës së PE dhe presim që Sali Berisha ta lexojë ofertën dhe që qeveria të japi një përgjigje të re për një ofertë të re dhe jo përgjigjen e vjetër për ofertën e re të radhës.

Në bisedimet tuaja me z.Mirel, cili ishte mesazhi që ai dha për opozitën dhe cilat ishin detyrat e shtëpisë që ai la për opozitën, ndërkohë që dje ka lënë detyra shtëpie për maxhorancën?

Më lejoni t’ju them që është qeveria ajo që përfaqëson Shqipërinë në çdo tryezë me palët partnere të këtij vendi. Sigurisht që opozita është një nga institucionet më të rëndësishme të një vendi demokratik, është ana tjetër e një medaljeje që nuk ka asnjë vlerë në rast se nuk i ka të dyja anët, që është medalja e demokracisë pluraliste në një vend, por është qeveria ajo që duhet të zgjidhë krizat dhe problemet e vendit. Ndërkohë që opozita sigurisht ka detyrën e saj madhore që të jetë alternativa e palës që qeverisë dhe detyrat e saj të përditëshme që ne i dimë dhe do ti bëjmë përditë e më shumë me bindjen se na takon të bëjmë edhe më shumë. Jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, por sigurisht se çfarë do që të bëjmë ne, nuk mund dot të sjellë zgjidhjen e kësaj krize të rëndë dhe të asnjë krize tjetër në rast se qeveria i ka veshët e shurdhët, në rast se kreu i qeverisë përpiqet siç po bën të mbulojë dështimin me festa që nuk kanë lidhje me kulturën e Europës ku duam të integrohemi.

Reforma gjyqësorit që kërkon edhe opozitën patjetër...?

Pa diskutim që kjo ishte një nga pikat. Pa diskutim që ne jemi të gatshëm, por pa diskutim që ne i qëndrojmë bindjes sonë se Shqipëria përpara se të bëjë ligje të reja, duhet të zbatojë ligjet që ka. Qeveria përpara se të kërkojë konsensuse për ligje të reja, duhet të tregojë se është e vullnetshme për të zbatuar ligjet ekzistuese, duke filluar nga ligjet që kemi aprovuar bashkarisht me konsensus dhe që i ka katandisur në letra pa vlerë, duke i shkelur me këmbë dhe duke vepruar në kundërshtim flagrant me to, siç është edhe rasti i kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Aty fillon e ardhmja tek transparenca dhe tek shprehja e vullnetit të palëve për të zbatuar ligjin dhe për të hetuar shkallën e zbatueshmërisë së ligjit, përmes ushtrimit të kontrollit parlamentar në bazë të Kushtetutës.

Ju thoni që fajësimi i opozitës është shenjë e regjimeve autoritare në rastin e krizave politike shpeshherë. Si ta kuptojmë togfjalëshin e përdorur këto ditët e fundit nga ndërkombëtarët “ përgjegjësi e dyanshme” për ngërçin politik?

Ta kuptoni si shprehje të faktit se të dyja palët duhet të bëjnë detyrën e tyre. Njëkohësisht pasi të lexoni këtë fjali të shkoni pak më tutje dhe të lexoni fjalinë tjetër ku thuhet se qeveria nuk ka treguar asnjë gatishmëri për të pranuar ofertat e PS për kompromis. Pastaj pak më tutje ku thuhet se pavarësisht bojkotit të opozitës parlamenti shqiptar nuk funksionon dhe drejtohet në mënyrë abuzive nga kryetarja e parlamentit. Më tutje ku thuhet se krimi dhe korrupsioni janë një problem madhor. Ndërkohë që kultura e pandëshkueshmërisë për të cilën për herë të parë u fol në raportin paraardhës të progresit, sot është konsoliduar, stabilizuar, në qoftë se do ta përkthejmë drejtpërdrejtë nga raporti. Ndërkohë që ne duam të stabilizojmë demokracinë, qeveria ka stabilizuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Pra vidh, vidh se asgjë s’të gjen dhe shpif, shpif se diçka do mbetet. Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë dhe për këtë arsye Shqipëria e humbi trenin për ta kapur Europën. Kjo është përgjegjësi e Sali Berishës dhe ky është dështimi më i madh i një qeverie shqiptare në procesin e integrimit Europian.

Zoti Rama, kur u bë një vit e gjysmë që janë bërë zgjedhjet dhe ju keni bërë disa herë protesta që u radikalizuan deri në grevë urie, si do ta detyroni qeverinë të bëjë transparencën ose për zgjedhje të parakohshme?

Vazhdoj të mirëpres këtë pyetje por vazhdojë të habitem me faktin që nuk kuptohet fakti i thjeshtë, që palët dhe individët në një vend ku ka ende liri bëjnë secila dhe secilët detyrën e tyre. Ne bëjmë detyrën tonë. Historia ka treguar se ka patur të tjerë përpara nesh që kanë patur detyrë shumë më të rëndë, me kushte shumë më të rënda, ku protesta e tyre ka qenë shumë më pak e dëgjuar dhe shumë më e zgjatur dhe në fund qeveri shumë më të forta. Njerëz shumë më të zotë në qeveri dhe drejtues shumë herë më në pozicionin për të thënë se jemi të pamposhtur, janë mposhtur sikur të mos kishin ekzistuar deri pak më parë. Ajo që ne bëjmë është rritja e forcës së presionit të popullit opozitar dhe të gjithë atyre që pavarësisht se janë apo s’janë me ne nuk e pranojnë më këtë gjendje dhe refuzojnë ta pranojnë Shqipërinë si një mbetëse në klasë në provimet për të hyrë në BE, ndaj një pushteti i cili është dita për ti hapur veshët e për të dëgjuar dhe jo për të mbyllur sytë dhe për të bëjë sikur nuk shikon dhe duke na kërkuar të gjithëve të bëjmë sikur nuk shikojmë. Me shigjeta që shkojnë për në Helsinki aty ku është kundravajtje ndodhin pastaj vetëm përplasje.

Opinioni BE është shumë i qartë përsa i përket detyrave që i takojnë opozitës dhe qeverisë, por përsa kohë palët janë të pozicionuara dhe nuk kemi asgjë të re, çfarë do të presim nga opozita?

Që nga grekët e lashtë demokracia ka një histori të gjatë po për shterim protestash unë kam dëgjuar të flitet vetëm në konferencat e mia të shtypit. Protestat nuk shterojnë përsa kohë nuk do shterojë qenia njerëzore e etur për të pasur një jetë më të mirë dhe me ambicien për t’u lënë gjeneratave që vijnë një vend më të mirë.

NOA

KOMENTE