English

Topalli-Mirel: Prioritet i axhendës së Kuvendit ishin kushtet për heqjen e vizave

Tiranë, 10 nëntor, NOA – Një ditë pas prezantimit të opinionit për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhënë nga Komisioni Evropian përmes komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, një raport refuzues për aplikimin e Shqipërisë që ngërthente kritika të forta për mosfunksionimin e institucioneve dhe mbi të gjitha adresuar demokracisë parlamentare në kushtet e krizës politike të tejzgjatur, Kryetarja e Kuvendit i bëri të ditur sot në një takim drejtorit për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel, se axhenda e Kuvendit do të fokusohet në konsolidimin e arritjeve dhe miratimin e ligjeve dhe reformave të tjera të nevojshme, për vendin.

Gjatë takimit, Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel vlerësoi punën që është bërë në Kuvend dhe në mënyrë të veçantë konsideroi si sukses miratimin e ligjeve “Për konfiskimin e aseteve të grupeve kriminale” apo ligjin “Antimafia”, ligjin “Kundër diskriminimit”, dhe në tërësi kuadrin ligjor të miratuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se heqja e vizave ishte prioriteti i punës së Kuvendit dhe i saj.

Sipas zonjës Topalli plotësimi i kushteve për të arritur këtë, ishte axhenda e Kuvendit të Shqipërisë.

“Pavarësisht nga sfidat që ka patur Kuvendi dhe nga vështirësitë e krijuara nga bojkoti, me durim dhe vullnet të palëkundur bashkë me shumicën e deputetëve, është arritur që gjatë një viti të miratohen 300 ligje, vendime dhe rezoluta, të cilat kanë bërë të mundur që 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të vendosin në mënyrë unanime, heqjen e vizave për shqiptarët”, theksoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Raporti i Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë ishte një refuzim për vendin tonë për shkak se katër shtyllat kryesore të kritereve të Kopenhagenit, mbi të cilat një shtet mund të ulet si anëtar në tryezën e Bashkimit Evropian nuk janë plotësuar ende nga Shqipëria.

Opinioni i dha një shuplakë qeverisë dhe parlamentit.

Ai theksoi se moszgjidhja e krizës së tejzgjatur politike mbahet peng nga të dyja palët si mazhoranca edhe opozita, duke shkaktuar dorazi edhe mosstabilitetin e demokracisë në vend dhe mosfunksionimin e institucioneve të shtetit.

Raporti shfaqi gjithashtu edhe kritika për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit duke theksuar se korrupsioni ka kapur nivelet më të larta të shtetit.

Opozita e akuzoi sot mazhorancën se nuk po e lexon si duhet raport progresin e Komisionit Evropian, i cili mbi të gjitha ia adreson kritikat qeverisë për mosarritjen e kompromisit me opozitën për zgjidhjen e krizës politike të tejzgjatur që dëmton funksionimin e institucioneve të vendit.

mit/NOA
KOMENTE